Bashkimi Evropian insiston që përgjegjësit për sulmin ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi në veri të vendit, të vihen para drejtësisë dhe të gjitha faktet të verifikohen.
Këtë e ka thënë në një konferencë për shtyp zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme dhe siguri, Peter Stano.
I pyetur se çfarë roli mund të luajë EULEX-i për të mundësuar komunikimin mes autoriteteve policore në Kosovë dhe atyre në Serbi, pasi ato nuk kanë bashkëpunim direkt, zëdhënësi i BE-së ka thënë se EULEX-i është në terren dhe po bashkëpunon shumë mirë me autoritetet e Kosovës.
“EULEX-i është në terren si reaguesi i dytë. Është i angazhuar me kërkesë të Policisë së Kosovës. Bashkëpunimi deri më tash ndërmjet Policisë së Kosovës dhe EULEX-it është shumë i mirë. Komandanti i EULEX-it është në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dhe informon për të gjitha hollësitë në terren”, ka thënë Stano.
Ai ka përsëritur se hetimet ende po vazhdojnë, porse nuk ka dilemë se përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë.
“Hetimet po vazhdojnë dhe ato nuk janë kryer akoma. Ato janë krejtësisht në duart e Policisë së Kosovës, dhe me kërkesë, ata asistohen nga EULEX-i dhe KFOR-i. Duhet të vërtetohet se kush i bëri këto sulme terroriste, kush i organizoi, kush qëndron prapa tyre dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë. Sa i përket përgjegjësisë, mosndëshkueshmërisë, qëndrimi i BE-së është i qartë. Të gjithë përgjegjësit duhet të dalin para drejtësisë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, ka thënë ai.
Në pyetjen se cili do të jetë roli i BE-së për të siguruar që ata që janë në Serbi e që kanë marrë pjesë në sulme, të mos i ikin drejtësisë, Stano ka thënë se, “kontaktet tona me partnerët shkojnë përmes kanaleve përkatëse e jo mediave”.
Zëdhënësi i BE-së ka thënë se janë duke i vazhduar aktivitetet e ngjashme diplomatike lidhur me situatën në Kosovë. Ai ka përmendur takimin e së hënës të të dërguarit të posaçëm, Mirosllav Lajçak, me zyrtarët e lartë nga SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia.
“Edhe përfaqësuesi i lartë, Josep Borrell, po ashtu ka qenë në kontakt, edhe me liderët në Kosovë dhe Serbi, por edhe me vendet anëtare. Vendet anëtare janë duke e analizuar situatën. Do të ketë takim sot pasdite edhe në Bruksel nga përfaqësuesit e vendeve anëtare ku do të diskutohet për hapat e nevojshëm”, ka thënë Stano.
Më 24 shtator, në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup personash të maskuar dhe të armatosur derisa po shkonte për ta hetuar bllokimin e një rruge nga dy kamionë pa targa në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë, u vra polici i Kosovës Afrim Bunjaku, ndërsa disa policë të tjerë u plagosën. Gjatë shkëmbimit të zjarrit, policia i vrau tre sulmues të nacionalitetit serb, ndërsa i arrestoi tetë të tjerë./rel
Shqipëri/ Shpërblim për policët, pritet të përfitojnë 8000 e...
Barcelona në rrugë të mirë për ta transferuar Jonathan Tah v...
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës