Google ADS

Babë e bir tregojnë si u rrahën nga i akuzuari Zoran Vukotiq

23:04 | 7 Shkurt 2018
Arbresh.info

Gani e Halim Maxhera ishin dëshmitarët e radhës në gjykimin e Zoran Vukotiqit, i akuzuar për krime lufte kundër popullatës civile në Vushtrri.

Në gjykimin që po mbahet në Gjykatën e Mitrovicës, dëshmitarët rrëfyen se si, sipas tyre, ishin rrahur nga tani i akuzuari Zoran Vukotiq si dhe një person tjetër i quajtur Gorolub Paunoviq.

Gani Maxhera, i cili është babai i Halimit, fillimisht tregoi për vrasjen Hamdi Fazliut më 5 maj 1999.

Ai tha se para se Hamdiu dhe të tjerët të vriteshin, i akuzuari Zoran Vukotiq dhe Gorolub Paunoviq kishin shkuar në shtëpinë e tij, duke i kërkuar para e më pas e kishin rrahur atë dhe djalin Halimin.

“Kanë ardhë dhe më kanë rrahur me gjithë djalë. Na kanë lypë pare, unë ju kam thënë që nuk kemi. Gorolubi pasi që na ka rrahur na ka thanë a na njeh neve, unë u kam thënë: jo “, tregoi dëshmitari.

Pas rrahjes që kishte zgjatur rreth 20 minuta, dëshmitari shpjegoi se ata nga shtëpia e tyre kishin shkuar në shtëpinë e Hamdi Xhemës, ku i kishin rrahur edhe atë dhe familjen e tij, ndërsa ky i kishte parë nga ballkoni.

Ndërsa kur u pyet nga prokurori se a ishte takuar me Hamdi Fazliun atë ditë, dëshmitari tha se nuk ishte takuar, pasi që atë ditë në lagjen e tyre ishin dëgjuar edhe të shtëna armësh, ndërsa nga to ishin vrarë Hamdi, Fahredin dhe Avdulla Fazliu si dhe komshiu i tyre Enver Rrustolli.

Në bazë të aktakuzës, të katër janë vrarë në njërën nga dhomat e shtëpisë së Hamdi Fazliut, në prezencën e dy grave.

Edhe Halim Maxhera, i cili në atë kohë kishte qenë vetëm 14 vjeç, tregoi para gjykatës se si ishte rrahur nga Gorolub Paunoviq dhe Zoran Vukotiq në shtëpinë e tij.

“Zorani dhe Gorolubi kanë ardhë në shtëpi dhe më kanë rrahur mua dhe babanë.Zorani ka pasë maskë por unë e kam njohur sepse ai ka qenë më i gjatë se Gorolubi dhe ka punuar në gjykatë, ndërsa Gorolubin e kam njohur kur kam qenë i vogël, ai ka punuar në Postë“, shpjegoi dëshmitari.

Maxhera po ashtu tregoi edhe mënyrën se si ishte rrahur ai.

“Zorani ia ka shky letërnjoftimin babës, më pas e ka rrahur me shuplaka dhe shkelma. Pastaj mua më qitke në ballkon. Ka qenë 1 metër lartë dhe pastaj më gjuajke poshtë me shkelm. Këtë e ka përseritë disa herë. Një herë më ka rrah Gorolubi pastaj Zorani“, rrëfeu më tutje dëshmitari.

Më tutje, në dëshminë e tij Halim Maxhera tregoi se e kishte parë kur Vukotiq dhe Paunoviq e kishin dërguar në shtëpinë e Hamdi Fazliut djalin e quajtur Fahredin dhe se më pas kishte dëgjuar katër të shtëna të njëpasnjëshme nga ajo shtëpi.

Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq, gjatë kohës së konfliktit të armatosur në Kosovë, më 5 maj 1999, në Vushtrri, në rrugën “Emin Duraku”, në bashkëkryerje me të akuzuarin Gorolub Paunoviq, në cilësinë e rezervistit të Policisë serbe, të veshur me uniforma të Policisë dhe Ushtrisë serbe dhe të armatosur me thika, pistoleta dhe pushkë automatike, kanë rrahur dhe plaçkitur persona të ndryshëm civilë të nacionalitetit shqiptar nëpër oborre dhe shtëpitë e lagjes.

Më tej, aktakuza përshkruan se me dashje ka rrahur e pastaj edhe ka vrarë katër persona civilë shqiptarë të identifikuar si: Enver Rrustolli, Hamdi Fazliu, Avdulla Fazliu dhe Fahredin Fazliu, në shtëpinë e familjes Fazliu.

Prokuroria pretendon se fillimisht të njëjtit e kanë ndalur Fahredin Fazliun e më pas e kanë dërguar në oborrin e shtëpisë së Hamdi Fazliut.

Në hyrje të shtëpisë ndodheshin Sanije Zhushi- Fazliu dhe kunata e saj Fikrije Fejzullahu. Të akuzuarit më pas kanë filluar ta rrihnin Fahredin Fazliun së bashku me dy gratë e lartcekura duke iu kërkuar të holla.

Në ndërkohë, gjithnjë sipas aktakuzës, njëri nga të akuzuarit kishte dalë jashtë shtëpisë dhe pas pak ka hyrë përsëri në shtëpi së bashku me Fahredin Avdulla – Fazliun, të cilin e kishte sjellë me dhunë.

Pas këtyre veprimeve, babai i Fahredin Fazliut, Hamdiu, së bashku me fqinjin Enver Rrustolli, pasi kishin dëgjuar se çfarë po ndodhte, me qëllim që t’i shpëtojnë, kanë hyrë në shtëpi për t’u ofruar të holla të akuzuarve.

Por, të akuzuarit vazhduan t’i rrihnin ata, ku në sy të grave të lartcekura edhe i vranë.

Vukotiq së bashku me personin tjetër, pas këtij veprimi u larguan nga vendi i krimit.

Pika e dytë e aktakuzës ngarkon Vukotiqin se ka vepruar në mënyrë çnjerëzore ndaj civilëve të nacionalitetit shqiptar, me dashje ka cenuar integritetin trupor, shëndetin, mirëqenien fizike dhe mendore të 17 të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, duke i torturuar dhe shkaktuar lëndime të rënda fizike dhe psikike, pasoja të cilat të dëmtuarit i bartin ende.

Vukotiq ngarkohet edhe se me dashje dhe dhunshëm ka plaçkitur të holla në shuma të ndryshme, flori dhe gjëra tjera të çmueshme nga civilët e nacionalitetit shqiptar, konkretisht nga 8 të dëmtuar dhe njëkohësisht dëshmitarë.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në bashkëpunim me një prokuror të misionit EULEX, të cilët i kanë propozuar gjykatës kompetente që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit./kallxo.com

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme