Google ADS

Basha: Jemi unanim, djegie mandatesh, zgjedhje të parakohshme

16:26 | 18 Shkurt 2019
Arbresh.info

Pas më shumë se dy orë diskutimesh grupi parlamentar i demokratëve ra dakord unanimisht për djegien e mandateve të deputetëve.

Por vendimi përfundimtar do të merret nga Këshilli Kombëtar, të cilit, me autorizim të grupit, do t’i drejtohet kryetari Basha.

Vete ai bëri të ditura arsyet e këtij vendimi ekstrem, i pari në historinë e pluralizmit shqiptar.

 “Duke patur parasysh gjendjen e emergjencës kombëtare ku ndodhet vendi, për shkak të kapjes së kësaj qeverie në flagrancë duke vjedhur votat e qytetarëve shqiptarë, siç dëshmojnë edhe dosjet gjyqësore të publikuara nga mediat ndërkombëtare, për shkak të kapjes së kësaj qeverie në afera flagrante korruptive dhe kriminale, eliminimit të parlamentit si një forum i demokracisë, eliminimit të Gjykatës Kushtetuese, kapjes totale të sistemit të drejtësisë, duke mbështetur plotësisht zgjidhjen politike të afruar nga opozita e bashkuar të një qeverie tranzitore, të gatshme për të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm që do të garantojnë integrimin e vendit, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të parakohshme parlamentare, vendosi unanimisht djegien e mandateve parlamentare të PD në Kuvendin e dalë me votat e krimit dhe mafias në zgjedhjet e manipuluara të 25 qershorit 2017.”

Në të njëjtën linjë me kreun e demokratëve ka qënë edhe ish-kryeministri Berisha, i cili jo pak herë ka artikuluar idenë e djegies së mandateve të deputetëve.

“Prova e këtij vendimi është, nëse ne me aksionin qytetar politik do t’ kthejmë shqiptarëve votën e lirë, ne kemi marrë një vendim historik të drejtë. Po nuk arritëm që shqiptarët të votojnë të lirë, mbetemi fasadë. Nëse shkohet në këtë vendim, që nuk e kundërshtoj, përkundrazi, koha ka ardhur që të përballemi me këtë regjim me qëllimin e vetëm që shqiptarët të jenë të lirë”.

Për ky vendim ka hasur edhe në skepticizmin e disa prej deputetëve, të cilët gjatë mbledhjes i thanë Bashës se për të rrëzuar kryeministrin Rama nevojitet një strategji më e qartë.

Në pikëpyetje mbetet qëndrimi i aleatëve të cilët nuk ishin në mbledhjen e grupit. LSI nuk ka ende një vendim edhe pas takimit te kryetares se saj mes Bashën. Të kontaktuar nga Televizioni Klan, Nard Ndoka i demokristianëve dhe Dashamir Shehi i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar   shprehën mbështetjen në parim për vendimin e marrë nga grupi i demokratëve, por thanë se do të dalin me një qëndrim zyrtar vetëm pasi të jenë takuar me kryetarin e Partisë Demokratike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme