‘Banorët që kanë probleme me zhvendosjen e detyrueshme për shkak të KEK’ut po kërkojnë trajtim të dinjitetshëm’

07:11 | 19 Gusht 2017
Arbresh.info

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, thotë se banorët e Shipitullës, që po kanë probleme me zhvendosjen e detyrueshme për shkak të nevojave të KEK’ut, nuk po kërkojnë asgjë më shumë se sa një trajtim të dinjitetshëm.

Problemi me shpronësimet në Hade e Shipitullë ai ka thënë se ka nisur që nga viti 2004 kur kanë filluar zhvendosjet e para. Është mëkat se si ende nuk ka përfunduar ky proces, tha ai.

Ka thënë se projekti i mirë në letër për ndërtimin e lagjes Hadja e re mbeti i parealizuar.

“Një ndër kërkesat e tyre është, që meqë toka po ju merret pa dëshirën e tyre, të ketë së paku punësim për ta. Ne kemi takime të vazhdueshme për banorët e asaj zone dhe ata kërkojnë që së paku në atë lagje të ketë kushte elementare për jetë, dhe natyrisht nga një vend pune për familje. Unë besoj se ata do të largohen kur të plotësohen kërkesat e tyre”, ka thënë Gashi.

“Ata jetojnë në një zonë ku është e pasur me thëngjill, dhe për këtë ata nuk janë fajtorë. Prandaj është e drejtë e tyre që të kenë një trajtim të dinjitetshëm nga Qeveria”, ka thënë më tej ai.

Gashi ka thënë se të hënën pritet të ketë një takim në mes të qytetarëve në njërën anë dhe institucioneve në anën tjetër.

“Shpresoj që të gjendet një zgjidhje”, ka thënë Gashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme