Institucionet e Kosovës e kanë pranuar pjesën e parë të ndihmës prej 5 milionë euro të cilën e ka ndarë Bashkimi Evropian për të luftuar pandeminë e COVID-19.
“Kjo ndihmë, përfshin mbi 1.4 milionë doreza të ndryshme mbrojtëse mjekësore, 4 mijë mburoja për fytyrën, 3 mijë syze mbrojtëse, 4 mijë litra dezinfektues duarsh, 10 mijë palë shtroje njëpërdorimshe, dhe 50 kuti për transportimin e mostrave laboratorike”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Shëndetësisë.
Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostollova, e cila e bëri dorëzimin e ndihmës, tha se përkundër situatës së vështirë me të cilën po përballen vendet anëtare të BE-së, ato kanë vendosur të ndihmojnë Kosovën në përballimin e kësaj situate.
“Ky është momenti kur mund të ofrojmë mbështetje konkrete të Bashkimit Evropian për njerëzit në nevojë dhe profesionistët e shëndetësisë, ata që janë në vijën e parë të kësaj pandemie – në luftë për të shpëtuar jetët e njerëzve”, tha Apostolova.
Pjesa tjetër e ndihmës do të dorëzohet gjatë javëve të ardhshme.
Përveç kësaj ndihme direkte për sektorin e shëndetësisë, BE-ja po përgatit edhe rreth 63 milionë euro si masa afatmesme për ndihmë për grante socio-ekonomike, si dhe rreth 100 milionë euro kredi si ndihmë makro-ekonomike për Kosovën.
Më 29 prill Komisioni Evropian ka prezantuar paketën e ndihmës për Ballkanin Perëndimor.
Kjo paket, që përfshinë asistencën financiare të BE-së dhe Kreditë e Bankës Evropiane të Investimeve, mbërrin shifrën prej 3,3 miliardë euro.
Sipas njoftimit të Komisionit Evropian kjo paketë ka për qëllim adresimin e menjëhershëm të nevojave shëndetësore dhe humanitare të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit si dhe për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
83 mijë metra katror banesa për të pastrehët në Tiranë
Qytetarët në Shkup sërish protestojnë kundër ndotjes së ajri...
Më shumë investime në shëndetësi, Balluku: Rritje të pagave ...
Kurti vendos gurthemelin e ndërtesës së re të Komunës së Sht...
22 raste “escorta” në Kosovë gjatë këtij viti, shtetaseve të...
Erion Veliaj mohon se u arratis nga Shqipëria: Po shkoj në S...