Bajrami: Nga Gjakova e Prizreni nuk kemi pranuar kërkesa për zona ekonomike

13:50 | 23 Mars 2017
Arbresh.info

Rënien e investimeve të huaja, vitin e kaluar, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami, e ka arsyetuar me situatën politike. Ajo ka thënë të enjten se asnjë nga investitorët seriozë nuk do të investojë kapitalin në atë vend ku nuk ka stabilitet politik.

Bajrami gjatë diskutimit në forumin Fol Hapur, organizuar nga “FOL”, ka treguar edhe arsyen pse nuk po e zbaton vendimin e vitit 2014, që e ka nxjerrë Qeveria “Thaçi 2”,  për krijimin e zonave të lira ekonomike në Prizren dhe Gjakovë.

Ajo ka thënë se ai vendim është marrë në kohë fushate dhe si i tillë nuk mund të zbatohet pa u plotësuar kriteret për zona ekonomike nga komunat në fjalë.

“Ne të themi të drejtën përkundër të gjitha reformave që i kemi bërë qoftë në aspektin fiskal, në harmonizim të legjislacionit, këtë e kanë thënë edhe komuniteti i bizneset, por edhe raportet ndërkombëtare ambienti i biznesit ka pasur përmirësim. Ne të gjithë duhet ta kemi të qartë dhe ketë e kemi thënë publikisht në disa raste që stabiliteti politik është faktorëve sa i përket tërheqjes së investimeve të huaja. Në momentin që një investitor dëshiron me investua diku ai dëshiron që ai vend të jetë stabil në aspektin politik”, tha Bajrami.

Sa iu përket zonave ekonomike, ministrja Bajrami ka thënë se Mitrovica e ka licencën për zonën ekonomike para mandatit, derisa Gjakova nuk e ka licencuar asnjëherë, sepse, sipas saj,  kërkesën për licencim të zonave ekonomike e bëjnë komunat dhe jo ministria. Ajo ka bërë të ditur se komunat fillimisht duhet t’i plotësojnë 7 kritere, që nga kriteret kryesore sipas saj është edhe prona.

“Nga Gjakova dhe Prizreni asnjë herë nuk kemi pranuar dosje të kompletuar për licencim të zonës ekonomike edhe kjo është punë që ata duhet ta bëjnë. Në  Prizren ata kanë planifikuar që një pronë, e cila është në emër të ish-Armatës Popullore Jugosllave që ta bëjnë zonë ekonomike. Këtu pronësia nuk ka qenë e qartë, ajo nuk ka qenë as nën administrimin e AKP-së. Tash me vendimin e fundit të kryeministrit Mustafa që të gjitha pronat në Kosovë të barten në pronësi të shtetit të Kosovës, besoj që edhe çështja e asaj pronësie do të zgjidhet dhe ne do të jemi në gjendje që në momentin kur të ndërrojë titullari i pronës nga ish-APJ në shtet, kadastër, atëherë ne kemi mundësi ta plotësojmë dosjen. Sa i përket Prizrenit edhe Gjakovës nuk janë plotësuar kushtet nga ana e Komunës për t’i licencuar. Për këtë nuk e di se në vendim nuk shkruan as kush është i obligueshëm me implementim. Kështu që ka qenë një vendim që është marrë në kohë fushate dhe ka mbetur si i tillë”, tha Bajrami.

Ajo, po ashtu, ka folur edhe për Trepçën për të cilën tha se vlerëson që shumë më mirë është që të ketë edhe investim privat, ndërsa për projektin e Brezovicës janë duke punuar në një skenar të ri.

“Jemi duke punuar si MT, për të pasur skenarin të gatshëm për rifillimin e procesit të privatizimit të Brezovicës. Jemi shumë të hapur për të biseduar edhe me investitorë strategjikë përmes ligjit për investime strategjike. Mendimi im personal është që në Trepça duhet të ketë  kapital privat. Ajo është e pamundshme që të zhvillohet pa ndërhyrjen e kapitalit privat. Tash me ligjin e dini ka dhënë mundësinë që punëtorët të jenë edhe aksionarë të Trepçës. Është bërë një ligj i mirë i cili definitivisht shkon në favor të Trepçës. Strategjia është duke u punuar dhe në gjëra të tjera, mirëpo informata më të detajuara sigurisht që mundesh me i marrë prej MZHE-së,” tha Bajrami.

Bajrami, po ashtu, ka thënë se për herë të parë në institucionet e Kosovës, ekzekutohet një garanci bankare prej gjysmë milion euro nga kompania, e cila tërhiqet nga gara për investime për Brezovicën. Po ashtu, ka njoftuar se në MTI të gjithë zyrtarët që janë në hetime janë të suspenduar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme