Baraliu: Vendimi i vitit 2014 nuk është në përputhje me tekstin ekzistues të Kushtetutës

18:55 | 7 Korrik 2017
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tashmë është deklaruar sa i përket mandatarit për formimin e Qeverisë, duke theksuar se do të zbatohet vendimi i vitit 2014 i Gjykatës Kushtetuese.

Sipas tij, ky vendim shpreh qartë se fituesi i zgjedhjeve, në këtë rast koalicioni PAN, është mandatari për formimin e Qeverisë.

Megjithatë, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu vlerëson se ai vendim ka shkuar më larg apo ka mospërputhje me tekstin ekzistues të Kushtetutës së Kosovës.

Gjatë një prononcimi për Indeksonline, Baraliu thotë se në këtë mënyrë, ky vendim mund të interpretohet në mënyra të ndryshme.

“Ai vendim në fakt ka shkuar më gjatë dhe më larg se sa shkronjat e Kushtetutës. Ky vendim në një mënyrë të veçantë e interpreton Kushtetutën e Kosovës dhe sigurisht aludimi i presidentit për thirrje të seancës konstituive të Kuvendit duhet të jetë në atë drejtim. Por ka disa gjëra pak më ndryshe të interpretuara se sa është në tekstin e Kushtetutës. Druaj se kjo mospërputhje në një mënyrë apo tjetrën, në mes mospërputhjes së shkronjave të vendimit, gjegjësisht pikave të vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 dhe teksti ekzistues të Kushtetutës mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Prandaj do të duhej që në vigjilencë edhe presidenca ta interpretojë drejt dhe ta zbatojë atë drejt”, ka thënë Baraliu.

Sipas tij, në rast se ka paqartësi, gjatë afatit 30 ditësh për konstituim të Kuvendit , presidenti do të duhej së pari të kërkonte shpjegime nga Gjykata Kushtetuese për tri çështje, si: Konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e presidentit dhe mandatimi i Qeverisë.

“Në rast se ka paqartësi, gjatë afatit 30 ditësh për konstituim të Kuvendit nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, atëherë do të duhej të kërkonte shpjegime nga Gjykata Kushtetuese se çka në fakt ka dashur të thotë në lidhje me konstituimin e Kuvendit, zgjedhjen e presidentit dhe mandatimin e Qeverisë e pastaj të veprohet”, ka shtuar ai.

Ndryshe, konstituimi i Kuvendit duhet të ndodh brenda 30 dite nga certifikimi i rezultateve zgjedhore nga KQZ-ja.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme