Avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone, ka deklaruar se i mbrojturi i tij asnjëherë nuk e ka ndaluar asnjë person, nuk e ka maltretuar dhe nuk e ka vrarë asnjëherë asnjë person e as nuk ka urdhëruar dikë tjetër të bënte një gjë të tillë.
Këtë e ka thënë në seancën e së martës, gjatë paraqitjes së deklaratës së tij hyrëse. Ndërkaq, Mustafa nuk ka dhënë asnjë deklaratë gjatë kësaj seance, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Von Bone ka thënë se zona e Gollakut dhe brenda saj Zllashi janë në lindje të Prishtinës, duke qenë se mbrojtja hapi deklaratën me përfundimin e raporteve të OSBE-së, ai tha se kjo zonë malore është më afër Prishtinës.
Sipas tij, pas sulmeve ajrore të NATO-s, njerëzit filluan të largoheshin ku kishin mundësi të shkonin dhe ndër to edhe në Gollak, Zllash, ku njerëzit strehoheshin ku mundeshin nëpër shtëpia.
Ai tha se Salih Mustafa ishte komandant i njësitit BIA, që kryente detyrat e veta, kryesisht me ndihmën e civilëve.
Tutje, tha se civilët jepnin shtëpi apo gjysmën e shtëpisë për njësitin, në mënyrë që të merrej informacion për forcat e armikut, dislokimin e tyre apo thjesht shtëpitë të përdoreshin për grumbullimin e materialeve të ndryshme për njerëzit që të mbijetonin konfliktin.
“Zona e operacioneve të BIA-së ishin zonat urbane, kryesisht Prishtina. Anëtarët e BIA-s qëndronin në shtëpitë e civilëve në mënyrë që të pushonin apo qëndronin në kohë të shkurtër gjatë kohës sa ishin në lëvizje”, tha ia.
Tutje, theksoi se kontestojnë gjithë idenë se ka pasur bazë në Zllash.
Ai tha se deduktimi se i gjithë kompleksi ka qenë për njësitin e BIA-s është gabim dhe se Zllashi për njësitin BIA ishte si për gjithë të tjerët, ku ishte vendi sigurt, ku qëndronin edhe pjesëtarë të njësiteve tjera të UÇK-së.
Pas punës intensive në zonat urbane, ai tha se anëtarët e BIA-së kishin nevojë për një vend të sigurt, ku mund të pushonin.
“ZPS ka ndërtuar gjithë çështjen e vet rreth kësaj dhe bën që ajo të duket sikur njësia BIA apo Salih Mustafa ka qenë aty gjithë kohës dhe kanë kontrolluar gjithë kompleksin apo zonën e ndalimit. Është krejt e gabuar ajo që thotë ZPS në dosjen paraprake se BIA e ka përdor këtë vend si të vetin”, tha ai.
Tutje, avokati deklaroi se zona operative e BIA nuk ishte në Zllash dhe nuk kishin lidhje me Zllashin, por thjesht ndoshta kanë qëndruar në ndonjë dhomë aty kur operacionet në qytete kanë qenë shumë intensive në mënyrë që të pushonin në zonën malore.
Von Bone tha se Salih Mustafafa është vetdeklaruar pafajshëm dhe në asnjë mënyrë nuk i ka shkaktuar dëm asnjërit nga dëshmitarët që kanë dëshmuar për ZPS.
“Ai me vendosmëri mohon se ka pas ndonjë lidhje me ta apo që iu ka shkaktuar atyre ndonjë të keqe. Viktimat pavarësisht çka kanë përjetuar janë thjesht gabim dhe asnjëherë nuk e kanë identifikuar të akuzuarin nëse gjatë kohës që janë mbajt apo malltretuar, dukshëm që këtë nuk e kanë përjetuar nga Salih Mustafa dhe ai asnjëherë nuk ka urdhëruar një gjë të tillë”, tha Von Bone.
Sipas tij, Mustafa nuk ka pasur kurrfarë kompetenca në zonën operative të Llapit, nuk ka pas kurrfarë pushteti mbi brigadën 153.
Ai tha se Salih Mustafa asnjëherë nuk e ka ndaluar asnjë person, asnjëherë nuk e ka maltretuar asnjë person, asnjëherë nuk e ka vrarë asnjë person dhe as nuk ka urdhëruar dikë tjetër të bënte një gjë të tillë.
Sipas tij, Mustafa me shumë të tjerë është patriot dhe ka luftuar për çlirimin e vendit të vet.
Von Bone ka deklaruar se akuzat kundër Mustafës përfshijnë ndalimin arbitrar të disa individëve, trajtimin çnjerëzor, torturën dhe vrasjen e paligjshme dhe se theksojnë se Mustafa nuk e ka kryer asnjë prej këtyre krimeve.
Sipas avokatit të Mustafës, i mbrojturi i tij nuk ka bërë asnjë ndaj personave që kanë deklaruar në gjykatë dhe as nuk i njeh e nuk ka pasur motiv t’iu shkaktojë dëm e as nuk kishte kompetenca në atë zonë e as nuk ishte pjesë e brigadës 153.
“Ne nuk mendojmë që dëshmitarët që i solli ZPS për të dhënë dëshmi ishin viktimë e Mustafës, disa prej tyre asnjëherë nuk e kishin njohur Salih Mustafën e as nuk e kanë identifikuar thjesht thanë një emër pa e ditur personin që ishte pas atij emri duke përshkruar një person në hollësi që nuk e kishin njohur asnjëherë para luftës as pas luftës”, ka thënë ai.
Sipas tij, ZPS nuk arriti të paraqes prova që përmbushin kriterin e domosdoshëm për të vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm që Mustafa ka kryer krimet që ngarkohen në aktakuzë.
“Akuzat janë të gabuara dhe zoti Mustafa duhet të shpallet i pafajshëm për krimet që i ngarkohen. Mbrojtja nuk ka nevojë të provojë që zoti Mustafa nuk i ka kryer këto krime, megjithatë ne paraqesim çështjen tonë. Mbrojtja nuk mund të bëjë një rrëfim minutë për minutë, ditë për ditë, se ku ka qenë Mustafa, madje kjo gjë as nuk mund të kërkohet dhe nuk mund të rindërtohet, pasi ka kaluar kohë e gjatë”, tha ai.
Por, sipas tij, megjithatë gjykata do të dëgjojë dëshmitë e njerëzve që do të flasin nga njëra anë ku ka qenë ai dhe nga ana tjetër për situatën që ka qenë në Zllash.
Sipas tij, kompleksi i Zllashit është themeli mbi të cilin është ndërtuar kjo çështje dhe kanë dëshmitar që kanë qenë në terren në atë kohë, për kohën që është vënë në aktakuzë.
“Unë shpresoj vërtet se ZPS do të dëgjojë atë që kanë për të thënë dëshmitarët e mbrojtjes dhe do të rishqyrtojë qëndrimin e vet për të dëgjuar me një vesh të hapur dhe për të parë me sy të hapur atë që thonë të tjerët lidhur me të akuzuarin, situatën në Zllash me qëllim për të hedhur dritë në të vërtetën e kësaj çështje”, tha Von Bone.
Ai tha se ZPS nuk arriti të hetonte asnjë nga bashkëkryesit e pretenduar që përmenden në aktakuzë.
“Mbrojtja vret mendjen nëse kjo është bërë qëllimisht apo nga frika se mos dëgjohet diçka tjetër që mund të dëmtojë çështjen e tyre. Mbrojtja beson se këta njerëz mund të ishin gjetur, mund të nxjerrim konkluzionet tona se për një arsye ZPS nuk e bëri këtë”, tha avokati.
Avokati ka thënë se mbrojtja do të paraqes prova.
“Jemi të bindur fuqimisht se Mustafa nuk është fajtor për akuzat e ngritura kundër tij bazuar në materialin që ne mundëm të gjenim. Nuk kemi nevojë të provojmë pafajësinë e tij sepse një person prezumohet i pafajshëm derisa të vërtetohet përtej dyshimit të arsyeshëm se ka kryer krimet që akuzohet”, tha ai, duke shtuar se Mustafa duhet liruar nga të gjitha akuzat.
Ndryshe, në këtë rast, nesër pritet të dëgjohet dëshmitari i parë i thirrur nga mbrojtja.
Avokati i Mustafës prezanton harta, fotografi e incizime para trupit gjykues gjatë deklaratës së tij hyrëse
(Përditësuar, ora: 12: 08)-Në deklaratën hyrëse të paraqitur nga mbrojtësi i Salih Mustafës, avokati Julius Von Bone, ka prezantuar harta, fotografi e video-incizime para trupit gjykues të kryesuar nga Mappie Veldt – Foglia.
Avokati Von Bone tha se aktakuza përqendrohet te një shtëpi ku thuhet se janë mbajtur dhe torturuar njerëz dhe se kjo shtëpi do të duhej të gjendej në një vend të prokuroria e quan kompleks, në zonën e Gollakut.
“Është thjesht një grupim shumë i vogël objektesh të qëllimeve të ndryshme. Ky grupim objektesh vështirë se mund të përkufizohet si fshat i madh apo i vogël, është thjesht vend me shtëpi pa një kufi administrativ në zonën e Zllashit”, tha ai.
Tutje, ai tha se dëshiron t’i kthehet hartës të parë gjeografike, ku më pas tha se në veçanti i nevojitet pjesa e sipërme e hartës dhe vazhdoi duke komentuar hartën para trupit gjykues.
Më pas u tregua në gjykatore një fotografi e marrë nga ajri të zonës që është pjesë e aktakuzës.
“Mund të shohim nga një largësi e madhe se si janë të vendosura në njërën pjesë ka një si fushë të sheshtë, nga ana tjetër ka shumë drunjë, bjeshkë me pyll. Po të kalojmë në tjetrën fotografi të marrë nga ajri, këtu vendodhja duket më mirë, ajo që dua të tregoj me këtë është se mund të shohim në të djathtë, një ndërtesë mjaft të gjatë, me një çati si ngjyrë të bardhë në këtë fotografi dhe në vijë të drejtë me të është një ndërtesë që duket se i është dëmtuar çatia, në të majtë”, ka thënë ai.
Tutje, tha se në të dyja anët ka një sërë objektesh.
“Në anën tjetër të ndërtesave, shohim një tog ndërtesash. Pra, kjo ndërtesa është e vetmja ndërtesë që gjendet edhe sot e kësaj dite. Do të flasim dhe për ndërtesat e tjera që ndodhen aty dhe i kemi parë në shumë raste”, tha ai.
Për një fotografi tjetër që u tregua, ai tha se është fotografi e ndërtesës që përbën një nga elementet kryesore të kësaj çështje gjyqësore, ku më pas do të tregojnë pjesën e një grafike tre dimensionale që janë përpjekur të rindërtojnë.
Në vijim, u treguan edhe fotografi të tjera para trupit gjykues, që nuk u bënë të njohura për publikun dhe në fund u tregua një ndërtesë që dikur ka qenë shkollë dhe ka qenë e braktisur gjatë kohës që përfshin aktakuza.
Ai tha se janë munduar të rindërtojnë terenin si ka qenë në atë kohë të aktakuzës, megjithatë në këtë kohë pak kanë mbetur dhe se do të shohin incizime se si duket në teren kjo pjesë, të cilat nuk janë shfaqur për publikun, por ata që ishin prezent në gjykatore.
Më pas, në gjykatore është treguar një rikonstruim tre-dimensional i vendit në fjalë.
Pas kësaj, u vazhdua me një pushim, ku më pas do të procedohesh sërish me deklaratën hyrëse të mbrojtjes.
Avokati i Salih Mustafës thotë se sulmi ndaj familjes Jashari nxiti konsolidimin e rezistencës për pavarësi të Kosovës
Në deklaratën e tij hyrëse, avokati i Salih Mutafës, Julius von Bone, ka thënë se sulmi ndaj familjes Jashari dhe vrasja e Adem Jasharit nxiti konsolidimin e rezistencës për pavarësi.
Ai ka thënë se pas shpërbërjes së Jugosllavisë, lufta për pavarësinë e Kosovës mori dy forma, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Një lëvizje paqësore që mbulon periudhën nga viti 1990 deri në 1998 dhe lëvizja e rezistencës në të dytën, kjo e fundit mori stafetën nga e para në momentin e eliminimit të Adem Jasharit dhe familjes së zgjeruar të tij, kryesisht fëmijë dhe gra. Kjo nxiti konsolidimin e rezistencës për pavarësi”, ka thënë ai.
Ai tha se Adem Jashari konsiderohet si komandanti legjendar i UÇK-së, ku përpjekjet e tij patriotike dhe heroike për çlirimin e Kosovës mbahen mend edhe sot e kësaj dite, për një çlirim nga një regjim ofensiv dhe brutal.
“Me datë 5, 6 dhe 7 mars, forcat ushtarake policore sulmuan kompleksin e familjes së Adem Jashari në Prekaz, të zonës së Drenicës. Forcat serbe mendonin se me vrasjen e gjithë familjes Jashari rezistenca e popullit kosovar do të kishte marrë një goditje përfundimtare, aq sa do të përfundonte edhe rezistenca”, ka thënë ai.
Tutje, tha se vrasjet mes të shumta edhe shumë fëmijë, jo më shumë se 7 vjeç është një prej krimeve më të këqija të regjimit serb të kryera në Kosovë, një nga krimet e shumta që kanë kryer forcat serbe në Kosovë.
“Edhe njerëz të tjerë që banonin në kompleks, si anëtar të moshuar apo farefis i familjes humbën jetën në këtë sulm të paprecedent kundër një shtëpie rezidenciale dy katëshe që ndodhej në kodrat e Prekazit. Ky sulm ka lënë një shenjë të rëndësishme dhe themelore në historinë e Kosovës në përpjekjet e saj për tu çliruar nga ky regjim shtypës”, tha ai.
Sipas tij, sulmi brutal hasi në një rezistencë të fortë, me një mbështetje të gjerë në popullatën e Kosovës.
“Shumë e shumë njerëz dolën vullnetarë për të marrë pjesë në një përpjekje të armatosur për tu çliruar nga regjimi, i cili e kishte mbajtur këtë popullatë në një grusht të hekurt për shumë vitesh. Pas një viti me 24 mars 1999, që është si sot e para 23 vjetësh që NATO filloi sulmet e veta ajrore për të çliruar Kosovën nga ky regjim opresiv”, tha ai, duke thënë që këto sulme ajrore zgjatën deri në qershor 1999.
Ai tha se këto sulme ajrore të NATO-s u nxitën nga gjakderdhja dhe spastrimi etnik kundër shqiptarëve, çka i shtyu shqiptarët të largohen drejt vendeve fqinje dhe se operacionit e NATO-s ishin ndërhyrje humanitare që u bë e nevojshme kur Jugosllavia refuzoi të nënshkruante marrëveshjen e Rambujes.
Sipas tij, sulmet e NATO-s në Prishtinë në 1999 janë të mirënjohura për secilin nga qytetarët e Kosovës që mbetën gjallë nga konflikti.
“Data më e rëndësishme në këtë kuadër është depërtimi në masë të madhe i shqiptarëve nga stacioni i trenit të Prishtinës. Më 31 mars 1999 që është një tjetër ditë e ngulitur thellësisht në mendjet e shumë qytetarëve kosovarë ka ndodhur kjo që ishte një ngjarje me rëndësi në Kosovë”, ka thënë ai.
Tutje, tha se kjo është përshkruar si ngjarje e rëndësishme në raportet e OSBE-së.
“Bëhet fjalë për spastrimin e lagjeve të Prishtinës. Në raporte thuhet kështu “raportime të shumta, por të pakonfirmuara bëjnë të ditura se familjet shqiptare detyrohen të largohen me forcë në mënyrë sistematike nga lagjja dhe po i dërgojnë në stadiumin sportiv të Prishtinës, disa grupe dërgohen drejtpërdrejt në stacionin e trenit për të vazhduar pastaj në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë”, ka thënë ai.
Avokati Von Bone, në fjalën e tij hyrëse, vazhdoi duke cituar raportet e OSBE-së.
Ai ka thënë se dëbimi me forcë është raportuar në raportin e OSBE-së, të titulluar “Kosova siç është parë e siç është treguar”.
“Në kapitullin 14, sipas këtij raporti të OSBE-së nga data 24 mars deri me 2 prill 1999, mbi 177 mijë e 500 shqiptarë të Kosovës kanë mbërritur në Shqipëri dhe me 2 prill 1999, 130 mijë shqiptarë të Kosovës kanë mbërritur në Maqedoni dhe Shqipëri. Shumica më e madhe e këtyre njerëzve janë dëbuar me forcë në shtëpi, dëbimet kishin për objektiv të qartë shqiptarët e Kosovës dhe mbështetej në kombësinë e tyre. Raporti i OSBE-së përshkruan modelin tipik të dëbimit me forcë të personave me kombësi shqiptare”, tha Von Bone.
Në vijim, avokati Von Bone tha se në këtë sfond dhe kontest të ngjarjeve që kanë ndodhur në Kosovë në periudhën pranë aktakuzës, është me rëndësi të theksohet se mbrojtja beson se personat e zhvendosur brenda vendit që po kërkonin strehim brenda Kosovës, kërkonin strehim në zonën e Gollakut, në pjesën malore në lindjen e Prishtinës.
“Krimet të cilat pretendohet se kanë ndodhur sic janë përshkruar në aktakuzë përqendrohen te zona malore e quajtur Gollak. Krimet e pretenduara thuhet se kanë ndodhur në zonën e Zllashit. Fokusi i aktakuzës është periudha nga 1 deri me 19 prill e vitit 1999.mbrojtja së pari dëshiron së pari t’i hedh një sy zonës ku pretendohet se kanë ndodhur krimet e pretenduara e paraqitura në aktakuzë”, tha ai.
Tutje, tha se nuk ka ndonjë material të përcaktuar në dosjen gjyqësore rreth Zllashit, dihet ku përafërsisht ku është Zllashi, por nuk ka përcaktim kufijsh, ku është zonë e madhe dhe shtëpitë janë të shpërndara në gjithë zonën.
“Në pikëpamjen administrative zona e Zllashit bie në Mramor, që është fshat i madh në cep të zonës malore. Për të shkuar në Zllash nga Prishtina është goxha udhëtim, veçanërisht për të shkuar në vendin e përshkruar në aktakuzë”, ka thënë ai.
Sipas tij, është ftoftë gjatë dimrit dhe rrugët janë plot me baltë dhe është e vështirë të udhëtosh me veturë.
“Vendet që mbrojtja do të diskutoj gjatë çështjes së mbrojtjes do të gjenden në vende të ndryshme. Vendet dhe distancat ndërmjet tyre janë ç’orientuese. Në hartë mund t’i gjesh dhe gjithashtu mund të matësh edhe distancat nga njëri vend te tjetri, megjithatë në jetën reale dhe periudhën e vitit 1999, këto vende ishin shumë të vështira të arriheshin”, ka thënë ai, duke shtuar kishte lloj lloj faktorësh që luanin rol te kjo.
Ndër to, ai tha se ishin post-blloqet dhe zonat e kontrolluara nga serbët, që e bënin të vështirë të shkosh në vende të tilla.
“Një tjetër e vështirë e të udhëtuarit do të ishte thjesht që kishte përplasje të vazhdueshme ndërmjet UCK-së dhe forcave serbe. Për të shkuar atje do të duhej të anashkaloje këto zona pasi ishin rrugë të rrezikshme për tu përdorur. Do të duhej në realitet shumë më tepër kohë që të shkoje nga një vend te tjetri”, tha ai.
Më pas, ai kërkoi nga njësia e administratës të paraqes hartën gjeografike, por se e njëjta nuk u pa për publikun, ndërkaq avokati i rrëfeu trupit gjykues për rrugët dhe fshatrat në zonën në fjalë. Ndërkaq, pas hartës së parë, u kalua në hartën e dytë me kërkesë të avokatit.
Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës është konfirmuar më 12 qershor 2020.
“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.
Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...