Kosova ka vite që shënon rritje ekonomike. Por, shkalla e rritjes ende mbetet e pamjaftueshme për të zbutur papunësinë dhe rimëkëmbur ekonominë.
Perspektiva e rritjes ekonomike në Kosovë parashihet të jetë pozitive, me rritje mesatare prej 4.2 për qind. Krahasuar me vendet e rajonit, të cilat sipas Bankës Botërore po përjetojnë ngadalësim, Kosova ka rritje më të lartë.
Bazuar në raportin e fundit të titulluar “Rregullat Ekonomike për Ballkanin Perëndimor”, ku përfshihet edhe Republika e Kosovës, thuhet se niveli i rritjes ekonomike gjatë këtij viti është 4 për qind.
Parashikimet e Bankës Botërore për rritjen ekonomike për vitin 2020-2021, janë 4.2 respektivisht 4.1 për qind. Por, raporti konstaton “se ekzistojnë rreziqe të padëshirueshme që lidhen me dinamikën e politikës së brendshme dhe rajonale, vonesa të mundshme në planet e investimeve për shkak të zgjedhjeve, kostos më të lartë sesa është parashikuar të Ligjit të ri për pagat në sektorin publik, dhe stabilitetit të çmimeve ndërkombëtare të metaleve”.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar më herët ka parashikuar se rritja ekonomike për vitet 2020 deri në vitin 2024, do të jetë më shumë se 4 për qind.
Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se, pavarësisht rritjes ekonomike, kjo normë nuk adreson problemet, me të cilat përballet Kosova.
Drejtori i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se norma e rritjes ekonomike nuk do të arrijë në 4.5 për qind.
“Këto vlerësime janë të bazuara kryesisht në projektet që janë të ndikuara nga investimet publike dhe në të njëjtën kohë ndërlidhen edhe me rritjen e konsumit që lidhen me remitencat apo nga faktorë të tjerë të caktuar, siç është rritja e pagave që mund të ketë ndikim afat-shkurtër, por jo ndikim afat gjatë”, thotë Rukiqi për Radion Evropa e Lirë.
Pasiviteti në tregun e punës në rajon ka pësuar rritje gjatë vitit 2019, thuhet në raport, kurse në Kosovë dhe në Bosnje e Hercegovinë, sipas raportit, numri i njerëzve që kanë lënë punën është më i lartë se i atyre që kanë gjetur punë.
Shkalla e papunësisë në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare është 25.3 për qind.
Edhe eksperti tjetër për çështje ekonomike, Ismail Kastrati, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se norma e parashikuar e rritjes ekonomike nuk është e mjaftueshme për zvogëlimin e shkallës së papunësisë në Kosovë.
“Për t’u ulur shkalla e papunësisë, rritja ekonomike duhet të jetë mbi 7 për qind. Ndërsa 21 për qind e investimeve duhet të jenë të ndara nga Bruto Produkti Vendor”, thekson Kastrati.
Ndërkaq, Berat Rukiqi konsideron se parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare për rritje ekonomike nuk arrijnë të ulin shkallën e papunësisë në vend.
“Kosova, edhe pse ka një ulje të papunësisë edhe te të rinjtë, megjithatë mbetet një ndër vendet me normat më të larta në rajon. Kështu që, me këtë nivel të rritjes ekonomike dhe duke pasur parasysh numrin e madh të të rinjve që dalin në treg të punës për çdo vit është e pamundshme që të adresohet me këtë rritje zgjidhja e këtij problemi që është problem kryesor ekonomik në vend, faktikisht”, vlerëson Rukiqi.
Raporti i Bankës Botërore, gjithashtu, bën thirrje për një përmirësim të shpejtë të shpenzimeve publike dhe konkurrueshmërisë së ekonomive. Aty kërkohet edhe forcimi i kontrollit të shpenzimeve publike për paga, reduktimi i shpenzimeve tatimore dhe përmirësimi i programeve të përkrahjes sociale.
Ndryshe nga parashikimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, subjektet politike që garuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, kanë premtuar rritje të normës vjetore ekonomike në Republikën e Kosovës, nga 6 deri 9 për qind, për katër vjetët e ardhshëm/REL.
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...
Vitia nënshkruan listën finale që i hap udhë jetësimit të Li...
Pritjet deri në 40 minuta për të hyrë në Kosovë
Ambasada amerikane nderon Hovenierin për marrëdhëniet ShBA-K...
Hoxha pret ambasadoren greke: Shtim të sporteleve në pikat k...
Presidenja e Gjeorgjisë kërkon që data e zgjedhjeve të cakto...