BE-ja do t’i japë 78 milionë euro për ndërrimin e filtrave të KEK-ut

07:31 | 11 Qershor 2019
Arbresh.info

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka thënë se me ndryshimin e filtrave të Termocentralit “Kosova B” të Korporatës Energjetike të Kosovës dhe me zgjerimin e ngrohjes qendrore, ka shpresë për zvogëlim të ndotje së ajrit.

Matoshi ka thënë se është duke u punuar me Qeverinë japoneze për të identifikuar në mënyrë shkencore ndotësit e ajrit në Kosovë.

“Disa nga ndotësit kryesor tashmë i kemi identifikuar. Termocentralet kanë një ndikim, Veturat e vjetra padyshim kanë ndikim. Faktori i tretë i ndotjes së ajrit është përdorimi thëngjillit”, tha ai në emisionin “Përballje”, në RTV Dukagjini.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se BE-ja do të japë donacion 78 milion euro për ndërrimin e filtrave të Termocentralit “Kosova B”, pasi, sipas tij, këto filtra nuk janë ndryshuar që nga ndërtimi.

Matoshi thotë se edhe përdorimi i thëngjillit mbetet një problem i madh për ambientin në Kosovë.

Ai është shprehur i kënaqur që Ministria e Arsimit ka qenë ndër të parat që ka larguar thëngjillin si lëndë për ngrohjen e shkollave.

“Thëngjillin nuk mund t’ua ndalojmë qytetarëve për përdorim në familje, por Qeveria ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të tij në institucione shtetërore. Vendimi është marrë në nëntor dhe ka qenë e pamundshme ndërrimi i menjëhershëm i kaldajave për institucionet. Por këtë vit institucionet kanë kohë për të ndërruar ato, ndryshe do të dënohet çdo institucion që përdorë thëngjillin për ngrohje”.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se në dispozicion janë edhe 20 milion euro për zgjerimin e rrjetit të kogjenerimit të ngrohjes qendrore.

“Avulli i KEK-ut nuk shfrytëzohet as në masën 40% ta kapacitetit. Me zgjerimin e rrjetit të ngrohjes, qytetarëve do t’u bëhet i panevojshëm përdorimi i thëngjillit”, tha ndër të tjera Fatmir Matoshi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme