Google ADS

Bashkëpunimi rajonal dhe zhvillimi ekonomik, kyç për anëtarësim në BE

12:13 | 3 Mars 2017
Arbresh.info

Bashkëpunimi rajonal mes vendeve të Ballkanit Perëndimor është kyç në integrimin e tyre në Bashkimin Evropian. Kështu u tha në konferencën ndër-parlamentare me temën “Politika e rrjeteve trans-evropiane dhe agjenda lidhëse”, që po mbahet në Prishtinë.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Xhavit Haliti ua ka përcjell të gjitha vendeve të Ballkanit, anëtareve të Parlamentit Evropian, mesazhin se stabiliteti në Kosovë nuk është vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm për sigurinë dhe lëvizjen e lirë në rajon dhe më gjerë.

Ai ka theksuar se zhvillimi ekonomik është kyç për një vend, i cili aspiron integrimin në BE, derisa lidhja e popujve, e shteteve në mes vete, lëvizja e lirë e qytetarëve, mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe fuqisë punëtore është dosmosdoshmëri e kohës..

Haliti: Zhvillimi ekonomik kyç për secilin vend që aspiron BE-në

“Pa dyshim se, zhvillimi i infrastrukturës rrugore, energjetike dhe i telekomunikimeve është faktor kyç në zhvillimin ekonomik të një vendi, i cili aspiron anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Është një element thelbësor në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, shkencor, kulturor, në lëvizjen e lirë të qytetarëve etj. Ky bashkëpunim, i cili çdo ditë e më shumë po zgjerohet dhe thellohet, mbetët prioritet kyç edhe për Kosovën”, tha Haliti.

Nënkryetari Haliti me tutje shtoi se tashmë Kosova ka bërë disa hapa konkretë në ndërtimin e rrugëve që e lidhin me vendet e rajonit, siç është ajo me Shqipërinë, kurse janë në proces edhe ajo me Maqedoninë, Serbinë dhe me Malin e Zi.

Haliti: Kosova ka objektiv ndërtimin e rrugëve moderne që lidhen me korridoret trans-evropiane

“Me qëllim të krijimit të kushteve për një transport të sigurtë dhe respektimin e kritereve ndërkombëtare për ruajtjen e mjedisit jetësor, autoritetet e Kosovës kanë për objektivë të sigurojnë një zhvillim të qëndrueshëm të infrastrukturës së transportit në tërësi, ndërtimin e rrugëve moderne që lidhen me korridoret trans-evropiane, ndërtimin e infrastrukturës bashkëkohore të transportit hekurudhor dhe të infrastrukturës për komunikime elektronike”, theksoi ai.

Duke folur për temën Procesi i Berlinit, agjenda lidhëse, Rrjetet Trans-Evropiane, Jozo Rados, eurodeputet dhe anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme ka përmendur problemet që kanë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke thënë se pavarësisht kësaj të gjitha këto vende janë të unifikuara duke pasur një qëllimi të përbashkët, integrimin në Bashkimin Evropian.

Sipas tij, në dy vitet e fundit të gjitha këto vende, pos Maqedonisë, kanë bërë progres në këtë drejtim, por çështjet të pazgjidhura themelore që kanë të bëjnë me marrëdhëniet ndërshtetërore ende nuk janë zgjidhur.

Rados: Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë probleme të njëjta

“Kemi një situatë të komplikuar në pothuaj të gjitha këto vende. Në Bosnjë kemi ndarje, kemi kërcënimin permanent nga ana e Republikës Serbe që po deklaron se dëshiron të shkëputet nga Bosnja, pastaj kemi situatën në Maqedoni ku kemi bojkotimin e parlamentit nga ana e opozitës, pastaj kemi edhe çështjen e Malit të Zi ka çështje të pazgjidhura në mes të Malit të Zi dhe Kosovës. Pra ka probleme në Mal të Zi, Maqedoni, Serbi, pastaj kemi pasur edhe grusht shtetin në malin e Zi, pra është një situatë shumë e ndjeshme dhe mendoj që çdo iniciativë apo projekt që ka të bëjë me agjendën konektuese ka një rëndësi të madhe për vendet e rajonit. Njëra nga aktivitetet për bashkëpunim në këtë vend është Këshilli për Bashkëpunim Rajonal i Evropës Juglindore”, tha Rados.

Sipas eurodeputetit Rados nuk mund të zgjidhen problemet vetëm në njërin shtet, pa pasur ndikim në situatën në shtetin tjetër.

Rados: Të gjitha këto vende janë të ndërlidhura me njëra tjetrën

“Shembull, Bosnja dhe Hercegovina nuk e ka njohur Kosovën për shkak të politikës që mbanë Serbia ndaj Kosovës. Pra të gjitha këto vende janë të ndërlidhura me njëra tjetrën, prandaj bashkëpunimi më i gjerë veçanërisht në fushën e drejtësisë është shumë i nevojshëm”, u shpreh ai.

Ndërsa, Gazmend Turdiu, zëvendës sekretar Gjeneral i Këshillit për Bashkëpunim Rajonal ka thënë se Këshilli i ka rëndësi të madhe në implementimin e strategjisë 2020, e cila ka për qëllim që ta fuqizoj bashkëpunimin rajonal në fusha të ndryshme në mënyrë që të ketë gjithëpërfshirje të të gjitha parlamenteve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Turdiu: Këshilli ka një rëndësi shumë të madhe për implementimin e strategjisë 2020

“Këshilli për Bashkëpunim Rajonal ka një rëndësi shumë të madhe për implementimin e strategjisë 2020 në këtë rajon që është një strategji që është miratuar nga qeveritë e vendeve të rajonit dhe ka por synim zhvillimin ekonomik të rajonit. Strategjia 2020 nuk është një strategji e thjeshtë për shkak se trageti i kësaj strategjie është promovimi i integrimit në BE të rajonit. Pra është një kornizë e konvergjencës për bashkëpunim evropian dhe mundohet që bashkëpunimin rajonal ta fuqizoj në fusha të ndryshme me qëllim që të ketë një gjithëpërfshirje të gjitha parlamenteve të vendeve të rajonit”, theksoi Turdiu.

Sipas Turdiut, strategjia ka 11 targete përmes së cilave matin të arriturat në rajon. Ai tha se rajoni është duke përparuar në të bërit biznes, porse ka bërë shumë pak progres në zbutjen e papunësisë.

Në këtë konferencë po marrin pjesë deputetë nga Parlamenti Evropian, Parlamenti i Kroacisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, derisa nga Serbia nuk kanë marr pjesë. Konferenca në fund do të dal me vërejtjet përmbyllëse.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme