BB: Bien investimet e huaja në Kosovë

10:06 | 6 Prill 2017
Arbresh.info

Banka Botërore ka prezantuar sot Raportin më të ri ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësues të Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë thanë se raporti thekson se në të gjithë rajonin e po ashtu edhe në Kosovë ka rënie të investimeve të huaja, shkruan arbresh.info.

Sipas raportit, diaspora kosovare vazhdon të mbështes rritjen ekonomike përmes disa kanaleve, përmes investimeve të huaja direkte dhe përmes eksportit të shërbimeve.

“Investimet e huaja direkte kanë rënë pak për shkak se kemi parë një fillim të ngopies së kërkesës së diasporës tanë për të financuar në rezidencë apo në shtëpia apo në banesa. Ata mund të financojnë për një kohë mirëpo askush nuk i blen dy shtëpia”, thanë përfaqësues të Zyrës së BB-së në Kosovë.

Në raport më tutje thuhet se Kosova mbetet ende si shteti që ka pasur rritjen më të madhe ekonomike në rajon dhe vitin e kaluar kjo rritje ka ardhur nga konsumi por edhe nga investimet.

Në vitin 2017 parashikohet 3.9% nga investimet publike dhe konsumi.

“Kosova gjatë vitit 2016 kishte rritje të borxhit publik mirëpo ky borxh në krahasim me vendet e tjera të rajonit mbetet më i vogël”, thuhet në raport.

Sa i përket sektorit banker, raporti thekson se gjatë vitit 2016 ka pasur rritje të kredive për 10.4 për qind e po ashtu rritje të depozitave për 8.4 për qind.

Kreditë e këqija kanë rënë në të gjithë rajonin e po ashtu edhe në Kosovë./Arbresh.info.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme