Në prill të vitit të kaluar, Ministria e Drejtësisë së Kosovës dhe ajo e Danimarkës kanë nënshkruar një marrëveshje për transferimin e mbi 300 të burgosurve danezë në Kosovë.
Nga kjo marrëveshje, Kosova pritet të fitojë 210 milionë euro, ndërsa transferimi i të burgosurve danezë në Kosovë, është paraparë të bëhet brenda tre muajve të parë të këtij viti, raporton “Arbresh.info”.
Gjithsesi, tashmë kemi hyrë në muajin e tretë dhe të burgosurit danez ende nuk janë transferuar në Kosovë.
Numri prej 300 të burgosurve danez janë paraparë të vendosen në burgun e Gjilanit, burg ky i ndërtuar në vitin 2015.
Në kuadër të kësaj marrëveshje, ka qenë edhe marrëveshja e partneritetit kornizë, e cila ka të bëjë me energjinë e ripërtërishme, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin e demokracisë, në të cilën është e përfshirë edhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), e cila duhet të konfirmojë dhe të nënshkruajë këtë marrëveshje mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe të Danimarkës.
Në lidhje me vonesën e zbatimit të kësaj marrëveshje në praktikë dhe mungesën e ratifikimit të tij, këshilltarja politike në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlie Bala, ka thënë se kjo ministri po e pret konfirmimin dhe nënshkrimin e BERZh-it, si parakusht për ta dërguar traktatin në Qeveri për miratim, e më pas në Kuvend për ratifikim.
“Ne në takimin e fundit me ministrin danez, kemi kërku nga ta që të jenë të vëmendshëm dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me BERZh-in sepse nga ky konfirmim dhe kjo marrëveshje e BERZh-it si palë e tretë në këtë kornizë, varet edhe procesi i projektligjit për traktatin me Danimarkën, proces i cili fillimisht duhet të shkojë në Qeveri për miratim dhe më pas në Kuvend për ratifikim. Prandaj sa i përket Kosovës, ne i kemi kry të gjitha obligimet sa i përket respektimit dhe nënshkrimit të këtyre dy dokumenteve, ndërsa jemi në pritje nga BERZh-i për konfirmim dhe nënshkrim të partneritetit kornizë”, tha Bala në një intervistë për arbresh.info.
Sipas Balës, kjo marrëveshje apo ky traktat, s’mund të procedohet në Kuvend pa e dhënë “dritën e gjelbër” BERZh-i.
“Ne nuk mund të procedojmë për miratim në Qeveri e as për ratifikim në Parlament sepse është pikërisht ky dokumenti i cili është tepër i rëndësishëm dhe jemi në pritje të BERZh-it në mënyrë që të procedojmë sipas afateve kohore, dhe sa më shpejtë që ata e konfirmojnë dhe e nënshkruajnë si palë e tretë, ne menjëherë do të fillojmë procedurat”, ka deklaruar Bala.
Në marrëveshjen e nënshkruar prej dy palëve, gjithashtu është kërkuar nga Kosova që si ‘nikoqire’ e të burgosurve danezë, t’i bëjë disa investime në burgun e Gjilanit, në mënyrë që t’i krijojë kushtet e përshtatshme për ata të burgosur, ashtu siç e kërkojnë standardet e Danimarkës, të theksuara mirë në marrëveshje.
Bala për arbresh.info ka thënë se këto investime nuk mund të realizohen, pa u ratifikuar traktati në Kuvend, por tha se gjitha përgatitjet teknike për krijimin e kushteve të kërkuara, janë përmbushur.
Tutje ajo tha se dikasteri në të cilin ajo punon është i gatshëm që t’i fillojë procedurat, posa të vie miratimi i BERZh-it.
“Kur flasim për investimet, ekipet teknike të dy shteteve, gjegjësisht të dy institucioneve të Shërbimit Korrektues i kanë kryer të gjitha përgatitjet në aspektin e krijimit të kushteve në burgun e Gjilanit sipas standardeve daneze në aspektin e sigurisë dhe trajnimit. Prandaj nëse flasim për përgatitjet teknike, ne kemi përfundu me këto procedura, mirëpo nuk mund të fillojnë investimet sepse mjetet priten me ardhë pikërisht pas ratifikimit të Traktatit në Parlament. Si shtet dhe si Ministri e Drejtësisë bashkë me Shërbimin Korrektues, ne jemi të gatshëm kurdo me fillu të gjitha procedurat ashtu siç kanë qenë të planifikuara nga të dy ekipet teknike, por që jemi në pritje të konfirmimit dhe nënshkrimit nga ana e BERZh-it”, tha Bala.
E pyetur për afatin kohor në të cilin do të realizohet ky projekt, ajo theksoi se e gjitha kjo nuk varet nga institucionet e Kosovës.
Ajo ka ripërsëritur se i gjithë ky proces dhe koha në të cilën do të realizohet varet nga nënshkrimi i BERZh-it.
“Koha nuk varet nga ne por nga BERZh-i dhe sa më shpejtë që ata e konfirmojnë dhe e nënshkruajnë këtë marrëveshje, aq më shpejtë ne do të fillojmë procedurat, qoftë për ratifikimin e saj, qoftë për procedurat për fillimin e zbatimit të gjithë asaj përgatitje nga dy ekipet teknike të cilat kanë punu në këtë dokument se si parashihet organizimi, investimi, ndërtimi dhe ndryshimi i burgut të Gjilanit sipas standardeve të Danimarkës”, ka theksuar Bala për arbresh.info.
Marrëveshja me Mbretërinë e Danimarkës për transferimin e të burgosurve danezë në burgun e Gjilanit, vlen në një afat pesë vjeçar, me mundësi vazhdimi për pesë vjet shtesë.
Vlefshmëria e saj llogaritet që nga momenti i fillimit të zbatimit, e jo që nga ai i nënshkrimit.
Me t’u ratifikuar marrëveshja në Kuvend, 300 të burgosur nga Danimarka do të transferohen në Kosovë.
Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore, të cilët kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.
Edhe pse Kosova është treguar më e ngadaltë dhe po pret nënshkrimet e palës së tretë, Danimarka është treguar më e shpejtë, duke e ratifikuar këtë marrëveshje në Parlamentin e tyre qysh në nëntor të vitit të kaluar.
Por, nga ka ardhur ky interesim i Danimarkës për t’i shpërndarë të burgosurit e tyre?
Autoritetet në Danimarkë kanë thënë se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur për gati 20% nga viti 2015, e në të njëjtën kohë, edhe numri i gardianëve të burgut ka rënë për 18%./ Arbresh.info /Emir Abduramani/
Kryeministri Kurti viziton Kombëtaren e Kosovës, shpreh mbës...
Kooperativa “Krusha”: Që nga viti 2015 nuk kemi marrë asnjë ...
E përlotur, Jonida Vokshi rrëfen humbjen e babait: Pati sëmu...
Moti në Kosovë për pesë ditët e ardhshme
Peci: Nuk mundeni me më ndal as me ujë, as me plumba – veç p...
Haradinaj: Edhe sa shifra qindmijëshe e milionëshe duhet të ...