Dyshimet e ngritura se janë shkelur standardet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, ka shtyrë Avokatin e Popullit të Kosovës që të nisë hetimet lidhur me deportimin e gjashtë qytetarëve turq javën e kaluar.
Autoritetet e sigurisë në Kosovë, nën arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fillimisht ua revokuan të njëjtëve të drejtën e qëndrimit dhe më pas i deportuan nga Kosova për në Turqi, në bashkëpunim me inteligjencën turke.
Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, tha se veprimet e ndërmarra nga autoritetet publike janë në kundërshtim me standardet ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e njeriut, të zbatueshme në sistemin e brendshëm juridik të Republikës së Kosovës.
Ai tha se janë përcjellë edhe shqetësimet që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve vendore përkatësisht ligjit për të huajt. Në një vlerësim preliminar, sipas tij, është vërejtur që këto ligje nuk janë zbatuar.
Jashari tha se ishin shqetësimet e përcjella nga anëtarët e familjeve të personave që janë dëbuar nga Kosova, që e kanë shtyrë këtë institucion t’i nisë hetimet.
“Kam vendosur të hapim hetime në momentin kur kemi kuptuar që ata janë deportuar nga Kosova dhe kjo për mendim tim është në kundërshtim të plotë me standardet ndërkombëtare që janë të zbatueshme në Kushtetutën e Kosovës dhe kjo konsiderohet si një prej shkeljeve më të rënda që ka të bëjë me mbrojtjen nga keqtrajtimi, turpërimi, trajtimi ç’njerëzor dhe degradues që është neni 3 i Konventës Evropiane dhe aspektet procedurale që lidhen gjithashtu me zbatimin e këtij neni”, tha Jashari për Radion Evropa e Lirë.
Avokati i Popullit tha se është herët të flitet për rezultatet e këtyre hetimeve, mirëpo ka shtuar se janë duke marrë informacione nga të gjitha institucionet që kanë qenë të përfshira në këtë rast.
“Është vështirë për të folur dhe për të paragjykuar tash hetimet dhe veprimet që jemi duke ndërmarrë, mirëpo jemi në fazën e mbledhjes së të gjitha informatave të të gjitha institucioneve relevante që kanë qenë të përfshira në këtë proces edhe jemi duke e hetuar atë që është më e rëndësishme, procesin e vendimmarrjes edhe zbatimin e procedurave ose jo të autoriteteve që kanë qenë të thirrura për të kryer këtë procedurë në pajtueshmëri me këto standardet që unë i përmenda”, theksoi Avokati i Popullit.
Deportimi i këtyre gjashtë personave sipas tij, do të duhej bërë duke respektuar të gjitha procedurat.
“Në asnjë shtet nuk mohohet mundësia për të deportuar ose për të ekstraduar një person, mirëpo jo pa i përcjellë hapat proceduralë që garantohen edhe me ligje vendore dhe kjo është shqetësimi kryesor, jo vetëm i imi po besoj por edhe i të gjitha institucioneve dhe organizatave që merren me mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, tha Jashari.
Më 29 mars, Policia e Kosovës ka arrestuar dhe dëbuar në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë ishte mjek turk.
Shkollat “Mehmet Akif” në Kosovë i përkasin Institucionit Arsimor Gylistan. Ky i fundit ka kopshte, institucione parashkollore, shkolla fillore dhe të mesme në gjithë Kosovën.
Besohet se ato janë të frymëzuara nga Lëvizja Hizmet e Fethullah Gulenit, klerikut fetar turk, të cilin presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, e fajëson për orkestrimin e përpjekjes për grushtshtet në Turqi, në vitin 2016.
Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Kosovë kanë deklaruar më herët për Radion Evropa e Lirë, se këto shkolla veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës./REL/
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...
Putin: Jemi gati për “duel” raketor me SHBA