Google ADS

Bajrami: I kundërligjshëm publikimi i aktakuzës së pakonfirmuar

19:59 | 25 Qershor 2020
L G

Profesori i Fakultetit Juridik, Arsim Bajrami, konsideron se është i kundërligjshëm publikimi i aktakuzës së pakonfirmuar ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veselit.

Sipas tij, Amandamenti 24 i Kushtetutës, në paragrafin 2 të tij, obligon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të garantojnë të drejtat themelore që përmban Kapitulli II i Kushtetutës, përfshirë veçanërisht garantimin e të drejtës në prezumimin e pafajësisë, derisa nuk provohet e kundërta në pajtim me ligjin.

Postimi i plotë:

I papranueshëm dhe i kundërligjshëm veprimi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, për të publikuar njoftimin për një aktakuzë të pa konfirmuar, ndaj liderëve politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Amandamenti 24 i Kushtetutës, në paragrafin 2 të tij, obligon Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar që të garantojnë të drejtat themelore që përmban Kapitulli II i Kushtetutës, përfshirë veçanërish5t garantimin e të drejtës në prezumimin e pafajësisë, derisa nuk provohet e kundërta në pajtim me ligjin.

Në rastin konkret, Zyra e Prokurorit të Specializuar, jo vetëm se ka cenuar këtë të drejtë kushtetuese, por edhe ka shkelur edhe rregullat e procedurës të miratuara nga vetë ky institucion, me faktin e publikimit të njoftimit për ekzistimin e një aktakuze, deri më tani fiktive, përderisa nuk është konfirmuar bazueshëria e saj nga Dhomat e Specializuara, në periudhën prej gjashtë muajsh nga dorëzimi i saj.

Në rregullat e procedurës, është fare e qartë se një aktakuzë e pakonfirmuar nuk mund të bëhet publike, dhe për më tepër, njoftimi i publikimit për ekzistimin e saj, është bazë e mjaftushme që ndaj këtij prokurori të iniciohet procedurë disiplinore për shkeljen flagrante të Kodit të Etikës, akt ky i miratuar po ashtu nga këto institucione gjyqësore.

Përndryshe, lufta e UÇK-së, është aq e drejtë, saqë lavdia e saj, nuk mund të denigrohet asnjëherë, edhe kur padrejësisht bashkësia ndërkombëtare provon të imponoj një kompromis shqiptaro-serb, për qëllime të të cilit, tani qartësisht po e përfshinë në lojë institucionin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Inkriminimi potencial i Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, në një proces gjyqësor të porositur, është tendencë e hapur për ta rishkruar historinë, e për ta baraspeshuar gjenocidin serb me vuajtjet dhe sakrificat e popullit shqiptar dhe luftën e drejtë të tij për liri dhe pavarësi.

Një komunikatë e tillë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është politike dhe e pa shembullt, dhe si e tillë, duhet denoncuar e kundërshtuar me mjete politike dhe juridike, dhe të kërkohet llogari për pasojat e pariparueshme që është duke i’a shkaktuar Kosovës, në rrafshin ndërkombëtar.

Kredibiliteti i Dhomave të Specializuara, mund të riparohet vetëm kur të hedhin poshtë një akt akuzues si ky i fundit, i motivuar politikisht, e selektiv si dhe për shkak të shkeljes esenciale të rregullave procedurale nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Të ngjashme