Banorët fillojnë rregullimin e urave me vetiniciativë, komuna s`ka plane

23:46 | 14 Korrik 2024
R J

Pesë ura që shpijnë në bjeshkët e Dobroshit, Junikut dhe ato të Vokshit janë në gjendje të rëndë. Banorët kanë kërkuar nga komunat përkatëse që t’i rregullojnë ato, pasi po sjellin shumë vështirësi atyre dhe turistëve të shumtë që frekuentojnë këtë zonë. Por asnjëra prej tyre nuk ka reaguar.

Gjendjen është e rëndë në pesë ura të cilat shpijnë në bjeshkët e Dobroshit, Junikut dhe ato të Vokshit. Qarkullimi i banorëve dhe blegtorëve të këtij lokaliteti çdo ditë e më shumë po bëhet më i vështirë.

Meqenëse kërkesat e tyre, tash e një kohë të gjatë, po hasin në vesh të shurdhër nga komunat Gjakovë, Deçan dhe Junik, ata sot janë vetorganizuar për të riparuar njërën prej këtyre urave.

“Kemi marrë iniciativë janë 5 ura të prishura për bjeshkën tonë, bjeshka e Junikut dhe e Vokshit, dalin edhe Hereqi këtu, do me thënë dalin 6 – 7 fshatra që qarkullojnë me dhenë me lopë, vetëm turistë sot mbi 60 – 70 kanë qenë prej Prishtine. Në komunën e Junikut kemi bërë kërkesë për to por nuk kemi gjet gjuhë të përbashkët. ..me komunën e Deçanit edhe të njëjtën jo kemi me i bë për do bjeshkë tjera”, tha Qaush Qaushi, banorë i kësaj ane.

“Ka qenë shumë e nevojshme sidomos mos me u frikësua fëmijët kur t’i shohin urat e dëmtuara. Për këtë arsye e kemi marr këtë iniciativë me krejt bashkëfshatarët, në emër të Dobdroshit”, tha banori tjetër Muharrem Pajaziti.

Kurse Fadil Hamza,shtoi se këto ura kanë rëndësi shumë të madhe, përveç bagëtisë edhe për turizëm. “Vetëm sot këtu mbi 100 veta shkuan përpjetë janë ardhë deri këtu me autobusë. Për çdo vikend këtu ka sa të duash vijnë edhe prej diasporës tash shumë dmth turizëm të madh ka edhe për blegtori këtu zakonisht kur ka vërshime të mëdha kah me zbrit bagëtinë është problem me i shti nëpër ujë mos me qenë urat është problem duhet me i rregullua”, shtoi ai.

Në anën tjetër, zyrtarë të komunave në Deçan dhe Junik, të kontaktuar përmes telefonit, thanë se janë duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për të riparuar 4 urat e tjera./rtk

Të ngjashme