Mbrojtja e Kadri Veselit ka kërkuar sërish nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, që të urdhërojë lirimin e klientit të tyre nga paraburgimi.
Mbrojtja këtë e ka bërë përmes një parashtrese, me anë të së cilës ka dhënë kundërpërgjigje ndaj Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), të cilët kanë kërkuar që Veselit t’i vazhdohet masa e paraburgimit.
Në këtë shkresë të mbrojtjes, thuhet se kur mbrojtja i ka shkruar Drejtorit të Policisë së Kosovës, ai nuk ka propozuar një listë të detajuar të kushteve.
Sipas mbrojtjes, emaili i datës 31 maj 2021, të cilën ZPS e ka konsideruar si një përsëritje të “vullnetit të përgjithshëm për implementim të urdhrave juridik”, ishte shkruar me anë të një përgjigje specifike ndaj një letre të avokatit të datës 26 maj 2021, në të cilën ai përcaktoi kushtet e hartuar nën dritën e vëzhgimeve të bëra nga Dhoma e Apelit.
Sipas mbrojtjes, gjykatësi i procedurës paraprake duhet të ketë parasysh se nuk ka vetëm supozim të pafajësisë, por edhe supozim të lirisë.
“Këto dy supozime duhet të kundërshtohen në mënyrë që të justifikojnë ndalimin e vazhdueshëm. Nëse shkurtësia e përgjigjes së Drejtorit kërkon shtjellim të mëtejmë, Mbrojtja me respekt parashtron që përgjegjësia tani bie te gjykatësi i procedurës paraprake për të kërkuar çfarëdo qartësimi të nevojshëm sipas procedurës në rregullën 198”, thuhet në këtë shkresë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Tutje, thuhet se nëse është e nevojshme, drejtorit të Policisë së Kosovës duhet t’i kërkohet që të komentojë, qoftë koment pohues apo negativ, rreth zbatueshmërisë së secilës prej kushteve të propozuara.
Sa i përket intervistës të ushtruesit të detyrës së kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, që ZPS e kishte përmendur në parashtresën e saj, ku kishte kërkuar që t’i vazhdohet paraburgimi Veselit, mbrojtja ka konsideruar se ZPS asnjëherë nuk ka pretenduar se Veseli ishte në një farë mënyre i lidhur me “përpjekjet e pengimit”
ZPS në parashtresën e saj kishte përmendur një intervistë të Klinakut të dhënë me 4 qershor
“Më 4 qershor 2021, Faton Klinaku, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Shoqatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dha një intervistë me të cilën ai premtoi se do të publikonte dokumente konfidenciale të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë nëse do t’i posedon ato”, thuhej në shkresë të ZPS-së.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës së ngritur, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.
Tutje, në aktakuzë përmenden edhe Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Shukri Buja, Latif Gashi dhe Sabit Geci.
“Ndër anëtarët e tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët ishin Azem SYLA, Lahi BRAHIMAJ, Fatmir LIMAJ, Sylejman SELIMI, Rrustem MUSTAFA, Shukri BUJA, Latif GASHI dhe Sabit GECI, si dhe disa udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së dhe QPK-së, ndër të cilët edhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm; ministra dhe zëvendësministra të QPK-së; komandantë të zonave të UÇK-së, zëvendëskomandantë të zonave dhe anëtarë të tjerë të shtabeve të komandave të zonave; komandantë të brigadave dhe njësiteve; komandantë dhe anëtarë të shërbimeve policore dhe të zbulimit të UÇK-së dhe QPK-së; ushtarë të tjerë të UÇK-së dhe zyrtarë të tjerë të QPK-së; si dhe të tjerë që vepronin në emër të UÇK-së dhe QPK-së (së bashku me Hashim THAÇIN, Kadri VESELIN, Rexhep SELIMIN dhe Jakup KRASNIQIN, bashkërisht, ‘anëtarët e NKP-së’). Të gjithë këta individë, me veprimet dhe mosveprimet e tyre, kontribuan në arritjen e qëllimit të përbashkët. Si alternativë, disa ose të gjithë këta individë nuk ishin anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, por u përdorën nga anëtarë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët për të kryer krime për realizimin e qëllimit të përbashkët (së bashku me anëtarët e NKP-së, bashkërisht ‘anëtarët dhe instrumentet e NKP-së’)”, thotë akti akuzues.
Sali Berisha: Ndalimi i TikTokut, akt ekstrem censure
Deri në një orë pritje te Dheu i Bardhë dhe Muçibabë për të ...
Rama publikon pamje nga Porti i Durrësit: Numri i vizitorëve...
Man United pëson debakël në “Old Trafford”, Chelsea ndalet n...
Shënoi gol dhe asistoi, Korenica shpallet lojtari i ndeshjes...
Fejohet Kida, merr propozim për martesë nga i dashuri i saj