Balaj- Halimaj dhe Grubi diskutojnë për zhvillimet aktuale si dhe situatën pandemike në dy vendet

17:20 | 25 Nëntor 2020
A. B.

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Albulena Balaj- Halimaj ka pritur sot në takim Zëvendëskryeministrin e Parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet aktuale si dhe situatën pandemike në dy vendet tona.

Pas takimit, Zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj dhe Zëvendëskryeministri Grubi, kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media, në të cilën theksuan se biseda e tyre ishte e fokusuar në funksion të përgatitjes së mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Më tej, Zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj tha se bashkë me z.Grubi kanë marrë përsipër organizimin e kësaj mbledhje në të cilën do të nënshkruhen disa marrëveshje në fusha të ndryshme në interes të qytetarëve dhe biznesit.

“Angazhimi ynë do të jetë arritja e një marrëveshje për një pikë të përbashkët kufitare si dhe një studim të fizibilitetit për rrugën Prizren-Tetovë. Po ashtu do të ketë marrëveshje tjera në fushën e arsimit, kulturës, rinisë dhe sportit”, tha Zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj.

Po ashtu, Zëvendëskryeministrja Balaj-Halimaj e falënderoi Zëvendëskryeministrin Grubi për gatishmërinë dhe vullnetin e tij në funksion të përgatitjes dhe organizimit sa më të mirë të kësaj mbledhje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme