Bashkëluftëtari i Adem Jasharit rrëfen rënien e familjes Jashari: Kemi qarë, nuk mund t’i ndihmonim (VIDEO)

16:41 | 6 Mars 2018
M. A.

Kompleksi Memorial “Adem Jashari”, prej njëzet vjetësh është shndërruar në vendin më të vizituar në Kosovë.

Në 20 vjetorin e rënies heroike të familjes Jashari, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” ka pritur më shumë se 12 milionë vizitorë, shkruan arbresh.info.

Nga të gjitha vendet, shqiptarët me emocion të veçantë vizitojnë këtë vend që është simbol i çlirimit të Kosovës.

Bashkëluftëtari i Adem Jasharit, i cili është nga Prekazi, viziton çdo vit kompleksin. Ai me emocion kujton kohën e betejës e cila ua mori jetën familjes Jashari në krye Komandantin Legjendar, Adem Jashari.

“Jam bashkëluftëtar i Adem Jasharit, kam qenë këtu gjatë tërë luftës. Atë ditë që është rrethuar kanë qenë shumë forca në fshatin Tërrnoc.  E kemi lajmëruar, por Adem Jashari ka thënë se nuk do të dal nga këtu”, thotë ai.

Për të bërë homazhe në Prekaz kanë ardhur edhe një grup shqiptarët nga Çamëria. Ata thanë se duan një Shqipëri etnike.

“Amaneti i atyre dëshmorëve që sot kanë rënë është që Shqipëria jo siç pretendon Evropa por një Shqipëri që ka ekzistuar me shekuj natyrale të banuar me shqiptar në trojet e veta”.

Në dytën e dytë të homazheve, përpos qytetarëve të shumtë, Prekazin e vizituan edhe politikanë e figura të njohura publike.

E ata që i dhanë hijeshi vendit ishin fëmijë të shumtë të cilët kishin ardhur në mënyrë të organizuar për të vizituar kompleksin “Adem Jashari”.

Këtë vit kompleksit memorial iu është shtuar edhe një mozaik i Komandantit Legjendar Adem Jashari i punuar me 200 mijë gëzhoja fishekësh, ideator i të cilit është 27-vjeçari nga fshati Nekovc i komunës së Drenasit, Besart Gashi.

Në këtë 20-vjetor të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të ketë manifestime gjithë popullore edhe në ditën e tretë me 7 mars ku do të  mbahet manifestimi “Nata e Zjarreve”./Arbresh.info.

 

 

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme