Të dhënat e siguruara nga statistikat shtetërore të Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës flasin se numri i vdekjeve në këto vende të rajonit ka një tendencë rritjeje.
Duke u bazuar në statistikat e siguruara nga Anadolu Agency (AA) për vitin që lam pas, një qytetar i Shqipërisë jeton më gjatë në krahasim me dy vendet tjera, ndërsa qytetari i Kosovës ka jetë më të shkurtër.
Maqedoni: Në vitin 2016 gjinia femërore jetoi 4.4 vite më shumë se gjinia mashkullore
Sipas të dhënave të vitit të kaluar nga Enti Shtetëror i Statistikave, në Maqedoni ka gjithsej 2.072.490 banorë, prej të cilëve 16.6 për qind bëjnë pjesë në popullsinë e re (0-14 vjeç), ndërsa 13.1 për qind (65 vjeç ose më shumë) në popullsinë e vjetër.
Statistikat tregojnë se në vitin që lam pas numri i vdekjeve ishte 20.421, prej të cilëve numri më i madh që përbën 29.3 për qind është regjistruar në rajonin e Shkupit, ndërsa numri më i vogël që përbën 8.1 për qind në rajonin lindor të vendit.
Duke marrë parasysh moshën mesatare të vdekjeve, një person në Maqedoni jeton 72.5 vjet. Gratë jetojnë 4.4 vite më shumë se burrat, edhe atë 74.7 vjet kundrejt një mashkulli i cili jeton 70.3 vjet.
Mosha më e lartë e vdekjeve gjatë vitit 2016 është shënuar në rajonin e Pellagonisë, ku mesatarisht një person jeton 74.4 vjet, ndërsa në rajonin e Pollogut, Shkupit dhe atë verilindor, mosha mesatare e vdekjeve është 71.1 vjet.
Shkaqet më të zakonshme të vdekjes në Maqedoni janë sëmundjet e sistemit të qarkullimit të gjakut, që përbëjnë 53.5 për qind, pastaj neoplazmat me 19 për qind si dhe sëmundjet endokrine, ushqyese dhe metabolike me 5.5 për qind etj.
Nga ana tjetër, gjithsej janë regjistruar 23.002 lindje, edhe atë 58.8 për qind në zonat urbane dhe 41.2 për qind në zonat rurale. Sipas rajonave, pjesa më e madhe nga numri i përgjithshëm i lindjeve është Shkupi me 36.8 për qind, ndërsa në rajonin lindor të vendit është regjistruar numri më i vogël i lindjeve me 6.7 për qind.
Shqipëri: Të moshuarit nga vit në vit një tendencë në rritje
Në janar 2017, popullsia banuese e Shqipërisë përllogaritet 2.876.591 banorë. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), mosha mesatare e vdekjeve në Shqipëri përvitin 2016 është 73.7 vjeç, ndërkohë që ka luhatje të dukshme në secilin qark.
Qarku i Kukësit ka një shmangie të dukshme nga mosha mesatare gjithsej, duke u klasifikuar kështu në qarkun me moshën mesatare më të ulët të vdekjeve 70.7 vjeç. E kundërta ndodh me qarkun e Gjirokastrës, ku mosha mesatare e vdekjeve është më e lartë se ajo gjithsej, përkatësisht 76.7 vjeç.
Gjatë vitit 2016 numri i vdekjeve është 21.400, ndërsa numri i lindjeve është afërsisht 31.700. Në Shqipëri burrat jetojnë mesatarisht 3 vite më pak se gratë.
Mosha mesatare e popullsisë për vitin 2016 është 37 vite.
Sipas INSTAT, të moshuarit në Shqipëri paraqesin nga viti në vit një tendencë në rritje, ndërsa grupmosha 0-14 vjeç paraqet tendencë në rënie, dukë zënë vetëm 18 për qind nga numri i përgjithshëm i popullsisë.
Grupmosha 60-79 vjeç më 1 janar të 2001 përbënte rreth 10 për qind të popullsisë gjithsej, ndërsa më janar të 2017 kjo grupmoshë zë rreth 17 për qind. E njëjta dukuri vërehet për grupmoshën 80 vjeç e lartë, e cila zinte vetëm 1.3 për qind të popullsisë gjithsej në 2001 ndërsa në 2017 zë 2.4 për qind.
Në 2017, Tirana zë rreth 30 për qind të popullsisë gjithsej, duke vazhduar të jetë një nga qarqet më të populluara të vendit, e ndjekur nga Fieri (11 për qind), Durrësi (10 për qind) dhe Elbasani (10 për qind). Vetëm 3 qarqe pësuan rritje të popullsisë gjatë viteve 2001-2017, përkatësisht Tirana, Durrësi dhe Vlora.
Kosovë: Numri i lindjeve më shumë se dyfishi i numrit të vdekjeve
Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave (ASK) numri i popullsisl së Kosovës është 1.783.531. Siç thuhet në raportin e ASK-së, gjithsejt numri i vdekjeve në Kosovë për vitin 2016 ishte 9.246, ndërsa ai i lindjeve 23.494. Këto të dhëna tregojnë se në krahasim me Shqipërinë dhe Maqedoninë, numri i lindjeve është më shumë se dyfishi i numrit të vdekjeve.
Mosha mesatare e vdekjeve të raportuara në vitin 2016 është 69.3 vjet. Duke u bazuar në të dhënat e vitit 2016, një grua në Kosovë jeton 70.9 vjet, ndërsa një mashkull jeton 68.1 vjet.
Kryeqyteti kosovar, Prishtina, zë vendin e parë me 2.696 raste të vdekjeve (29.2 për qind), vendin e dytë Prizreni me 908 raste (9.8 për qind), pastaj Peja me 573 raste të vdekjeve (6.2 për qind), ndërsa në komunat veriore si Graçanica, Zveçani dhe Leposaviqi është regjistruar numri më i vogël i rasteve të vdekjes.
Në vitin 2016 në Kosovë ka pasur gjithsej 188 raste të vdekjes së dhunshme, 128 prej tyre raste të vdekjes në fatkeqësi, 41 raste të vetëvrasjes dhe 19 raste të vrasjes. 46.3 për qind e rasteve të vdekjes kanë ndodhur në institucione shëndetësore, 52.5 për qind kanë ndodhur në shtëpi dhe 1.2 për qind në një vend tjetër.
Sipas vlerësimeve të ASK-së në Kosovë ka rritje të numrit të vdekjeve për 3 vitet e fundit, pasi që numri i vdekjeve në vitin 2014 ishte 7.634, në vitin 2015 arriti në 8.202, ndërsa vitin e kaluar 8.495.
Parashikimi i motit për sot
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...