Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajçinovci, ka komentuar fotografitë e ish-ambasadores së Kosovës në SHBA, Vlora Citaku me ish-shefin e kundërzbulimit për zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, i cili po akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.
Për deputetin e VV-së, kjo nuk është asgjë e rastësishme, pasi sipas tij, një herë ish- ambasadorja Vlora Citaku ishte takuar me ish të dërguarin e posaçëm të presidentit Donald Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell,e më pas edhe me ish-agjentin McGonigal.
Bajçinovci në një intervistë për “Arbresh.info” thotë se mediat dhe Shoqëria Civile në Kosovë duhet ta zbardhin këtë relacion mes Citakut, Grenellit dhe McGonigal.
“Kjo nuk është asgjë e rastësishme, sepse e kemi Vlora Çitakun me Grenellin, pastaj e kemi Vlora Çitakun me McGonigal, pastaj situatën me ndarjen e territorit të Kosovës. Po ashtu e kemi edhe një aktakuzë të dhënies së tenderit për ndarjen e shtetit të Kosovës, ku janë të akuzuar disa zyrtarë të ministrive në qeveritë e kaluara dhe këtu e kemi një ekuacion që duhet ta zgjedhim, sepse krejt kanë të bëjnë me vitet e kaluara ku ishte rasti ku tentohej të ndahej Kosova, ku quhej shpesh ajo pjesë e territorit si dhuratë e Rankoviçit. Andaj unë mendoj se mediat, sidomos shoqëria civile do të duhej që të zbardhen krejt këto relacione të cilat kanë qenë”, thotë Bajçinovci.
Ai, thotë se në Kosovë kjo temë nuk është trajtuar aspak, ndryshe nga ato në Shqipëri.
Sipas tij, duhet të tregohet më shumë për arsyen e takimit të Çitakut me këta zyrtarë amerikan.
“Pra, këtu nuk mund të themi se është diçka e rastësishme, por unë mendoj se në mediat e Shqipërisë i kemi çdo ditë nga një debat për këtë çështje, por në Kosovë nuk po e shohim. Andaj unë kam kërkuar që disa ditë që të bëhen debatet për këtë çështje dhe të shohim që të gjithë këta akterë, se cila është arsyeja e takimeve të tyre të cilët këta zyrtarë shteti i Amerikës i akuzon, rastin McGonigal e kam fjalën”, thotë deputeti i VV-së.
Bajcinovci thotë se duhet të bëhen publike për çka kanë qenë këto takime, me këto raporte, ku nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, sipas tij, po akuzohen dhe ka dyshime të mëdha për korrupsion. Ai thotë se duhet të dihet se pse kanë pasur këto kontakte mes veti.
“Më kujtohet deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se duhet të bëhen ca ndryshime, këto kanë qenë edhe bisedat të ish-kryeministrave z. Thaçi, presidenti, ku deklaronin se duhet të bëhej një ri-rregullim i territoreve, pra një pjesë e vogël nuk do të jetë asgjë. Kemi pasur deklarata të ndryshme si nga Shqipëria, si nga Kosova, ku është diskutuar mundësia e ndarjes së territorit të Kosovës, andaj asgjë nuk është e rastësishme. Unë e thash edhe një herë, i dekoruari i Vuçiçit, McGonigal, ndarja e territorit Vlora Çitaku, duhet ky ekuacion të zgjidhet”, shprehet Bajçinovci.
Sipas tij, në atë kohë edhe kur dyshohet se janë bërë këto fotografi, më së shumti është biseduar për idenë e ndarjes së shtetit të Kosovës.
“Në atë kohë është biseduar më së shumti për idenë e ndarjes së shtetit të Kosovës, andaj mediat duhet të bëjnë presion sa më shumë për akterët, të cilët kanë qenë dhe të dalin në debate televizive dhe ta zbardhin këtë çështje”, pohon Bajçinovci.
Ndryshe, ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Citaku kishte reaguar rreth ku kishte deklaruar se takimi dhe foto në fjalë me ish-agjentin e FBI-së ishin bërë në një takim zyrtar në vitin 2017.
“Me 4 Tetor 2017 jam ftuar zyrtarisht të flas para oficerëve dhe kadetëve të FBI për rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-ve në luftimin e sfidave rajonale dhe globale. Folës kemi qenë unë dhe Henry Kissinger”, kishte sqaruar Çitaku përmes një statusi në Facebook.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA pati thënë se ngjashëm ishte ftuar edhe në State Department, CIA etj.
“Ky ka qenë nderë që i është bërë Kosovës”, ka vijuar tutje Çitaku.
Ndërkohë, ish-shefin e kundërzbulimit për zyrën e FBI-së në Nju Jork, Charles McGonigal, akuzohet se ka marrë 225 mijë dollarë nga një ish-punonjës i shërbimeve sekrete të Shqipërisë dhe ka zhvilluar një sërë takimesh me biznesmenë dhe politikanë në Shqipëri, Kosovë dhe Bosnje, por pa i raportuar ato sipas rregullave.
Sipas aktpadisë, lidhjet e tij kryesore me Shqipërinë janë mbajtur përmes ish- zyrtarit shqiptar të shërbimeve sekrete, që në akt-akuzë identifikohet si Personi A.
Ky person ka paguar edhe për shpenzimet e tij të udhëtimit në Shqipëri./Arbresh.info/ Pleurat Salihu/
Siri, 9 të vrarë në operacionin për arrestimin e një ish zyr...
Rodrygo ka refuzuar mega ofertën e gjigantit evropian
Sipas Romanos, Rashfordi e sheh Barcelonën destinacionit e t...
Krasniqi mbështet Ramën për kritikat ndaj punës së Kuvendit ...
Maqedonci: Me raketat Javelin mbrojmë çdo cep të territorit
Salah “vazhdon traditën” poston foton para pemës...