Rrjeti i OJQ-ve, AVONET ka shprehur shqetësimin e jashtëzakonshëm lidhur me veprimet e fundit të ekzekutivit të Komunës së Ferizajt, ku edhe pas dy dështimeve (mungesës së kuorumit), qeverisja komunale, po këmbëngul që të bindë asambleistët të cilët nuk po e përkrahin dhënien në shfrytëzim të objekteve të institucioneve parashkollore – çerdheve, dhe përsëri e ka futur në rend dite këtë pikë tashmë të kontestuar nga shumë palë.
“Për ne është absolutisht e pakuptimtë se si qeverisja komunale kërkon ta kontrabandojë këtë pikë të rendit të ditës, duke krijuar dyshime të bazuara se pas këtij veprimi fshihet diçka më shumë sesa vetëm mbrojtja e interesit të qytetarëve, siç pretendon pushteti lokal. Për ta bërë realitet këtë pretendim të saj, kemi informacione se qeverisja komunale gjatë periudhës mes dy seancave ka kontaktuar në vazhdimësi asambleistët (sidomos ata të pozitës), të cilët kundërshtimin e tyre e kanë shprehur me mospjesëmarrje në shqyrtimin e kësaj pike”, thuhet në komunikatën për media nga AVONET, transmeton Arbresh.info.
Sipas AVONET, arsyetimet publike të zyrtarëve komunalë, respektivisht drejtorit të arsimit në Komunën e Ferizajt, se kjo po bëhet për shkak të pamundësisë për të angazhuar staf profesional e menaxherial për të funksionalizuar objektet e gatshme, janë të paqëndrueshme.
Andaj, AVONET thekson të njëjtat duhet trajtuar një për një.
Reagimi i plotë:
AVONET shprehet jashtëzakonisht e shqetësuar me veprimet e fundit të ekzekutivit të Komunës së Ferizajt, ku edhe pas dy dështimeve (mungesës së kuorumit), qeverisja komunale, si asnjëherë tjetër, po këmbëngul që të bindë asambleistët të cilët nuk po e përkrahin dhënien në shfrytëzim të objekteve të institucioneve parashkollore – çerdheve, dhe përsëri e ka futur në rend dite këtë pikë tashmë të kontestuar nga shumë palë.
Për ne është absolutisht e pakuptimtë se si qeverisja komunale kërkon ta kontrabandojë këtë pikë të rendit të ditës, duke krijuar dyshime të bazuara se pas këtij veprimi fshihet diçka më shumë sesa vetëm mbrojtja e interesit të qytetarëve, siç pretendon pushteti lokal. Për ta bërë realitet këtë pretendim të saj, kemi informacione se qeverisja komunale gjatë periudhës mes dy seancave ka kontaktuar në vazhdimësi asambleistët (sidomos ata të pozitës), të cilët kundërshtimin e tyre e kanë shprehur me mospjesëmarrje në shqyrtimin e kësaj pike.
Arsyetimet publike të zyrtarëve komunalë, respektivisht drejtorit të arsimit në Komunën e Ferizajt, se kjo po bëhet për shkak të pamundësisë për të angazhuar staf profesional e menaxherial për të funksionalizuar objektet e gatshme, janë të paqëndrueshme. Andaj, të njëjtat duhet trajtuar një për një. Dihet mirë që një nga prioritetet e qeverisjes qendrore është pikërisht rritja e numrit të çerdheve, dhe kjo logjikisht do të duhej të nënkuptonte se kërkesat e qeverisjes komunale për rritjen e numrit të çerdheve do të përkrahen pa hezitim nga qeveria qendrore.
Në këtë rast lindin disa pyetje:
A ka kërkuar qeverisja komunale miratimin e normave të reja?
Pse qeverisja komunale nuk publikon kërkesat e bëra ndaj qeverisë qendrore?
Në rast se qeverisja komunale nuk i ka bërë kërkesat me kohë dhe nuk ka paraqitur arsyetimet e duhura, a do të thotë që kjo është bërë me qëllim që të krijohet një situatë alarmante, e cila do ta justifikonte kërkesën për dhënien në shfrytëzim të objekteve të institucioneve parashkollore – çerdheve?
Pra, ekzistojnë shumë dilema dhe pikëpyetje që duhet të sqarohen paraprakisht. Por, ky insistim i pakompromis i qeverisjes komunale që kjo të miratohet me çdo kusht, ngjall shumë dyshime të cilat do të duhej të rëndonin në ndërgjegjen e secilit prej asambleistëve të Kuvendit të Komunës së Ferizajt. Shumë nga pikat e vendimit të dorëzuar si material tek asambleistët janë antiligjore dhe ngarkojnë qytetarët me pagesa më të mëdha.
Në pikën 4 të këtij propozimi thuhet se komuna merr përsipër të paguajë shpenzimet për ujë, tatim e mbeturina. Ky veprim do të krijonte pabarazi me bizneset e tjera të fushës së njëjtë, sepse automatikisht do të krijonte favorizim të përfituesve të këtyre çerdheve, në raport me çerdhet e tjera private. Një veprim i tillë do të kishte kuptim po të organizohej funksionimi i këtyre çerdheve sipas modelit të partneritetit publiko-privat, por assesi me formën e propozuar kur çerdhet e dhëna në shfrytëzim do të funksionojnë si çerdhe private. Ne konsiderojmë se ky veprim do të bie ndesh edhe me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, për faktin se me marrjen përsipër të pagesave të shpenzimeve të ujit, tatimeve dhe mbeturinave, Komuna do të favorizonte subjektin juridik përfitues dhe do të vështirësonte pozitën e subjekteve të tjera duke shkaktuar shkelje të rënda të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Nëse ky propozim kalon, ne do t’i drejtohemi Autoritetit të Konkurrencës së Republikës së Kosovës me kërkesë, ku do ta njoftojmë lidhur me këto veprime dhe shkelje, dhe do të kërkojmë nga të njëjtët që të kryejnë një hetim të thellë në lidhje me këtë rast.
Në Ligjin Nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës, në nenin 10 të këtij ligji, tek dispozitat specifike për edukimin parashkollor, konkretisht në pikën 5, thuhet se “Komunat mund të ndërmarrin veprime të nevojshme, përfshirë ofrimin e asistencës financiare, për të përkrahur iniciativat private për kujdes dhe edukim të hershëm”. Nëse lexohet dhe interpretohet drejt kjo pikë e ligjit në fjalë, nënkuptohet që komunat mund t’i ndihmojnë edhe me asistencë financiare iniciativat private. Por, kjo nuk nënkupton dhënien në shfrytëzim të objekteve të ndërtuara nga komuna ose ministria. Duket që qeverisja komunale qëllimisht ka anashkaluar këtë ligj, por edhe Ligjin Nr. 03/L-068 për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, duke mos i përmendur fare në preambulën e dokumentit në fjalë.
Ligjet që rregullojnë arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës përcaktojnë qartë se cilat janë procedurat e licencimit të një institucioni edukativo-arsimor. Në rastin konkret nuk kemi asnjë ide të qeverisjes komunale se si do të veprohet në rastet kur një biznes merr në shfrytëzim objektet publike, por nuk plotëson kriteret e licencimit nga MASHTI, fakt i cili tregon shumë në lidhje me trajtimin joprofesional të këtij propozimi.
Në fund, qeverisja komunale, respektivisht DKA, duhet të deklarohet se:
Për çfarë arsye janë munduar dhe po mundohen ta kontrabandojnë në Kuvendin e Komunës këtë propozim?
Pse ka munguar transparenca gjatë gjithë procesit, dhe pse nuk janë respektuar dispozitat e Udhëzimit Administrativ (MAPL) Nr. 04/2023 për Administratë të Hapur në Komuna?
Pse nuk janë organizuar debate publike me ekspertë, prindër, edukatorë, deputetë, shoqërinë civile dhe palët e tjera të interesit, ashtu siç parashihet mundësia edhe në nenin 6, paragrafin 1, nënparagrafin 1.6. të Udhëzimit Administrativ (MAPL) Nr. 06/2018 për Standardet Minimale të Konsultimit Publik në Komuna, me qëllim që të diskutoheshin të gjitha format e mundshme të organizimit dhe pastaj të përzgjidhej forma më e mirë e cila do të garantonte cilësi në ofrimin e shërbimeve për organizimin e përfshirjes sa më të madhe të fëmijëve në edukimin parashkollor?
Kjo formë përmes të cilës Komuna e Ferizajt po tenton të “privatizoj” çerdhet publike, nga praktikat konkrete të mëparshme, siç është rasti i Komunës së Prishtinës kanë rezultuar si absolutisht të pasukseshme dhe jo efektive. Shto faktin se objektet e çerdheve që po tentohen të “privatizohen” janë asete dhe prona publike të Komunës së Ferizajt, ku ndërtimi i tyre është bërë nga taksat e qytetarëve të kësaj komune. Andaj, kërkojmë që pushteti lokal të mos e shoh këtë shtyllë apo kategori shtetrore si një mjet për të realizuar të ardhura, por të e trajtoj në nivel të garantimit dhe avancimit të edukimit parafillor dhe kujdesit për brezat apo gjeneratat e reja, për faktin se kjo (edukimi parafillor) është i garantuar me nga të gjitha aktet juridike vendore dhe ndërkombëtare të aplikueshme në vendin tonë, dhe shteti është i obliguar që fëmijëve të ju ofroj shërbimin publik, në këtë rast të ju ofroj mundësinë e ndjekjes së edukimit të hershëm në çerdhe publike.
Shpresojmë, besojmë, por edhe ftojmë që asambleistët ferizajas të jenë në nivelin e detyrës së tyre në ditën e premte, kur edhe do të mbahet seanca e Kuvendit Komunal. Presim nga asambleistët që të mbrojnë interesin e fëmijëve duke i thënë një “JO” të madhe tendencës së dyshimtë të qeverisjes komunale për dhënien në shfrytëzim të objekteve të institucioneve parashkollore – çerdheve.
AVONET propozon që Komuna të menaxhoj me kapacitetet dhe burimet njerëzore, në atë mënyrë që që këto kapacitete të shpërndahen me çerdhet e tjera publike. Ne konsiderojmë se numri i personave të punësuar në çerdhe nga Komuna është i duhur dhe i njejti i plotëson numrat për të funskionuar edhe në çerdhet tjera, vetëm se duhet të shpërndahen në mënyrë proporcionale dhe korrekte./Arbresh.info
Vullneti në rolin e gazetarit, merr në pyetje Atillën
Apeli vërteton aktgjykimin lirues për Sylejman Selimin dhe J...
Xabi Alonso kthehet në Anfield si kundërshtar
Pensilvania, historia e shtetit që vendos përherë fatet e Am...
Policia zvicerane kap 15 trafikantë droge në Verbier
Buja: E kam marrë vesh më vonë që Thaçi ishte anëtar i Shtab...