Kryetari i Sindikatës së punëtorëve të sektorit privat në Kosovë, Jusuf Azemi, ka hedhur akuza të shumta në drejtim të politikës pas diskutimeve të fundit lidhur me pagën minimale në vend.
Ai ka akuzuar pushtetin duke thënë se ekziston një dallim i madh në pagat mes sektorit publik dhe privat, sikur askund tjetër në botë.
“Paga minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon. Vendet në rajon kanë pagë minimale më të lartë. Ekstremi është se paga më e madhe e pushtetarëve në rajon, është ajo e pushtetarëve të Kosovës”, ka thënë Azemi në Express Intervistën në KTV.
Ai e ka quajtur lojë seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku u debatua për pagën minimale dhe propozimet që ajo të jetë 239 apo 250 euro.
“Ajo është dashur që 8 herë të rritet që nga viti 2011. Këto bisedat e fundit s’mendojmë se kanë diçka serioze. Gjithë kjo që po ndodh në Parlament është lojë sepse s’ka as deputetë që të merret ky vendim. Pamë një parlament ku nga 120 deputetë mbetën veç 20 deputetë në seancë. Është shaka. Fitues janë vetëm deputetët me mëditjet e tyre. Gjithçka tjetër është zero. Parlamenti në ditët e kaluara kur foli për migrimin e punëtorëve u pa se është joserioze. Parlamenti këto i ka krejt joserioze. Fitimi i vetëm janë mëditjet për deputetët. Ata bisedojnë për pagat minimale vetëm kur shohin sinjal se do të ketë zgjedhje. Por u bëj thirrje punëtorëve që kur të lëshojnë votën të shohin si është vepruar me ta qe një kohë të gjatë”, ka shtuar ai.
Sipas Azemit, edhe nëse u bëhet 500 euro paga punëtorëve në sektorin privat, besimi në politikanët e Kosovës nuk do t’u kthehet. Ai ka thënë se Kosova po zbrazet nga punëtorët e sektorit privat për shkak të veprimeve të pushtetit.
“Ky shtet e ka humb luftën me sektorin privat. Gjithçka që ofron për këta punëtorë është e kotë. S’ka kryetar, kryeparlamentar e kryeministër me kredibilitet që mund t’i thotë punëtorëve të sektorit privat ju lutem mos ikni nga Kosova. Kur presidenti del thotë se sektori privat paguhet 600 euro është ironi e madhe. Kjo ishte sikur Serbia në vitet e luftës thoshte se po ikin nga NATO. E tash të thuhet se punëtorët privatë e kanë pagën 600 euro është ironi e madhe dhe tregon se presidenti e kryeministri nuk e dinë se në çfarë gjendje janë punëtorët e sektorit privat edhe pse u kemi treguar se 50 për qind e punëtorëve marrin pagë në xhep e as që u paguhet trusti a shërbimet tjera”, ka thënë ai teksa ka shtuar se prapa kompanive që po bëjnë shkelje të të drejtave të punëtorëve janë pushtetarët.
“Me punën e tyre e zbrazën vendin. Me viza pune mbi 180 mijë të rinj e kanë lëshuar Kosovën. Tash po vërehet një mungesë e punëtorëve në sektorin privat. Kemi thënë ofroni kushte të mira, por shumë shpejt do të vijë koha e mbylljes së bizneseve sepse s’do të kenë punëtorët që u nevojiten. Kur e them se punëtorët në sektorin privat punojnë sot për nesër tregon se kushtet e tyre janë mizerie. Ata s’mendojnë për qëndrim në Kosovë. Këtë e ka bërë shteti i Kosovës me mekanizmat e vet. Ne shpeshherë tregojmë emrat e kompanive që kanë lidhje me shtetin. Kemi qitë me emër mbiemër ata që bëjnë shkelje, pro shteti po është më i fortë se ne. Janë absurde vendimet e gjykatave e inspektoratit ku po fitojnë gjithnjë vetëm të fortit”, ka shtuar më tej Azemi.
Sipas tij, punëtorët e këtij sektori tash do të dalin më të fortë se kompanitë sepse po e zbrazin Kosovën. Ai ka thënë se shteti s’është kujdesur kurrë për këta punëtorë, për të cilët ka thënë se punojnë me orar të zgjatur, pa siguri e pa kurrfarë përgjegjësie nga shteti ndaj tyre.
“Këtu një zëvendëskryeparlamentar thotë se të gjithë i kemi nga 2 milionë euro, e punëtori i ngratë nuk mund ta çojë deri në gjysmë muaji. Janë gënjeshtra që thonë se punëtorët e sektorit publik e lëshojnë vendin. Por askund në botë s’ka dallim kaq të madh. Me rezoluta e gjithçka është e kotë. Rezolutë janë ata që e kanë lënë punëtorin e sektorit privat nga viti 2011 me pagë minimale 130 euro që s’e merr me kohë, pa paguar kontribute apo diçka”.
Rama: Kemi larguar autolarjen duke eliminuar kështu pengesën...
Anisa: Driloni më ka treguar se me Sarën e ka pasur lojë
Skandal i madh në Mal të Zi, dyshohet se referi e goditi me ...
Xheneta-Gjestit: Baju, nuk dua të flas me ty
Kumbaro ndan pamje nga Përmeti
Mbeti i plagosur gjatë konfliktit ku u vra Martin Cani, flet...