Google ADS

BE e shqetësuar me sjelljet e Serbisë ndaj Kosovës

19:30 | 7 Prill 2017
Arbresh.info

Komisioni Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ende nuk kanë dhënë vlerësimin përfundimtar për zgjedhjet presidenciale në Serbi, pasi që ende nuk ka as raport përfundimtar të OSBE-së, u tha në takimin e grupit të punës për zgjerimin e BE, të mbajtur në fillim të javës në Bruksel.

KE ka konstatuar se dita zgjedhore në Serbi ka kaluar kryesisht pa probleme serioze, ndonëse me disa parregullësi. “Por fushata parazgjedhore ka qenë shumë problematike, sepse Vuçiqi ka dominuar totalisht mediat”, thuhet në këtë dokument, të cilin e posedon edhe DË.

Protestat në Beograd dhe rreth 20 qytete të tjera në Serbi nuk janë trajtuar në këtë takim, sepse ato ende nuk kanë qenë temë e mediave ndërkombëtarë në kohën e mbajtjes së tij.

Vendet e BE shpresojnë se Vuçiqi do të vazhdojë rrugën proevropiane dhe do të bëjë reformat e duhura. Me 27 prill në Beograd do të mbahet takimi i katërt i Këshillit për Stabilizim dhe Asociim BE-Serbi. Në formulimin përfundimtar po punohet ende, por shumë vende të BE janë të shqetësuara për shkak të përhapjes gjithnjë e më të madhe të imazhit negativ të BE në Serbi. “Pala evropiane do të paralajmërojë Serbinë për pasojat nga pasqyrimi negativ i BE-së në këtë vend, sepse BE është partneri më i rëndësishëm ekonomik dhe politik i Serbisë”, thuhet në protokolin e takimit. Autoritetet serbe e kanë për detyrë të promovojnë vlerat evropiane.

Në takimin e Beogradit do të konfirmohet përcaktimi i BE-së për mbështetjen e Ballkanit Perëndimor, por në dokument nuk përmendet askund ‘”zgjerimi i BE”.

Kontestuese mbetet politika e jashtme e Serbisë

Në dokument theksohet rëndësia e përparimit në sektorin e sundimit të shtetit juridik, si dhe liria e mediave. Nënvizohen si të domosdoshme edhe proceset kundër personave që kanë kryer krime dhe kërkohet bashkëpunimi pa rezerva me Tribunalin e Hagës. Në dokument nuk thuhet qartë, por autoritetet evropiane janë të pakënaqura me Serbinë, për shkak se refuzon ekstradimin e tre radikalëve të akuzuar në Hagë për krime. Ndërsa, si çështja e të gjithë çështjeve përmendet “normalizimi i raporteve me Kosovën”.

Shikuar nga debatet e brendshme, në këtë grup nuk ka pasur një qëndrim unik për politikën e sigurisë dhe të jashtme. Serbia nuk po i mbështetë sanksionet kundër Rusisë. Polonia dhe Lituania kërkojnë që Serbia t’i respektojë këto sanskione dhe ta harmonizojë politikën e jashtme me atë të BE-së.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme