Bahtiri i bindur, ura e Ibrit hapet së shpejti

08:46 | 10 Qershor 2018
V. S.

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri i tha Ekonomia Online se hapja e Urës së Ibrit është në fazën përfundimtare. Ai shpreh i bindur se ura do të jetë e lirë për qarkullim shumë shpejtë pa dhënë një datë të saktë se kur.

“Ne jemi duke punuar në atë drejtim edhe me kompaninë që ka marrë detyrën për rivitalizimin e urës, jemi në përfundim të fazës, janë edhe disa pjesë të vogla që janë duke u punuar dhe besoj që së shpejt ura do të hapet”.

“Ne çdo herë jemi në kontakt me zotri Rakiq, por ne jemi duke punuar në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim nacionaliteti”, tha ai.

Ndërkaq sipas Bahtirit përcaktimin e kufijve administrativ po e mban peng kryetari Listës Serbe Goran Rakiq i cili ende nuk po e nënshkruan memorandumin.

“Kufijtë administrativ i kemi pasur edhe në Bruksel edhe në Prishtinë dhe ne jemi përcaktuar për kufijtë administrativ dhe me bashkësinë ndërkombëtare. U mbet që ai memorandum i cili është nënshkruar për përcaktimin e kufijve administrativë dhe është në pjesën e veriut, duhet të nënshkruhet nga zotri Rakiq ndërkaq unë jam i gatshëm që ta nënshkruaj qysh sot. Ne Urën e kemi rivitalizuar për me hapë dhe do të hapet”, tha ai.

Ai foli edhe për draft statusin e Trepçës ku e cilësoi jo të mirë e që sipas tij, duhet të plotësohet, ndërkaq kërkoi që bordi i kësaj ndërmarrje të lirohet nga politika e të funksionoj nga ekspert të fushës.

“Unë mendoj që draft-statusi i Trepçës i cili është duke u bërë mendoj se është jo i mirë për arsye se Sindikata e Pavarur e Trepçës së minatorëve e kundërshton këtë dhe ne duhet të shikojmë se cila është mundësia për kërkesat e minatorëve që të futen në draft-status”.

“Por, duhet ta dimë që statusi duhet nxjerrë nga ligji dhe ligji i mungon kësaj kompanie dhe kisha kërkuar nga kryetari i parlamentit por edhe nga qeveria e Republikës së Kosovës që të bëjë plotësim në ligjin e Trepçës dhe ta bëjë statusin në bazë të ligjit të cilin qytetarët apo minatorët e kërkojnë”.

“Unë mendoj që bordi i Trepçës është bord politik e që nuk është dashur, kërkoj që të jetë bord i ekspertëve, bord që me të vërtetë kanë njohur të fuqishme menagjeriale sepse Trepça është një kompani jashtëzakonisht e fuqishme, është kompani që nuk është vetëm për Mitrovicën por për gjithë Kosovën dhe duhet filluar në atë drejtim që të bëhet prej njerëzve të devotshëm, njerëzve që kanë aftësi për ti menaxhuar ato”, tha ai./EO/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme