Avokati i Popullit, në përmbushje të mandatit që ka dhe duke vlerësuar rëndësinë e patjetërsueshme që kanë zgjedhjet brenda një sistemi demokratik, po ndjek me vëmendje dinamikën e procesit për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Si thelbësore për funksionimin demokratik të shtetit, zgjedhjet kërkojnë integritet të padiskutueshëm, i mbështetur fuqishëm mbi parimet dhe garancitë që i ka vendosur Kushtetuta dhe ligjet e vendit. Të zgjedhësh dhe të jesh i zgjedhur është e drejtë e garantuar për secilin shtetas të Republikës së Kosovës mbi moshën 18 vjeç.
Në këtë kuptim, duke pasur parasysh zgjedhjet paraprake, Avokati i Popullit rikthen vëmendjen e publikut të gjerë dhe të autoriteteve kompetente për mundësitë e barabarta për pjesëmarrje të të dyja gjinive, në të gjitha segmentet e procesit zgjedhor, duke e konsideruar, ashtu sikurse edhe Kushtetuta e vendit, barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillim demokratik të shoqërisë.
Avokati i Popullit ua rikujton subjekteve politike se Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, respektivisht neni 14 i tij, shprehimisht thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”.
Neni 6, paragrafi 7, i këtij ligji, ndër të tjera, specifikon: “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji.”
Për më tepër, Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, neni 6, paragrafi 8, e saktëson qartë: “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse.”
Përballë hezitimit lidhur me përparësinë e zbatimit të akteve normative1, Avokati i Popullit thekson zëshëm se dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore kanë përparësi ndaj dispozitave të Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme, që flasin për përfaqësimin gjinor.
Kjo për dy arsye:
Në veçanti, duhet pasur parasysh nenin 5, paragrafi 2, të Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, i cili shprehimisht saktëson: “Çdo dispozitë, e cila është në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji, shfuqizohet.”
Avokati i Popullit e konsideron veprim të detyrueshëm dhënien e mundësive të barabarta, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, në listat e kandidatëve dhe në procesin zgjedhor si tërësi dhe bën thirrje publike që kjo të sigurohet.
Së këndejmi, Avokati i Popullit pret nga subjektet politike që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ashtu siç pret edhe nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), që ta respektojnë parimin e barazisë në tërë procesin zgjedhor, me theks të veçantë përfaqësimin e barabartë në listat zgjedhore, në pajtim me dispozitat e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës.
Garantimi i mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi baza gjinore jo vetëm është i domosdoshëm për një shoqëri demokratike, por është përcaktim kushtetues dhe ligjor që duhet të zbatohet nga të gjithë, përfshirë këtu partitë politike./Arbresh.info/
Zyrtari i LDK-së thotë se Fitore Pacolli ia dha 100 mijë eur...
David: Barcelona ka qenë ekipi me të cilin jam rritur, ëndrr...
Çfarë e bën ecjen kaq të mrekullueshme për shëndetin tuaj?
Vullneti: Edi është 100% tipi i Xhenetës
18 persona të arrestuar për këmbim të paligjshëm të kriptova...
Johnson: Administrata Trump u votua ‘të shkundë status-quo-n...