Bateritë akumuluese, Kurti: Kosova do të ketë kapacitete 10 herë më shumë se Italia

15:21 | 31 Korrik 2022
A. B.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti së bashku me Ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në një konferencë për media kanë folur sa i përket krizës energjetike si dhe baterive akumuluese të energjisë.

Në fjalën e tij, Kurti ka thënë se sa i përket baterive akumuluese, Kosova do të ketë kapacitet 10 herë më shumë se Italia për kokë banori.

“Bateritë janë vendimtare kur ke politika për gjenerimin e energjisë me burime të ripërtritshme, edhe dielli edhe era mund të akumulohen e të përdoren më vonë, Në e dimë se diell natën nuk kemi, nëse do të duhet energjia natën, nuk mund ta akumulosh përmes diellit si burim, por nëse ke baterinë e cila energjinë që e kam hedhur ditën, mund ta përdorim natën, kjo bëhet e mundshme”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se Kosova është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që do të fus në përdorim bateritë akumuluese, ndërsa ka thënë se të njëjtat mund të gjenden në Slloveni, Itali apo më larg se shtetet fqinje të Kosovës.

“Çka na ka bërë të lumtur e të gëzuar me këtë rast është fakti jemi edhe të parët në Ballkanin Perëndimor, të tjerët mund të na marrin neve si shembull. Në Ballkanin Perëndimore nuk ka bateri, duhet të shkosh në Itali e Slloveni, që të mbërrish te bateritë akumuluese, çfarë ne do t’i kemi në grantin me MCC-në. Jo vetëm që duhet të shkosh ne Itali e Slloveni. Nëse shikojmë për kokë banori, Kosova do të ketë kapacitete me bateri akumuluese 10 herë më shumë se Italia, Kosova do t’i ketë 340 megavat orë me 1.85 milionë banorë, ndërkaq Italia i ka 1250 megavat orë kapacitet energjetik me bateri, por i ka 60 milionë banorë”, ka deklaruar kryeministri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme