Google ADS

Barna ilegale vazhdojnë të shiten në vendin tonë

09:33 | 10 Tetor 2018
Arbresh.info

Në Kosovë vazhdojnë të qarkullojnë ilegalisht barna nga Serbia, të cilat konsiderohet se janë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. Vetëm këtë vit oficerët doganorë kanë hasur në mijëra pako të barnave, që është tentuar të kontrabandohen nga shtete të ndryshme për në Kosovë.

Barna me vlerë mbi 15 mijë euro janë gjetur të kontrabanduara të hënën gjatë kontrolleve doganore në Han të Elezit. Sipas një komunikate të Doganës së Kosovës, gjatë këtij kontrolli ata kanë hasur në mbi pesë mijë pako të barnave.

“Oficerët doganorë gjatë ekzaminimit të një dërgese parciale, e cila kishte destinacion tregun e Kosovës, kanë hasur në këtë sasi të madhe të medikamenteve, respektivisht 5.146 pako të llojeve të ndryshme të barnave, të cilat nuk kanë qenë të deklaruara”, thuhej në komunikatën e Doganës së Kosovës. Megjithatë, ky nuk është rasti i parë kur gjatë këtij viti është tentuar kontrabandimi i barnave.

Zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për “Zërin” se gjatë këtij viti ka pasur edhe raste të tjera kur është tentuar kontrabandimi i barnave në Kosovë. Sipas tij, zakonisht këto barna janë nga Serbia.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme