Banorët e Mitrovicës së Veriut kërkojnë ndihmë nga shteti pas vërshimeve

23:08 | 12 Shkurt 2023
E.H

Ka tri javë që shumë zona në Kosovë u prekën si pasojë e vërshimeve.

Por shumë nga banorë si ata të Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicës së Veriut, vazhdojnë të ballafaqohen me pasojat e pas këtyre vërshimeve.

Ata kërkojnë nga organet gjegjësve që t`u dalin në ndihmë sa më shpejt për ta tejkaluar këtë krizë.

Ndërkohë që ndihmën e vetme e kishin marrë nga Mitrovica e Jugut.

Familja Avdiu, në Lagjen e Boshnjakëve, në Mitrovicën e Veriut, është njëra nga familjet e cila ende po i vuan pasojat nga vërshimet, raporton rtk.

Kjo familje thotë se pas situatës së vërshimeve kishte gjetur strehim të përkohshëm, dhe se u detyrua të kthehen sërish në shtëpinë e tyre, kushtet e së cilës nuk janë aspak të banueshme.

“Na është bërë dëmi, me frigorifer, shporet dhe me krejt orenditë janë dëmtuar. Dëmi rreth 5 mijë euro është bë, vetëm fëmijët na kanë shpëtuar”, tha Myrvete Avdiu, banore e Lagjes së Boshnjakëve në Mitrovicë të Veriut.

Të njëjtën gjendje të rëndë kanë edhe familje të tjera, për çka thonë se, përveç vizitave, nga pushteti lokal dhe ai qendror, nuk kanë marrë asnjë ndihmë.

“Unë për momentin janë duke banuar në Jug në një shtëpi, por fal Zotit, ajo familje ku jemi duke qëndruar, qira nuk më ka lyp. Mirëpo për me u kthy në shtëpi për momentin nuk ka shans, krejt janë të dëmtuara, krejt janë të shkatërruara. Asnjë nuk na ka shpëtuar, përveç teshat çka i kemi marrë dhe kemi dal”, tha Mihrie Peci, banore e “Lagjes së Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut.

“Tre vëllezër jetojmë në një oborr, i kemi shtëpitë e ndara, fatin e kemi të njëjtë që kështu tri shtëpitë i ka shkatërruar. 11 anëtarë jemi që jemi jashtë shtëpisë. Çdo që gjë është e nevojshme për jetë normale çdo gjë ka shkatërruar”, deklaroi Avni Peci, banor i Lagjes së Boshnjakëve, në Mitrovicë të Veriut.

Ndërkaq, kryesues i Kuvendit Komunal, në Mitrovicë së Veriut, Nexhat Uglanin, njoftoi se gjendja e banorëve në këtë lagje është alarmante, përderisa kërkon nga Qeveria të ndërmarrë hapa konkretë për të dalë nga situatë.

Ai tha se aktualisht janë 65 shtëpi të vërshuara e të cilat nuk janë në situatë të mirë për jetë normale.

“Gjendja është alarmante dhe në vizitë në cdo familje që kemi bë, gjendja është alarmante dhe po bëjmë apel ministrive përkatëse edhe Qeverisë sa ma shpejt me ndihmua dhe me na dhënë përkrahjen sepse ne njëherë për një herë nuk kemi përkrahje prej qeverisjes adekuate e cila është e obliguar ndaj qytetarëve të komuniteteve që janë në gjendje shumë kritike dhe janë kthyer nëpër shtëpitë që janë kushtet adekuate për një jetë normale”, tha Nexhat Uglanjin, kryesues i Kuvendit të Komunal në Mitrovicë të Veriut.

Ai tha se deri më tani në përveç Mitrovicës së Jugut, që u ka dalë në ndihmë këtyre banorëve me pako ushqimore dhe pako higjienike, përkrahje nga Qeveria nuk kanë pas.

“Ndonjë përkrahje prej Qeverisë drejpërdrejt nuk pkemi pas, kemi pas do vizita nga kuvendarët të cilët janë në kuadër të Parlamentit, por ndonjë sinjal ende nuk kemi pas që Qeveria me i dal në përkrahje”, shtoi, mes tjerash Uglanjini.

Nga vërshimet e 19 janarit, përveç Mitrovicës, dëmet konsiderohen shumë të mëdha edhe në komunat si Skenderaj, Klinë e Istog.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme