Google ADS

Bajqinovci: Koalicioni LDK-PDK në Prishtinë ka marrë fund nga rasti i Badovcit

14:22 | 7 Shkurt 2024
K.B

Dy shkarkime brenda një jave janë bërë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Si fillim, ai të premten e kaluar shkarkoi Drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Shkarkimi i tij sipas Ramës, erdhi pas gjendjes aktuale alarmante në kryeqytet lidhur me menaxhimin e mbeturinave.

Nuk mjaftoi me kaq, për shkak të disa ndryshimeve të rëndësishme në kabinet, të hënën Rama shkarkoi nga pozita e nënkryetares Donjeta Sahatçiun, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës(PDK).

Këto shkarkime kanë nxitur reagime të shumta në të gjitha paratië, edhe nga vetë partia q është në koalicion me LDK-në e Ramës në nivelin komunal.

Megjithatë, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, pohon se të gjitha këto shkarkime, Rama po i bën për shkak të rënies së imazhit të tij për toke.

Bajqinovci gjatë një interviste me shkrim për Arbresh.info thotë se, kryetari i Prishtinës po i bën këto manovrime për ta larguar vëmendjen nga keqmenaxhimi i tij.

“Përparim Rama pasi i ra imazhi për toke për shkak të mos punës, keqmenaxhimit të Prishtinës, duke i dhënë dostave të vet pronën, duke marr vendime të cilat kanë qenë të dëmshme për qytetarin e Kosovës, duke fillu nga mbyllja e rrugëve e deri te kolonat e gjata të automjeteve që po krijohen, qeneve endacakë të cilët e kanë pushtuar Prishtinën, e deri tek mbulimi i rrugëve me mbeturina. Për ta larguar vëmendjen nga kjo punë, Përparim Rama ka bërë këto ekzibicionet e veta duke i larguar drejtorët, që edhe ata janë pothuajse të njëjtë në punën e tyre sikurse Përparim Rama nuk kanë dallim”, thotë deputeti i VV-së.

Sipas Bajqinovcit, e gjithë “suksesi” i Ramës me Komunën e Prishtinës deri tash, është bërlloku deri në fyt, kolonat e gjata dhe mbyllja e rrugëve.

“Por kjo është vetëm për ta larguar vëmendjen prej imazhit të tij të cilin sot për sot e ka të rrënuar totalisht në Prishtinë, sepse ka premtuar shumë, ndërsa krejt çka ka realizuar është bërlloku deri në fyt, kolonat e gjata, mbylljeje të rrugëve. Dhe unë mund të them se as një plan konkret dhe as një punë nuk e ka kryer deri më sot”, shprehet ai, duke shtuar se asnjë të mirë nuk i ka sjell kryeqytetit ardhja e Ramës gjatë këtyre dy vjet e gjysmë.

“Pra asnjë të mirë nuk i ka sjellë kryeqytetit ardhja e Përparim Ramës në këto dy vite e gjysmë. Krejt çka po kqyr me e ba është që ai po tenton me ju hedh hi syve qytetarëve, që kinse këta drejtorë që i largova kanë qenë problemi i kryeqytetit. Jo, problemi i kryeqytetit ka qenë Përparim Rama me drejtorët e tij”, thekson

Bajqinovci.
Bajqinovci: Koalicioni LDK-PDK në Prishtinë ka marrë fund nga rasti i Badovcit

Ndër të tjera, deputeti i VV-së thotë se nuk e beson nëse do të vazhdojë koalicioni PDK-LDK në Prishtinë, duke shtuar që ky koalicion ka marrë fund prej rastit i Badovcit.

“Unë mendoj që ky koalicion i cili quhej Prishtina na bashkoi, ndërsa keqpërdorimet diçka i ka nda në mes vete, nuk e di a do të vazhdojë, por ky i largoi këta që në njëfarë forme ta largojë nga koalicioni PDK-në, por unë mendoj që ky koalicion ka marrë fund, e sidomos prej rastit të Badovcit ku haptazi është pa që është interes personal i kryetarit Rama për ta fituar dostat e tij pronën të cilën e kanë këmbyer me pronën e Badoivcit edhe me këtë pjesën tjetër të Prishtinës”, shton ai.

Tutje deputeti i VV-së pohon se për të fshehur dështimet e veta, Rama ka dështuar në realizimin e premtimeve të veta dhe po i largon drejtorët që nuk punojnë.

“Por unë mendoj që Rama ka dështuar në realizimin e premtimeve të veta dhe tash ky largim i drejtorëve është për të thënë që ja unë krejt ata drejtorë që nuk punojnë i largoj, si dhe fajin për bërllok ka tentuar të ia bart partnerit të koalicionit. Kjo nuk vlen sepse, të gjithë e dimë që fajtor për këtë është Rama bashkë me drejtorët e vetë”, thotë tutje ai.

Bajqinovci flet edhe për kohën kur Rama fliste me fjalët më të mëdha për ish drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu.

Bajqinovci mendon gjithashtu që as drejtorët nuk janë më të mirë, por fajtor kryesor është Përparim Rama.

“A është ky Rama që fliste me fjalë të mëdha për këtë drejtor, tash si doli që këta drejtorë që i ka larguar nuk qenkan të mirë, si u bë që pas dy vjet e gjysmë pune të thuhet se këtë drejtor janë të këqij, edhe unë mendoj që nuk janë të mirë këta, asnjë nuk është që e ka kry punën si nga LDK-ja, si nga PDK-ja, por fajtor kryekëput për dështimin e dy vjet e gjysmë të punës së komunës së Prishtinës është Përparim Rama bashkë me koalicionin”, thotë ai.

I pyetur se a munden të shkoj Kuvendi Komunal në zgjedhje në rast se prishet koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së, ai nuk beson në një gjë të tillë.

Por shton se të gjitha partitë në koalicion duhet të bëhen bashkë dhe të ia ndalin hovin Ramës.

Pasi sipas Bajqinovcit është duke i marr të gjitha pronat e Prishtinës.

“Jo sepse kuvendi komunal shkon në zgjedhje nëse nuk e miraton buxhetin ose nuk mblidhet gjashtë muaj, besoj që me aq sa kam njohuri të enjten do të ketë seancë dhe unë besoj se do të ja ndalin hovin e këtij njeriu duke bërë këmbimin e pronave sikur të ishin këmbimi i pronave të babës vet. Pra ky njeri duhet t’i ndalohet hovi sepse po shihet që dojnë me i qbi të gjitha pronat e Prishtinës”, thotë ai.

Sipas tij, Rama e ka humbur shumicën dhe më nuk do ta menaxhojë kuvendin komunal të Prishtinës.

“Andaj unë mendoj që është mirë që kuvendi komunal sa më shpejt të mblidhet dhe të anulojë ato vendime që dëmtojnë komunën e Prishtinës dhe qytetin. Nuk besoj se do të ketë zgjedhje të asamblesë, por unë besoj që Rama e ka humbur shumicën dhe më nuk do ta menaxhojë kuvendin komunal të Prishtinës. Besoj se të gjitha partitë që janë pjesë e koalicionit do të ja ndalojnë këtij kryetari hovin për kryeqytetin”, shprehet Bajqinovci.

Ndryshe, ish-drejtori i Shërbimeve Publike në Prishtinë, Ilirik Musliu pas shkarkimit kishte deklaruar se nuk është njoftuar zyrtarisht për vendimin për shkarkimin e tij.

“Jam totalisht i habitur dhe i shokuar nga ky vendim, për faktin se me angazhimin, punën e vullnetin e rezultatet e shkëlqyera që kemi pasur si drejtori gjithmonë në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin Rama, e ku këtë më së miri e dëshmon fakti ku 70% e prezantimit të punëve dhe projekteve nga kryetari janë të drejtorisë që është drejtuar nga unë. Kam pritur trajtim njerëzor fillimisht e më pas profesional”, kishte thënë Musliu.

Ndërsa, Donjeta Sahatçiu ka thënë se shkarkimi i saj ndodhi për shkak të zhvillimeve që lidhen me shpronësimet ne Badovc, që PDK veproi ndryshe nga partneri i koalicionit LDK.

“Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau”, kishte shkruar ajo në llogarinë e saj në Facebook.

Afera e Badovcit

Ndërkohë të martën në një intervistë në një nga televizionet vendore, Rama ka sqaruar për herë të parë ‘aferën’ Badovci.

Ai ka tha se toka afër liqenit Badovci ka pasur kushte ndërtimi, por për shkak të presionit publik për mbrojtje të ujit, është ndalë ndërtimi dhe iu është ofruar ndërrimi i tokës, me një vend ku mund të bëhet ndërtimi.

“Faktet thonë po ashtu që një tonë e cila në qeverisjen e kaluar është vlerësuar prej ministrisë faktikisht, 13 hektarë afër liqenit janë vlerësuar 8 milionë, edhe ministria i ka kërkuar komunës prapë në qeverisjen e kaluar për me e shty procesin sepse e ka ndalë. Kjo pronë ka pasur leje ndërtimi dhe ka pasë faktikisht kushte ndërtimi edhe për shkak të presionit publik, ka thënë ndaloni mos ndërtoni aty edhe e ka vlerësua tonë, ka thënë ta ndërrojmë t’ia japim diku tjetër sepse e kanë pronocu si pronë me interes publik për mos me e lënë me u ndërtu rreth liqenit, për me e mbrojë ujin. Kjo ka qenë arsyeja pse e kanë ndalë, edhe i kanë thënë po e ndërrojmë po ta japim diku tjetër. Vendin ku ia ka dhënë tash të ri, prapë ministria, komuna ka propozu me ia dhënë diku 6.6 hektarë për me e ndërru 13 hektarshin, ministria atë e ka vlerësuar si 3 milionë. Ministria e ka vlerësu tokën e komunës si 3 milionë 6.6 hektarë, ministria e ka vlerësua tokën private 13 hektarshe 8 milionë, aty s’ka pasë punë Përparim Rama, apo Kuvendi Komunal”, ka thënë Rama./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme