Avokati i Popullit tregon të gjitha shkeljet që u bënë gjatë deportimit të ‘gylenistëve’

18:15 | 4 Prill 2018
Arbresh.info

Pas hetimeve të para, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, ka thënë se kanë vënë re shumë shkelje në procesin e deportimit të gjashtë shtetasve turq.
Sipas tij, deportimi i “Gylenistëve” pa i vendosur para gjykatave ishte shkelja e parë. Në “Express Intervistën” në KTV, Jashari ka thënë se edhe nëse gjykata do të vendoste për dëbim, Kosova do të duhej të merrte parasysh vendimet e gjykatave ndërkombëtare, që janë shprehur kundër deportimeve të tilla.

“Ajo që është më e rëndësishmja, në procedurë të tillë kur dikush akuzohet për kërcënim të sigurisë, ai duhet të dalë para gjykatave. Nëse ka interes apo arsye për të dëbuar dikë, pas një procesi normal gjyqësor konstatohet se duhet të dëbohet dikush apo jo. Nëse merret vendimi gjyqësor që një person të dëbohet duhet të ketë siguri se në vendin pritës i dëbuari të mos pritet në rreziqe të caktuara. Gjykata ndërkombëtare ka konstatuar se në Turqi ka rrezik për të dëbuarit dhe kjo është dashur të merret parasysh. Konsiderohet shkelje kur kthehet në vendin ku ka rrezik për trajtimin jo të mirë njerëzor”, është shprehur Jashari.

Jashari po ashtu ka bërë të ditur se shtetasit turq nuk kanë pranuar urdhër dëbimi disa ditë para deportimit në fund të muajit mars. Sipas tij, atyre nuk u është lejuar assesi që të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës.

Sipas informatave të para, Jashari ka thënë se shtetasit turq kanë pasur leje qëndrimi në Kosovë, dhe jo siç ishte deklaruar se këto leje tashmë ishin të skaduara.

Jashari ka thënë po ashtu se Kosova nuk mund të paditet në Gjykatën e Evropës, pasi nuk është akoma anëtare e Këshillit të Evropës. Sipas tij, po të ishte dhe të konstatohej se Kosova ka bërë shkelje, Kosova do të duhej të paguante dëmshpërblim, sipas vendimit. Ai ka shprehur shpresë se anëtarët e familjeve të shtetasve të dëbuar do të shfrytëzojnë Gjykatën Kushtetuese për të parë a janë shkelur të drejtat e tyre apo jo.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme