Bardhyl Mahmuti, Ish-zëdhënësi i UÇK-së për Zvicër dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Thaçit pas luftës , parmes një shkrimi të publikuar ne Facebook, ka zgjedhur ti tregoj Presidentit Thaçit se si një profesor i historisë u përjashtua nga arsimi, u arrestua, dhe përmes torturave çnjerëzore, vdiq në burg.
Ai thotë se e njëjta rrezikohet të ju ndodh edhe gjashtë shtetasit turq që u depërtuan nga Policia e Kosovës.
Postimi i plotë i Bardhyl Mahmuti:
Mbytja me torturë e Gökhan Açikollut dhe kambanat e alarmit
Nga të gjitha deklaratat e personaliteteve që u bënë lidhur me dorëzimin e gjashtë shtetasve turk në duart e një regjimi terrorist po veçoj shqetësimet që u ngritën për përgjegjësinë e Kosovës në rast se ndonjëri nga të dorëzuarit do të dilte i pafajshëm apo do të vdiste gjatë hetuesisë. Përzgjodha këtë segment sepse shqetësimi i tillë është plotësisht me vend edhe pse kjo nuk e shfajëson shtetin e Kosovës për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë në këtë shkelje të rëndë të konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Sa për ta ilustruar këtë çështje po marr si shembull vetëm një nga mijëra raste që mediat ndërkombëtare kanë raportuar për torturat që janë ngritur në sistem gjatë procesit të hetuesisë në Turqi.
Gökhan Açikollu, 42 vjeçar, profesor i historisë në Shkollën për Orientimin Profesional «Ümraniye» të Stambollit, u përjashtua nga arsimi dhe disa ditë më vonë, më 15 korrik të vitit 2015 arrestua. Pas torturave çnjerëzore përmes të cilave për 13 ditë rresht hetuesia e Erdoganit përpiqej ta detyronte të pranonte se gjoja ishte pjesëtarë i organizatës terroriste të Fatullah Gülenit, ai vdiq në burg.
Gökhan Açikollu, para mbytjes me torturë, në mesin e nxënësve të vet
Kufoma e Gökhan Açikollut iu kthye familjes me ndalesën që të varrosej në varrezat e qytetit dhe sugjerimin që të kërkonin vend në «varrezat e tradhtarëve». Edhe hoxhallarëve iu ndalua që të merrnin pjesë në varrim dhe varrimi u bë pa ceremoni fetare.
Një vit e gjysmë më vonë, në nëntor të vitit 2016, duke mos qenë në dijeni të ngjarjes, gjykata solli vendimin për pafajësinë e Gökhan Açıkollut dhe përmes këtij vendimi kërkohej nga shkolla që e kishte përjashtuar që ta kthente në kuadrin e vet pedagogjik. As familjarët e as nxënësit e shkollës «Ümraniye» të Stambollit nuk patën mundësi ta shihnin të gjallë Gökhan Açıkollut.
Historia e këtij arsimtari të historisë jehon fuqishëm në të gjitha institucionet e drejtësisë së shteteve demokratike në botë sa herë që këto institucione duhet të sjellin vendime për kërkesat turke që të ekstradohen personat e kërkuar nga pushteti i Erdoganit. Përgjigja e vetme demokratike për këto raste është refuzim kategorik i kërkesave të pushtetit të Erdoganit.
Vetëm në Kosovë ndodhi e kundërta. Pa u shqyrtuar nga institucionet e drejtësisë dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës u rrëmbyen gjashtë pedagogë të Kolegjit «Mehmet Akif» dhe iu dorëzuan aparatit hetues të llojit të inkuizicionit.
Është e tmerrshme! Nuk mund të rri dhe të mos mendoj rreth torturave që janë duke u aplikuar edhe në këto çaste kur jam duke i shkruar këto rreshta. A do t’u shpëtojnë torturave njerëzit që tinëzisht iu dorëzuan xhelatit? A do t’u kthehen familjarëve të tyre dhe nxënësve të traumatizuar nga ky akt i poshtër që i vishet Kosovës? Këto dhe shumë pyetje tjera mbesin pezull. Ajo që është e sigurte ka të bëjë me faktin se sido që të jetë fati i gjashtë pedagogëve të Kolegjit «Mehmet Akif» , Kosova mban përgjegjësi për çdo gjë të keqe që mund t’u ndodhin atyre. Vendi i pedagogëve është në mesin e nxënësve e jo në burgjet mesjetare të «Sulltan Erdoganit». Vetëm ndriçimi i plotë i rrethanave në të cilat u krye ky krim kundër gjashtë pedagogëve dhe sjellja para përgjegjësisë personale të atyre që janë të implikuar në këtë rrëmbim do të mund të zbuste fajësinë kolektive që na e vesh ky akt i shëmtuar./ arbresh.info/
Tensione në protestën e opozitës, shoqërohen në polici katër...
Protestuesit përplasen me policinë te Rruga e Elbasanit në T...
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...