Google ADS

‘Azitromycin’, antibiotiku që po merret nga qytetarët me e pa recetë

08:03 | 29 Nëntor 2020
L G

Kosova ka ligj që e ndalon blerjen e barnave pa recetë, por ky ligj nuk është zbatuar pothuajse asnjëherë.

E, për shkak të pandemisë viti 2020 do të jap shifra të larta, si vit me përdorim të shtuar të antibiotikëve të pa përshkruar nga mjekët.

Kështu thotë për arbresh.info kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi.

“Viti 2020 besoj se do të na japë shifra shumë më të larta për shkak të pandemisë dhe për shkak të përdorimit të shtuar për trajtimin e pacientëve të diagnostikuar me COVID, por këto analiza do ti bëjmë në tremujorin e parë të 2012 dhe do ta shohim gjendjen reale të këtyre indikatorëve”, tha ai

Jakupi thotë se, një nga sfidat mbetet mungesa e zbatimit të recetës, sipas tij vetëm rreth 50% e rasteve zbatojnë recetën.

“Që nga viti 2012 Kosova raporton për konsumin e antibiotikëve. Me këtë rast mund të themi se që nga viti 2012 ka një rënie në konsumin e antibiotikëve dhe kjo është falë strategjisë dhe planit të veprimit si dhe fushatave vetëdijësuese që bëhen për këtë qëllim. Sidoqoftë një nga sfidat e mos përmbushura nga plani i veprimit është mungesa e zbatimit të recetës (sipas të dhënave vetëm rreth 50% e rasteve zbatojnë recetën) dhe për këtë arsye edhe një pjesë e këtij konsumi konsiderojmë se mund të ulet”, ka vlerësoi ai.

Orgesa Hyseni farmaciste, tha se në kohën e pandemisë po kërkohet një lloj antibiotiku ‘Azitromycin’, e që kemi pasur raste që e kërkojnë pacientët edhe pa recetë.

Sipas saj, shpeshherë antibiotiku kërkohet pa arsye dhe me insistim të qytetarëve.

“Po ka interesim nga qytetarët për blerje të antibiotikëve pa recetë. Ne si farmacistë po mundohemi që të mos i japim pa recetë. Pacientët megjithatë insistojnë. Por, pacientët dhe qytetarët në përgjithësi janë mësuar ashtu dhe vazhdojnë t’i përdorin pa arsye. Por, në kohën e pandemisë po kërkohet sidomos një lloj antibiotiku ‘Azitromycin’, e që kemi pasur raste që e kërkojnë pacientët edhe pa recetë”, është shprehur ajo.

Gjithashtu edhe Shkumbin Jusufi farmacist, tha se rritje të shitjes së antibiotikëve ka pasur gjatë kohës së pandemisë.

“Në kohën e pandemisë ka pasur rritje të madhe, po kërkohen sidomos disa lloje siç janë Levofloxacin, Moxifloxacin, Azitromycin, Cefixime, Ceftriaxon, por që të gjithë janë kërkuar me recetë të përshkruar nga mjeket”, tha ai.

Ndërsa, qytetarët thonë se pa ndonjë problem në barnatore blejnë antibiotikë.

Kaltrina Musliu, 28-vjeçare, qytetare nga Prishtina, thotë se antibiotikë mund të blesh në secilën barnatore të Kosovës pa recetë të mjekut dhe pa asnjë pyetje nga ana e farmacistëve se për çka i duhet qytetarëve antibiotiku.

“Po më ka ndodhur shumë shpesh të blej dhe përdorë antibiotikë. Nuk është asnjë vështirësi në barnatore që ta sigurosh një antibiotik pa recetë të mjekut. Asnjë pyetje nga farmacisti, mundesh kurdo, në secilën barnatore të Kosovës të blesh antibiotikët”, ka thënë ajo./A.Zeka/arbresh.info/

Të ngjashme