AVONET: Gjykatësi Arton Fazliu i dyshimtë se është në shërbim të Nexhat Krasniqit, i dënuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare

14:29 | 9 Gusht 2019
Arbresh.info

Rrjeti i OJQ-ve AVONET, ka reaguar rreth dënimit që kohë më parë i ishte bërë Nexhat Krasniqit, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në kohën kur punonte si Drejtor i Prokurimit në MTI, më pas, nga data 01.02.2008, ka kaluar në pozitën e Drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit, dhe tash, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit.

AVONET konsideron se në këtë rast është përfshirë edhe gjykatësi Arton Fazliu, për të cilin dyshohet se i ka shërbyer Nexhat Krasniqit dhe ka shkelur Kushtetutën.

AVONET thotë se përmes një hulumtimi që kanë bërë, kanë kuptuar se përderisa ka qenë i punësuar si Drejtor i Prokurimit në MTI është larguar nga puna, bazuar në Aktgjykimin të Gjykatës Themelore të Prishtinës PKR 144 i datës 21 shtator 2015, me të cilin është dënuar me dy e dy muaj burgim, gjegjësisht 26 muaj për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, Aktgjykim të cilin Gjykata e Apelit e ka vërtetuar me Aktgjykimin që ka lëshuar më datë 20 maj 2016, ku të njëjtit i është shqiptuar dënimi me burgim një vit gjashtë muaj për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ky aktgjykim është i plotëfuqishëm.

Për rastin në fjalë edhe Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës kishte nxjerrë Aktgjykim me datë 2 mars 2017, me të cilin është vërtetuar Aktgjykimi i datës 20 maj 2016 të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, me të cilin është dënuar me burgim një vit e gjashtë muaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Duke kontestuar drejtësinë, AVONET thotë se Krasniqi ka parashtruar edhe një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të datës 2 mars 2017 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila kërkesë me anë të Aktvendimit (si Aktvendim përfundimtar) për papranueshmëri më datë 5 shkurt 2018 është refuzuar si e papranueshme.

“Duke u bazuar në Aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, më datë 21 shtator 2015, Aktgjykimin më datë 20 maj 2016, të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, Aktgjykimin me datë 2 mars 2017 i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Aktvendimin për papranueshmëri me datë 5 Shkurt 2018 të Gjykatës Kushtetuese, është vërtetuar se Nexhat Krasniqi ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe për këtë është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim një e gjashtë muaj”, thuhet në reagimin e AVONET.

AVONET thotë se mbi bazën e këtij aktgjykimi Sekretari i Përgjithshëm u.d i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit me vendimin nr.01.10641 datë 12.11.2018 Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit Nexhat Krasniqit i është shqiptuar masa disiplinore “Ndërprerje e Marrëdhënies së Punës në Shërbimin Civil”. Në nenin e shpallur thuhej se “Nëse nëpunësi civil shpallet fajtor dhe dënohet për kryerje të veprës penale, autoritetet kompetente administrative detyrohen që nga ato elemente të vendimit të gjykatës kompetente, që përbëjnë shkelje të parimeve dhe të rregullave administrative, duhet të urdhërojnë shkarkimin e nëpunësit civil”.

Ndaj këtij vendimi, ai ka parashtruar ankesën A.Nr.745/2018 të datës 16.11.2018 në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës(KPMSHCK), të cilën me vendimin nr.7520/2018 datë 10.12.2018 e ka hudhur poshtë si të palejuar.

“Nexhat Krasniqi në cilësinë e propozuesit ka parashtruar propozim me datë 22.11.2018 për përmbarim në Gjykatën Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm-Divizioni Civil, në bazë të këtij propozimi Gjykata ka nxjerrë Aktvendimin Cp.nr. 2257/18 me të cilin ka detyruar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit që të lejoj Nexhat Krasniqin të ushtroi detyrën e Udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit dhe të mos marrë asnjë veprim tjetër administrativ për këtë procedurë deri në marrjen e vendimit përfundimtarë nga ana e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK), lidhur me ankesën e ankuesit, duke mos e prezantuar vendimin e KPMSHC për hudhje poshtë të ankesës. Nga shkresa shihet se vendimi nuk kishte bazë për ekzekutim dhe ligjërisht nuk duhej t’i nënshtrohej përmbarimit nga ana e gjyqtarit”, thuhet në reagimin e AVONET-it.

Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamenti i Përgjithshëm me rastin e vërtetimit të plotëfuqishmërisë të aktvendimit Cp.nr.2257/18 me datë 25.07.2019 nga gjykatësi Arton Fazliu, sipas AVONET-it, ka bërë shkelje absolute të Kushtetutës.

“AVONET konsideron se një veprim i institucionit të rëndësishëm, nuk duhet të ndikohet nga interesat personale dhe grupore të individëve të caktuar, të cilët në shkallë të ndryshme të gjykimit i është vërtetuar vepra penale nga te gjitha instancat gjyqësore. Gjykata dhe gjykatësi i ka shërbyer më së keqi drejtësisë, duke vepruar në kundërshtim me rendin juridik dhe parimin e sigurisë publike, njëherësh duke ulur edhe besimin në sistemin e drejtësisë dhe ulje të imazhit të Kosovës dhe proceseve të saja, siç është rruga drejt integrimit dhe liberalizimit të vizave. AVONET kërkona nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës që sa më parë të filloj hetimet ndaj gjykatësit Arton Fazliu, sepse raste të tilla nxisin dyshime për keqpërdorim të pozitës dhe besimit në drejtësi”, përfundon reagimi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme