BE-ja deklarohet për një skemë afatesh në dialogun Kosovë-Serbi

08:15 | 4 Tetor 2020
L G

“Koha e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian përcaktohet nga aktorët kryesorë, Kosova dhe Serbia, dhe BE-ja si lehtësuese”.

Kështu është përgjigjur për arbresh.info, Peter Stano,  zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë të Bashkimit Evropian.

Pa dashur të theksojë nëse do të ketë një përcaktim të afatit për përfundimin e  këtij dialogu, Stano, ka theksuar se cila është rruga e dialogut e drejtuar nga BE.

“Ekziston vetëm një dialog i cili drejtohet nga Bashkimi Evropian. Rruga drejt Bashkimit Evropian për Kosovën dhe Serbinë çon përmes dialogut të lehtësuar nga BE”.

Zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë i Bashkimi Evropianë, ka komentuar edhe rolin e SHBA-ve në këtë drejtim.

Sipas tij të dy palët BE e SHBA,  ndajnë të njëjtin mendim rreth dialogut, raporton arbresh.info.

“Për BE-në, SHBA-të janë një partner i rëndësishëm. Ne ndajmë të njëjtat synime në rajon dhe mbështetja e SHBA-së që ushqehet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja është e mirëseardhur”.

E kur bëhet fjalë për përfshirjen e palëve të tjera në këtë dialog, Peter Stano ka një përgjigjje.

“Kur bëhet fjalë për përfshirjen e palëve të treta në përpjekjet për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë të bien dakord mbi normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve të tyre, ne mirëpresim të gjitha iniciativat në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE”.

E ndonëse janë dy vende të fuqishme të përfshira në këtë proces, duket se enigmë mbetet  koha kur pritet që Kosova dhe Serbia të mbyllin këtë kapitull me një marrëveshje përfundimtare./V.Selimi/arbresh.info/

Të ngjashme