Avokati Shala: Vetingu të udhëhiqet nga persona që gëzojnë kredibilitet

08:20 | 8 Mars 2020
L G

Avokati, Nikë Shala, vlerëson se procesi i Vetting është i domosdoshme duke marrë për bazë disa dukuri negative që fatkeqësisht e kanë përfshirë vendin tonë në disa fusha.

Sipas tij, sondazhet kanë treguar për shkak të shkeljeve ligjore dhe dështimit të organeve të ndjekjes ndaj kryesve të veprave penale kur bëhet fjalë për profilin e lartë, kjo e ka ulur besimin e qytetarëve në institucione e vendit.

“Në anën tjetër mos ndëshkimi me dënime jo adekuate të korrupsionit dhe krimit të organizuar, në raste sidomos të profilit të lartë, dëshmon për amnistinë që iu bëhet, në disa raste ngritën aktakuza pa mbështetje në prova materiale të cilat refuzohen apo shpallen prova të papranueshme nga ana e gjykatës”, thotë avokati Shala.

Ai deklaron se kjo gjendje e krijuar mund të ndryshoj vetëm përmes Vetingut.

Ky proces, sipas Shalës duhet të përfshijë policinë, prokurorinë dhe gjyqësinë, për shkak se një sistem i pavarur dhe i paanshëm i drejtësisë siç e parasheh Kodi i Procedurës Penale, Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Konventa Evropian për të Drejtat dhe Lirit e Njeriut, ndikon në vendosjen e sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në Kosovë.

Avokati Shala, vlerëson se ky proces duhet të përgatitet dhe udhëhiqet nga personat kompetente që gëzojnë kredibilitet.

“Republika e Kosovës nuk mund të synojë respektim të sundim të ligjit, me përfshirjen e atyre që kanë dëshmuar performancë jo të mirë gjatë ushtrimit të detyrave zyrtare. Një proces i thellë i organeve kompetente shtetërorë duhet të përgatitet dhe udhëhiqet nga personat kompetente që gëzojnë kredibilitet dhe janë apolitik të mbështetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.

Avokati Nikë Shala vlerëson se njerëzit brenda sistemit të drejtësisë dhe sigurisë në Kosovë duhet të veprojnë me integritet.

“Dhe duhet të jenë më shumë llogaridhënës, në mënyrë që të jenë sa më efikas dhe të pavarur e të paanshëm. Sepse, zvarritja e paarsyeshme në vendosjen e lëndëve disa vite, po ndikon në humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë, dhe jo rrallë herë ka ndodhur që qytetarët ta marrin drejtësinë në dorën e tyre duke përfunduar me fatalitet”, deklaroi avokati Nikë Shala.

Në mbledhjen e javës së kaluar, Qeveria e Kosovës formoi Grupin e ekspertëve për draftimin e skenarëve për procesin e Vetingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Kryesues i këtij grupi do të jetë Qerim Qerimi, ndërsa anëtarë të tjerë do të jenë: Avni Puka, Fisnik Korenica, Visar Morina, Arbresha Loxha, Ehat Miftaraj, Ariana Qosaj-Mustafa, Arton Demhasaj, Kreshink Gashi, Kujtim Kërveshi dhe po ashtu do të ketë përfshirje edhe nga Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial.

Ndërkaq, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, edhe pas një jave ende nuk kanë vendosur se kë do të dërgojnë si përfaqësues në Grupin e ekspertëve për draftimin e skenarëve për procesin e Vetingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë. /E.Ballazhi/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme