BE-ja mohon të jetë bllokuar dialogu, takimi i radhës “porsa të lejojnë kushtet”

16:55 | 24 Nëntor 2020
L G

Kosova dhe Serbia zyrtarisht janë të përfshira në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, porse një takim në nivel liderësh, i parashikuar të mbahet në fund të shtatorit, është shtyrë vazhdimisht, nën arsyetimin e “bllokimit nga pandemia”.

Por, pandemia e koronavirusit nuk ka penguar takimin e datës 29 tetor, të shefave të delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, Skender Hyseni dhe Petar Petkoviq në Bruksel, ku kanë diskutuar për zgjidhjen e pretendimeve financiare dhe çështjeve të pronës midis dy vendeve.

Në Bruksel insistojnë se dialogu nuk është bllokuar.

“Që nga rifillimi në korrik, dialogu po vazhdon dhe po avancon me takime të ekspertëve dhe në nivel politik. Takimi radhës i nivelit të lartë politik do të thirret në Bruksel, porsa të lejojnë kushtet”, tha për Radion Evropa e Lirë, njëri nga zëdhënësit e BE-së, Peter Stano.

Qeveria e Kosovës thotë se s’ka bllokadë

Në Qeverinë e Kosovës thonë se vonesat në dialog janë të ndërlidhura ekskluzivisht me pandeminë.

“Për shkak të valës së dytë të pandemisë COVID-19, Brukseli është komplet i mbyllur për takime. Nuk ka asnjë pengesë tjetër. Janë duke vazhduar përgatitjet për takimet e grupeve teknike sapo të krijohen rrethanat”, deklaruan për Radion Evropa e Lirë nga Zyra e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Sipas tyre, aktualisht, nuk ka asnjë datë të përcaktuar për ndonjë takim të radhës.

Kryeministri i Kosovës, Avduallah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq janë takuar për herë të fundit në Bruksel më 7 shtator, ku presidenti serb kishte ngritur edhe çështjen e Asociacionit të komunave më shumicë serbe, organ ky që Serbia kërkon të ketë kompetenca ekzekutive, e që do të menaxhonte një varg çështjesh për dhjetë komunat me shumicë serbe.

Pas kthimit në Kosovë, kryeministri Avdullah Hoti kishte deklaruar se çështja e Asociacionit nuk do të kthehet në tavolinën e bisedimeve “pasi ajo është çështje e mbyllur”, por Serbia e quan të pakuptimtë dialogun nëse nuk diskutohet edhe për këtë çështje.

Pandemia, vetëm si pretekst?

Analisti politik Agon Maliqi vlerëson se arsyeja e shtyrjes së takimeve në Bruksel nën pretekstin e pandemisë, nuk qëndron. Sipas tij, vonesa më shumë është reflektim i mungesës së përmbajtjes në dialog.

“E para, Serbia po bën përpjekje si zakonisht për ta vonuar dhe zvarritur dialogun dhe në këtë moment nuk po përballet me ndonjë presion të theksuar. E dyta, Kosova është në një fazë të kaosit politik dhe qeveria nuk e ka peshën për ta shtyrë këtë proces përpara. Dialogu ndoshta nuk është ndërprerë, por është pa dinamikë dhe në pritje të sqarimit të situatës me Qeverinë e Kosovës se a do të kemi rikonfigurim të qeverisë, apo zgjedhje të reja”, tha Maliqi për Radion Evropa e Lirë.

Ai mendon se të dyja palët megjithatë po presin edhe fillimin e punës së administratës së re amerikane.

“Mendoj se të gjithë janë në pritje për diçka më përmbajtësore në pranverë”, theksoi Maliqi.

Në Kosovë, partneri kryesor i Lidhjes Demokratike të Kosovës në qeveri, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pati kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të dialogut, pas arrestimeve të para nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Po ashtu edhe ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka kërkuar nga qeveria që të ndërpresë dialogun.

Por, kryeministri Hoti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 10 nëntor, kundërshtoi ashpër thirrjet për ndërprerjen e dialogut me Serbinë.

“Janë dy zgjidhje: ose mund të mbajmë vendin e izoluar edhe të ankohemi në Prishtinë me deklarata për shtyp, në konferenca për shtyp, ose shkojmë në Bruksel dhe ulemi në tavolinë të dialogut dhe mbrojmë interesat shtetërore të Kosovës. Unë kam zgjedhur këtë të dytën”, deklaroi Hoti.

Pos partnerit qeverisës, edhe partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, janë kundër vazhdimit të dialogut me Serbinë.

Dialog pa epilog?

Analisti politik Agon Maliqi e sheh si shumë të vështirë që ky lloj i dialogut të sjellë marrëveshjen finale për normalizmin e raporteve.

“Jam skeptik sepse kanë hyrë në një rrugë qorre, ku përmenden kompromise të cilat nuk mund të zbatohen nga kjo qeveri, por nga as ajo që do të vie”, tha Maliqi.

Për nevojën e ndryshimit të Kushtetutës nga ana e Kosovës, pati folur më 15 tetor, në një konferencë për media në Beograd, përfaqësuesi special për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Ai kishte thënë se në një proces serioz negociator, “është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta”.

Në këtë kuadër ai ka shtuar se Kosova do të zbatojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër në Bruksel, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pasi kjo deklaratë pati nxitur reagime në Prishtinë, zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano, i pati thënë Radios Evropa e Lirë se deklarata e Lajçakut u keqinterpretua pasi ndryshimet kushtetuese vlejnë edhe për Beogradin.

“Kur arrin një marrëveshje ndërkombëtare, atëherë duhet të konsiderohen rregullimet e nevojshme ligjore nga qeveria, duke përfshirë edhe nivelin kushtetues, në mënyrë që ta integrojë atë në rendin ligjor dhe kushtetues, dhe vlen për Kosovën dhe për Serbinë”, pati deklaruar Stano.

Ndërkohë, më 23 nëntor, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani i ka thënë shefit të zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Szunyog se BE-ja duhet të kërkojë ndryshime të Kushtetutës nga Serbia, dhe jo nga Kosova.

Ajo ka shtuar se për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel, nevojitet bashkërendim dhe unifikim i qëndrimeve të tërë spektrit politik në Kosovë.

“Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në interes të qytetarëve të Kosovës dhe e tillë që e respekton Kushtetutën e vendit tonë, integritetin territorial dhe parimin e unitaritetit të shtetit. Askush nuk ka mandat që ta rinegociojë Kushtetutën tonë e cila tashmë në vetvete përfshin shumë koncesione”, ka thënë Osmani, sipas një komunikate të lëshuar nga Zyra e presidentit.

Problemi me Marrëveshjen e Asociacionit

Ndryshe, Marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, u arrit më 2013 në kuadër të Marrëveshjes së parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Asociacioni thuhej se duhet të krijohet me status dhe të themelohet në të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës, si për shembull do të ketë kryetar, zëvendëskryetar, Asambleje dhe Këshill.

Asociacioni parasheh qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore. Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Më 2015, Kosova dhe Serbia arritën në Bruksel Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e këtij Asociacioni, që Prishtina zyrtare nuk e ka zbatuar ende, pavarësisht insistimit të Beogradit.

Por, në tetor të vitit 2015, presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga e dërgoi për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës Marrëveshjen mbi parimet për krijimin e Asociacionit. Gjykata gjeti se kjo marrëveshje, në 23 pika të saj, nuk ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013), të ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës dhe të shpallur nga presidentja e Republikës së Kosovës (v.j. Atifete Jahjaga), kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Prishtina zyrtare insiston se Asociacioni duhet të themelohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ndërkaq pala serbe kërkon që ai të ketë kompetenca ekzekutive.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së ka nisur më 2011. Ky proces ka nisur si dialog teknik ku janë arritur dhjetëra marrëveshje, ndërkaq së voni ka evoluar në proces politik e që synim ka siç është thënë “normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve” përmes një marrëvesheje ligjërisht të obligueshme.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme