Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Hashim Thaçit ka deklaruar se aktakuza përmban shumë redaktime çka edhe po i vështirëson mbrojtjes kryerjen e hetimeve.
Në seancën e sotme, ndër të tjera gjykatës i procedurës paraprake ka urdhëruar Zyrën e Prokurorit të Specializuar që deri më 22 tetor t’i ofrojë mbrojtjes listën paraprake me dëshmitarë dhe ka caktuar 29 tetorin datë për mbajtjen e konferencës së radhës.
Në konferencën e sotme mbi ecurinë e çështjes ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, gjykatësi i procedurës paraprake ka urdhëruar ZPS-në që deri më 22 tetor 2021 t’i ofrojë mbrojtjes listën paraprake të dëshmitarëve.
Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou ka thënë se deri në konferencën e ardhshme do të vendosë datën e dorëzimit të dosjes paraprake nga ZPS.
Ai ka shtuar se nuk mund të presin për dorëzimin e dosjes paraprake nga ZPS dhe se po bëhet një vit prej fillimit të kësaj procedure dhe sipas tij duhet ecur tutje.
Gjykatësi gjithashtu ka caktuar 29 tetorin datë për mbajtjen e konferencës së radhës dhe 15 dhjetorin për mbajtjen e një tjetër konference mbi ecurinë e çështjes ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gregory W.Kehoe, avokati që mbron ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë që prokuroria duhet t’i dorëzojë mbrojtjes aktakuzën e paredaktuar, e cila do të fokusonte pastaj hetimet.
Sipas tij, informacionet që deri tani kanë marrë nga prokuroria nuk dinë nëse lidhen drejtpërdrejt me aktakuzën, meqë ka redaktime të shumta.
“Duke pasur parasysh ecurinë e nxjerrjeve nuk mund të ju jap një vlerësim se kur do të zhvillohet apo plotësohet një hetim. Po shqyrtojmë informacionet që pa na i jep prokuroria, po flasim edhe me përfaqësuesit e prokurorisë, por janë të vështira edhe vajtje-ardhjet në Kosovë për shkak të situatës, por ka shumë vështirësi, redaktime, pengesa, të cilat na vinë nga prokuroria, çka i ka bërë krejt të vështira hetimet tona. E ngrita çështje ne aktakuzës, i nderuari gjykatës na përmendi njoftimin për alibi, por ka paragraf pas paragrafi në aktakuzë ku thuhet që kjo ngjarje ndodhi në një vend të redaktuar, midis një date të redaktuar deri në një datë të redaktuar. Kjo aktakuzë është e mbushur plot me redaktime të tilla, kjo e bën krejt të pamundur që ne të fillojmë të mendojmë nëse klienti im, ju them ka punuar në nivel ndërkombëtar, ka qenë në ndonjë vend të Evropës dhe nuk ka qenë në fushëbetejat aty ku janë zhvilluar, por duke mos ditur datat dhe vendet është e vështirë”, ka thënë mbrojtja e Thaçit.
Edhe mbrojtja e Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se nuk janë të gatshëm të tregojnë shumë rreth hetimeve.
Gjithashtu avokati i Rexhep Selimit, David Young ka thënë se nuk mund të informojnë rreth hetimeve.
“Duke pasur parasysh që është e paqartë se cilat janë provat kundër zotit Rexhep Selimi unë mund t’ju informoj sot lidhur me këto gjëra”, ka thënë mbrojtja e Selimit.
Deklarimet e avokatëve i ka mbështetur edhe mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej nëntorit 2020 pasi ndaj tyre u konfirmua aktakuza për krime të pretenduara të luftës.
Në paraqitjet e tyre të para në vjeshtë të vitit të kaluar, ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat me të cilat ata ngarkohen./atv/
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...
Gjimshiti triumfon ndaj Ismajlit, Atalanta rikthehet në krye...
Elezi: Mbi 58 mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë...