Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla, ka njoftuar se është nisur hetim ndaj pretendimeve se kishte keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Shtetit ndaj kosovarëve që më 4 shkurt në Kukës u ndaluan dhe në veturë iu gjetën 46 kilogramë tritol.
Balla përmes një postimi në Facebook, ka deklaruar se nuk qëndrojnë pretendimet tjera se të dyshuarit nga Kosova janë mbajtur me orë të tepërta nga policia.
Postimi i plotë;
Jam i keqardhur për publikimet në mediat e Kosovës lidhur me operacionin e Policisë së Shtetit, ku u kap një sasi prej 46 kg tritol. Operacioni është plotësisht i dokumentuar dhe informoj me këtë rast opinionin publik në Kosovë se, citoj:
“Në datë 4 shkurt 2024, në orën 22.38, Salla Operative e Tiranës i ka dërguar informacion Sallës Operative Kukës se një mjet me targa të Kosovës, nëse konstatohej duhej ndaluar për shkak të një hetimi në ndjekje e sipër. Në ora 00:30, në Pikën e Kontrollit të vendosur në “Rrugën e Kombit”, Policia e Kukësit ka identifikuar mjetin tip “BMW”, ku pasagjer në vendin e parë ndodhej shtetasi kosovar L.P., i shpallur në kërkim për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Pas mjetit të parë tip “BMW” me targa të Kosovës, objekt kontrolli, ishte edhe një automjet i dytë tip “Skoda”, i cili nga intervistimi i pasagjerëve, rezultoi se udhëtonin së bashku. Automjetet së bashku me personat u shoqëruan në ambientet e DVP Kukës për verifikime të mëtejshme duke zbatuar procedurat standarde të shoqërimit. Punonjësit e Policisë u kanë bërë me dije arsyet e verifikimit dhe shoqërimit, në bazë të kërkesës nga DVP Tiranë. Theksojmë se drejtuesi i mjetit ka pranuar dhe nuk ka kundërshtuar për asnjë moment punonjësit e policisë.
Shërbimet e DVP Tiranë kanë udhëtuar drejt DVP Kukës menjëherë sa kanë marrë njoftim, dhe kanë marrë shtetasit e shoqëruar dy automjetet e lartpërmendura, duke kryer veprimet administrative sipas procedurës standarde të Policisë Shtetit”.
Për sa i takon pretendimeve të ndonjë prej artistëve të trupës së përfshirë në objektin e operacionit, për keqtrajtim nga ana e Policisë së Shtetit, informoj se AMP ka nisur hetimin lidhur me këtë. Por pretendimi për orët e tepërta mbajtjes në polici të tyre nuk qëndron, përkundrazi Policia e Shtetit ka vepruar shumë më shpejt se sa afati standard i verifikimeve, pikërisht sepse ka pasur parasysh statusin e aktorëve të ndodhur në vendngjarje. Të cilët sidoqoftë nuk mund të liheshin të lirë pa u bërë të gjitha verifikimet. Së fundmi keqardhja mbetet dhe bëhet edhe më e madhe, kur në vend të mirëkuptimit për faktin se ky operacion rezultoi në kapjen e 203 kallëp tritoli, nxitet keqkuptimi dhe mllefi kundër uniformave blu të Republikës së Shqipërisë. Faleminderit/Arbresh.info
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...
Policia e Shtetit: Do të garantojmë protestën e PD-së në Tir...