Google ADS

Barnatoret bëjnë “kërdi” me çmimet e barnave në Kosovë

11:02 | 14 Shtator 2024
K.B

Ligji i cili ishte paraparë ta bënte unifikimin e çmimit të barnave, edhe pas më shumë se 1 vit që kur ka hyrë në fuqi, nuk po gjen zbatim në Kosovë.

Në mungesë të zbatimit të Ligjit, barnat e njëjta vazhdojnë të shiten me çmime të ndryshme.

Nga mos zbatimi i këtij Ligji po përfitojnë barnatoret në Kosovë, barnatore këto të cilat vazhdojnë tash e sa vite të abuzojnë me xhepin e qytetarëve të Kosovës.

Pse s’po gjen zbatim Ligji për çmimin e barnave?

Nga Ministria e Shëndetësisë për Arbresh.info thonë se Komisioni për Përcaktimin e Çmimeve të Produkteve Medicinale ka përfunduar përcaktimin e çmimeve për barnat e regjistruara në Kosovë.

Sipas ministrisë, kjo listë e re do të hyjë në fuqi vetëm pasi të përfundojnë procedurat e ankimimit.

“Në bazë të dispozitave ligjore të Ligjit Nr. 08/L-220 për Çmimin e Produkteve Medicinale, Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, në zbatim të Vendimit të Komisionit të ankesave për çmimin e produkteve medicinale, në përputhje me Vendimin Nr. 05-5084 ka përcaktuar çmimet e produkteve medicinale të regjistruara nga Bartësit e Autorizim Marketingut, në Agjencinë e Kosovës për
Produkte dhe Pajisje Medicinale. Lista hyn në fuqi pas përfundimit të procedurave të ankimimit, lista e publikuar është liste preliminare dhe si e tillë nuk ka fuqi obligative.

Ministria e Shëndetësisë përmbush interesat e kompanive farmaceutike

Lidhur me këtë temë, anëtari i Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Bekim Haxhiu ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë për dështim të qëllimshëm në zbatimin e Ligjit për Çmimin e Barnave, duke favorizuar interesat e kompanive farmaceutike.

Ai kritikon Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për përdorimin e këtij Ligji për propagandë dhe për mungesën e zbatimit të tij.

“Është dështim i qëllimshëm i MSH për të përmbushur interesat e kompanive farmaceutike. LVV këtë Ligj është munduar ta përdorë për propagandë ndërsa tani po shohim dështim total në zbatim të këtij Ligji. Ka qenë një listë e çmimit te barnave e propozuat e cila rriste çmimin e barnave dhe tash pas një viti nuk ka as listë te çmimit te barnave as zbatim te Ligjit. Dështim total”, thotë Haxhiu.

E në anën tjetër edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka akuzuar Ministrinë e Shëndetësisë dhe Qeverinë për lidhje me interesa financiare të individëve dhe grupeve kriminale nga sektori farmaceutik.

Ai ka theksuar se, megjithëse Ligji u miratua me vonesë, interesat për abuzim me çmimet e barnave janë shfaqur qartazi.

“Ju kujtoj se krejt ketë proces të vendimmarrjes deri te miratimi i Ligjit e ka karakterizuar një zvarritje e jashtëzakonshme. Ndërsa kur u miratua edhe ashtu me vonesë, u shfaqen interesat për abuzim me çmimet e barnave. Anulimi erdhi pas reagimit tonë dhe të shumë akterëve tjerë mbi këto arsye se u pa qartë se MSh dhe Qeveria ishin pjesë e interesave financiare të individëve dhe grupeve kriminale nga sektori farmaceutik”, shprehet ai.

Sipas tij, Ligji për çmimin e barnave është i qartë, por paaftësia dhe keqpërdorimet e kësaj qeverie janë të pariparueshme.

“Tani më kanë kaluar shumë muaj dhe nuk kemi listë të miratuar e kjo përbën shkelje ligjore e vazhdim i abuzimit me koston e lartë që duhet të paguajnë pacientët dhe qytetarët e Kosovës. Ligji është i qartë por paaftësia dhe keqpërdorimet e kësaj qeverie janë të pariparueshme”, përfundon Zemaj.

Kujtojmë se Ligji për çmimin e produkteve medicinale është miratuar më 13.07.2023, në Kuvendin e Kosovës dhe ka hyr në fuqi më 18.08.2023.

Ndryshe, Rregullimi i çmimit të barnave bëhet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Bashkimin Evropian, ku Kosova synon të anëtarësohet. Aktualisht, vetëm Kosova dhe Bjellorusia në kontinentin evropian nuk kanë legjislacion për qëllim të tillë

Në rast të shkeljes së ligjit, gjobat variojnë nga 1 mijë deri në 10 mijë euro dhe inicimi i procedurës për revokimin e licencës së farmacistit apo licencës së farmacisë. Në inspektimin e barnatoreve merret Inspektorati Farmaceutik./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Të ngjashme