Bëhet thirrje për përparim të dukshëm në ndriçimin e fatit të 1616 personave të zhdukur, të cilët janë ende të zhdukur në Kosovë, duke njohur plotësisht të drejtën e familjeve të personave të zhdukur për të ditur të vërtetën për fatin e të dashurve të tyre.
Ky është mesazhi i përfaqësuesit Special të BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe shefit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX ), Giovanni Pietro Barbano.
Lajçak ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të punojnë më shumë për zbatimin e deklaratës për të zhdukurit.
“Deklarata e Përbashkët për Personat e Zhdukur u dakordua nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti në maj të vitit 2023. Kosova dhe Serbia kanë shumë punë për të bërë për të siguruar zbatimin e plotë të zotimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur dhe për të rritur bashkëpunimin në identifikimin e vendeve të varrimit dhe kryerjen e gërmimeve”, tha Lajcak.
Ai shtoi se Deklarata mëton të mbështesë punën dhe përpjekjet e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për të lehtësuar bashkëpunimin e palëve për personat e zhdukur. Kjo parashikon krijimin e një Komisioni të Përbashkët të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK-ja.
Duke ofruar mbështetjen e tij për familjet që ende presin të mësojnë se çfarë ka ndodhur me të dashurit e tyre, Tomas Szunyog, theksoi rëndësinë e të siguruarit që zëri i familjeve të personave të zhdukur të dëgjohet.
“Për të vënë anëtarët e familjes në ballë të këtij diskutimi dhe për të rritur vetëdijen publike për këtë çështje të ndjeshme, BE-ja ka financuar një projekt të suksesshëm, të zbatuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, së bashku me Kosovo 2.0, që po ashtu rezultoi me një raport që është publikisht i qasshëm, që fokusohet në sfidat e gjetjes së personave të zhdukur. Përveç kësaj, BE-ja ka ofruar edhe një sërë kursesh trajnimi që synojnë ngritjen e kapaciteteve të stafit të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, institucion kyç për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur, si dhe ka siguruar edhe pajisjet e nevojshme për operacionet e tij”, tha Szunyog.
Kurse, Barbano, vuri në dukje se ekspertët e Misionit EULEX vazhdojnë të punojnë së bashku me palët homologe kosovarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të ndriçuar fatin e personave të zhdukur, duke ofruar ekspertizë dhe këshilla në identifikimin e varrezave të pashenjuara dhe zhvarrosjen e identifikimin e personave të zhdukur.
“Që nga fillimi i mandatit të EULEX-it deri më sot, EULEX-i ka kryer 746 operacione terreni për gjetjen e personave të zhdukur, duke përfshirë 200 zhvarrime. Eshtrat e 492 individëve janë identifikuar, duke ku përfshihen 339 persona të zhdukur. Mbetemi të përkushtuar për të vazhduar këtë punë dhe për t’u dhënë përgjigje familjarëve të personave të zhdukur”, tha Barbano.
Gazetari Vullnet Krasniqi, e pranon në Big Brother VIP Kosov...
Të shtëna në Bulqizë, atentat ndaj një personi që po dilte n...
Arsenali po synon shkëmbimin e lojtarëve me Milanin për ta m...
Zelensky: Ushtarët e Koresë së Veriut po dërgohen në betejë ...
Gjendet pa shenja jete një 27 vjeçare në Zhur të Prizrenit
Vëllai i Madh me ofertë për Laurentin dhe Fitimin, njërin do...