Bajrami: Në fondin që i dedikohet luftës kundër Covid-19,  deri tani janë mbledhur 722 mijë e 164 euro

17:37 | 23 Qershor 2020
L G

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami bëri të ditur se Thesari i Kosovës në kuadër të kësaj ministrie ka hapur një llogari zyrtare bankare, në të cilën do të mblidhen fondet e dedikuara luftës kundër pandemisë Covid-19.

“Unë ju njoftoj se thesari  Kosovës në kuadër të Ministrisë së Financave, ka hapur një llogari zyrtare bankare të dedikuar për pranimin dhe evidentimin e fondeve që dedikohen në luftën kundër pandemisë Covid-19, kryesisht në formë të grandeve dhe donacioneve”, tha Bajrami.

Sipas saj nga hapja e kësaj llogarie bankare me 1 prill të këtij viti e deri tash, janë mbledhur gjithsej 722 mijë e 164 euro, raporton arbresh.info .

“Janë gjithsej 722 mijë e 164 euro të mbledhura deri më tani. Prej të cilave 671 mijë e 497 euro kanë ardhur nga jashtë Kosove,  ndërsa nga brenda kanë ardhur 50 mijë e 667 euro. Në bazë të vendit të origjinës së transferit të mjeteve, mjetet na vijnë nga Zvicra, Gjermania, Shqipëria, Suedia, Austria, Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, SHBA, Belgjika dhe Finlanda”, tha Bajrami.

Bajrami tha se  me qëllim të rritjes së transparencës si dhe llogaridhënies sa më të lart ndaj publikut si dhe partnerëve tanë, nën llogaria e hapur është pjesë e sistemit të llogarisë së vetme të thesarit dhe mbahet në Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës dhe është funksionale nga data 1 prill të këtij viti.

Ajo u shpreh se sipas legjislacionit në fuqi për financat publike, vetëm shuma prej 150 mijë eurove është alokuar tek Ministria e Shëndetësisë më herët, meqenëse donatori në bazë të marrëveshjes ka kërkuar që këto fonde  të dedikohen kësaj ministrie.

“Shuma tjetër prej 1511 eurove, i është alukuar Kuvendit Komuna të Skenderajt, pasi që njëjtë sikur në rastin e MSH-së,  edhe këtu donator ka kërkuar që këto mjete të dedikohen në këtë komunë. Sidoqoftë, mjetet tjera janë në llogari. Ne kemi edhe evidencat se prej cilave shtete vijnë këto mjete”, tha ministrja Bajrami.

Ajo theksoi se  këto mjete do të përdoren për menaxhimin e pandemisë dhe do t’u dedikohen MSH-së dhe ministrive të tjera të cilat mbulojnë nevojat e qytetarëve për të menaxhuar pandeminë Covid-19./arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme