Në fjalën e tij përmbyllëse, avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, ka thënë se klienti i tij ka vepruar gjithmonë në interesin publik dhe se ky ka qenë parimi që e ka udhëzuar gjithmonë atë.
Haradinaj bashkë me Gucatin po akuzohen për vepra penale që ndërlidhen me pengimin e administrimit të drejtësisë.
Cadman ka thënë se Haradinaj është kritikuar se ka thënë atë që beson dhe mendon se është e vërtetë.
Sipas tij, ka mungesë të plotë provash për të vërtetuar pretendimet kundër tij dhe se ka pasur të meta në nxjerrjen e dokumenteve dhe nuk kanë pasur dokumentet që duhen dhe siç thotë prokuroria ato përbëjnë bazën e dënimit për të.
“Duke pas parasysh këtë mungesë të dhënies së dokumenteve, kjo përbën një çështje, një defekt sa i përket gjykimit të drejtë ndër të tjera sepse nuk kemi pasur mundësinë për të bërë kundërpyetjet që duhet”, ka thënë Cadman.
Avokati Cadman ka thënë se mbështet thëniet e avokatit të Gucatit dhe se vlejnë edhe për Haradinajn të njëjtat dhe nuk do t’i përsëris ato. Sipas tij, ka plotë gjëra sa i përket ligjit dhe provave që janë njësoj të zbatueshme për të dy të akuzuarit.
“Së pari që në fillim zoti Rees tha se ky është një rast kur prokuroria duhet të vërtetojë përtej dyshimit të arsyeshëm dhe edhe unë e ngre këtë pikë dhe kjo barrë i takon prokurorisë. Në rastin e Haradinajt apo të ndonjë të akuzuari tjetër, nuk u takon atyre të vërtetojnë pafajësinë e tyre, por i takon prokurorisë të vërtetojë të gjitha pikat e aktakuzës, kjo është përgjegjësi shumë serioze”, ka thënë avokati Cadman.
Ai tha se trupi gjykues i ka parasysh detyrimet e prokurorisë, por janë pika të arsyeshme që ai duhet t’i paraqes.
“Unë kam besim të plotë siç ka edhe Haradinaj që trupi gjykues do t’i zbatojë parimet bazë për provat dhe do t’i trajtojë në mënyrë të drejtë dhe barabartë. Në deklaratën e vet mbyllëse, prokuroria pati një qasje shumë agresive dhe unë do t’i përgjigjem disa komenteve specifike të ZPS-së”, ka thënë ai.
Sipas tij, e pranon hapur që në dosjen e tyre përmenden tre herë dokumente që nuk janë pranuar si prova dhe e njëjta gjë ka qenë edhe për prokurorinë që i është referuar raporteve në shtyp që nuk janë pranuar si prova materiale.
“Megjithëse ZPS kritikon mbrojtjen, ata nuk janë të shfajësuar vet. Sipas ligjit mbrojtja e Haradinajt ka dorëzuar një parashtrim për sa i përket elementeve të krimeve dhe për format e përgjegjësive penale, ne mbështetemi te ky dokument”, ka thënë ai.
Tutje, tha se mbrojtjet e tyre janë substanciale në raport me ligjin dhe nëse ka dallime mes dy pozicioneve të mbrojtjeve, që nuk ka dhe janë të njëjtit mendim i atyre që paraqiti mbrojtja e Gucatit.
“Pavarësisht nga perceptimet gjatë gjithë gjykimit, gjykata përfaqëson popullin e Kosovës dhe të gjitha viktimat dhe trupi gjykues duhet të ketë parasysh këtë”, deklaroi Cadman.
Avokati Cadman ka thënë se zakonisht gjykatat gjykojnë çështje, por ndonjëherë çështjet gjykojnë gjykatat dhe ky është rasti në këtë gjykatë.
“Ne parashtrojmë se kjo çështje ka të bëjë më tepër se me fatin e dy personave që po gjykohen këtu, ka pasoja gjithëpërfshirëse që shtrihen jashtë mureve të kësaj çështje. Kem dëgjuar nga prokuroria për rëndësinë e institucionit, si duhet të mbrohen individët, kanë folur për drejtësinë dhe shtetin ligjor dhe viktimat. Por, këtu qartësisht mungon gjykimi apo ndjekja penale e agresorëve serbë dhe kjo çështje është për të ardhmen e Kosovës dhe popullit të Kosovës dhe kur mohohet drejtësia u mohohet të gjitha viktimave”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo gjykatë ka çështje gjyqësore vetëm për një palë të caktuar dhe se nuk e thotë këtë si deklaratë politike, por se është deklaratë faktike.
“Nëse dikush meriton drejtësi dhe të gjithë e meritojnë drejtësinë, prokuroria e ka konfirmuar përmes zonjës Pumper që nuk janë ndjekur penalisht kryesit serbë, që do të thotë se nuk ka hetime për masakrat e shumta, për krimet e kryera nga serbët e Kosovës, nga paramilitarët dhe disa prej tyre janë në Interpol dhe disa janë krenarë që e pranojnë se janë shtytës të këtij procesi këtu”, tha ai.
Sipas tij, Haradinaj është shprehur qartë se të gjithë që kanë kryer krime duhet të ndiqen penalisht, pavarësisht se kush janë.
“Kur ai u bë nënkryetar bashkë me Gucatin si kryetar, e bëri të qartë një gjë, ata persona që thirreshin nga ZPS duhet të bashkëpunonin, kjo ndryshoi pozicionin e mëparshëm që kishte OVL, ata duhet të bashkëpunojnë sepse s’ka asgjë për të fshehur apo pasur frikë. Këtë ka thënë ai në deklaratën e tij”, ka thënë Cadman.
I njëjti shtoi se kur Haradinaj bëri një fushatë që përmendi ZPS kur mblodhi 150 mijë nënshkrime, ko nuk ishte për të minuar procesin e drejtësisë dhe të vërtetën, por se ka bërë peticion për t’ia paraqitur Kuvendit për të menduar ligjin për DhSK.
“Ishin hapa për të siguruar që Dhomat e Specializuara dhe ZPS të bënin një proces të barabartë, dhe jo selektiv e diskriminues. Haradinaj ka dedikuar jetën e tij pavarësisë dhe integritetit të Kosovës dhe veprimet e tij duhet të shihen përmes kësaj thjerrëze, agresionin që e ka pësuar ai. Ka përgjegjësi të madhe trupi gjykues për të vendosur drejtësinë në këtë proces, dhe nuk ka të bëjë me rishkrimin e historisë, por të vendoset drejtësia dhe këtë kërkon Haradinaj”, tha ai.
Sipas tij, këto materiale nuk i ka marrë Haradinaj, por kanë dalë nga ZPS.
“Prokuroria tha se ai nuk është përgjegjës për vjedhjen apo nxjerrjen e këtyre dokumenteve. Prokuroria e ka lejuar të nxjerrjen këto dokumenteve dhe deri në këtë ditë nuk dihet si e ka lejuar këtë. Prokuroria gjithë çështjet e bazon në atë që e quajmë prova të dorës së tretë, prova që dëshmitarët nuk kanë pasur njohuri të drejtpërdrejtë. Ai ka kaluar një vit e gjysmë në burg para se të vinte në këtë fazë, e ka pranuar se ka kritikuar ZPS për qasjen e mjegullt ndaj sistemit e drejtësisë, ka kritikuar atë që e mendon si qasje diskriminuese”, tha Cadman.
Ai tha se Haradinaj ka të drejtë të mbajë këtë qëndrim dhe është e drejtë themelore e çdo qytetari të Kosovës.
“Nuk ka pasur kanosje, pengim, nuk ka pasur ndërhyrje e as hakmarrje. Nuk duhet harruar që në asnjë fazë prokuroria nuk ka identifikuar asnjë dëshmitar që të jetë kërcënuar apo frikësuar nga veprimet e Gucatit dhe Haradinajt. Nuk ka identifikuar se kundër kujt është hakmarrë dhe akuzat i ka bërë në terma të përgjithshme”, ka thënë ai, duke shtuar se ZPS nuk është në gjendje të provojë asnjë nga pikat e aktakuzës.
Sipas tij, Haradinaj ka deklaruar se të gjitha çështjet për të cilat është akuzuar janë çështje të interesit publik kombëtar.
“Interesi publik është në favor të zotit Haradinaj dhe në mënyrë shumë të qartë”, deklaroi Cadman.
Tutje, ai në deklaratën e tij përmbyllëse i bëri një shqyrtim deklaratave që dëshmitarët e mbrojtjes kanë dhënë në këtë gjykim. Cadman tha se sipas mendimit të tyre, Haradinaj duhet të klasifikohet si sinjalizues.
Ai vazhdoi duke iu referuar deklaratës së Haradinajt, ku i njëjti ka mohuar se ka nxjerrë emra të dëshmitarëve.
Tutje, tha se Haradinaj nuk është kundër drejtësisë dhe nuk është i vendosur për ta minuar këtë institucion dhe nuk është e vërtetë që ka përmendur emra të dëshmitarëve të mbrojtur.
Avokati tha se inkurajon trupin gjykues që të trajtojë të gjitha provat në tërësi dhe jo në copëza të përzgjedhura.
Kurse, për dëshmitë që ka paraqitur prokuroria, ai tha se e kanë trajtuar në mënyrë të dosjes përfundimtare dhe është elaboruar në detaje nga avokati i Gucatit.
“Dua të sjell në vëmendjen tuaj disa konstatime të përgjithshme lidhur me provat që janë parashtruar. Gjithashtu, do të bëj komentin e përgjithshëm që kjo çështje është e spikatur nga mungesa e nëpunësve të ZPS që kanë luajtur rol të drejtpërdrejta në tri operacionet e sekuestrimit”, ka thënë ai.
Ai tha se Daniel Moulberg, kishte thënë se nuk kishte qenë në gjendje të kuptonte se cili ishte diskutimi pasi nuk kishte përkthim.
“Në përgjithësi, ai u dok si një dëshmitar i konfuzuar megjithatë pavarësisht kësaj ishte i qartë për një pikë dhe e kam për përdorimin e qeseve të provave materiale dhe zinxhirin e ruajtjes. Zotëri Berisha, është një gazetar që ka botuar dokumente që sipas tij ishin në interes të publikut dhe gjatë botimit të këtyre materialeve dhe nuk u kritikua fare nga ZPS, por u mbështet. E bëri të qartë se veprimet e veta nuk përligjnin ndjekjen penale”, ka thënë Cadman.
Ai tha se Zenka Pumper, në mënyrë të ngjashme si Miro Jukiq, në rastin e saj nuk u dhanë prova se si incidenti në diskutim ka penguar ushtrimin e detyrës zyrtare.
“Në fakt konfirmoi se është angazhuar në hetimet e tilla dhe në rastin konkret kishte rolin e kufizuar në procesin e marrjes së dokumenteve. Dëshmia e saj, kishte plot pranime, të cilat flisnin që nuk ishin bërë kontrolle sa i takon informacionit, nëse kishte të bënte me persona që ishin në fushën publike dhe nëse ishin sekuestruar nga ZPS”, tha ai.
Tutje, Cadman deklaroi se në dosjen e tyre merren me detaje me dëshminë e dhënë nga Jukiq dhe parashtrojnë se e gjithë dëshmia e tij nuk ka besueshmëri.
“Duam të sjellim në vëmendjen tuaj keqkuptimin e zyrës së ZPS në Prishtinë dhe me sa kuptova nuk kishte zyrë në Prishtinë, të përhershme dhe nuk është e qartë pse ai të bënte një gabim të tillë në dëshminë e tij dhe parashtrojmë se dëshmia e tij nuk ishte e besueshme”, deklaroi Cadman.
Ai deklaroi se lidhur me çështjen e prokurorisë, nuk ka shumë që mund të thotë përveç asaj që ka parashtruar në dosjen përfundimtare.
Sipas tij, nuk ka prova të përdorimit të forcës apo kanosjes.
“ZPS e kritikoi të hënën mbrojtjen e Haradinajt dhe tha se parashtrimi i saj ishte selektiv. Në fakt, është e vërtetë që nuk ka prova që flasin për kanosje serioze apo përdorimin e forcës me detyrim ndaj zyrtarëve në ushtrimin dhe kryerjen e detyrave të tyre zyrtare dhe këtë e kemi parashtruar në dosjen tonë”, tha ai.
Edhe për pikën e tretë, ai deklaroi se nuk ka prova për kanosje apo përdorim të forcës ndaj zyrtarëve publik. Kurse, tha se nuk ka asnjë pikë që provon hakmarrja nga ana e Haradinajt siç pretendon prokuroria.
Lidhur me pikën gjashtë, theksoi se një element i rëndësishëm i veprës është që një person në atë kohë ishte në mbrojtje ndërkohë që nuk është parashtruar asnjë provë që e përmbush këtë element.
Ai tha se nuk mund të thuhet se Haradinaj kishte synimin për të kryer të gjitha këto vepra.
“Një prej elementeve kryesore të çështjes së mbrojtjes është elementi i standardeve hetimore dhe hetimi në vetvete ka mangësi të mëdha”, ka thënë ai.
Duke shtuar se ZPS ka thënë se si kanë rrjedhur dokumentet dhe si janë marrë nga zyra e OVL-së, nuk është me rëndësi, por se mbrojtja konsideron se janë të rëndësishme.
“Më tej dhe disi habitshëm, ZPS ka kërkuar të mbajë pozicionin që hetimet në rrethanat përtej rrjedhjes së informacionit dhe që kanë të bëjnë me sjelljen e pretenduar të Haradinajt, nuk janë të rëndësishme”, ka thënë ai.
Tutje, ai tha se ZPS ka refuzuar të nxjerrë detajet e hetimit të vet që ka të bëjë me rrjedhjen e informacionit dhe këtu përfshihen kërkesat drejtuar trupit gjykues dhe se nuk kanë dëgjuar asnjë person lidhur me këtë rrjedhje dhe se kush është përgjegjës për të.
Në vijim, avokati Cadman deklaroi se pas rrjedhjes së informacionit nuk ka ndërmarrë asnjë hap të kuptimtë parandalues dhe se me sa dinë nuk ka bërë asnjë lloj mbikëqyrje pavarësisht se ishte e qartë se mund të ndodhte një dërgesë e dytë dhe e tretë.
Sipas tij, duket ekstreme që ajo çfarë ka bërë ZPS është që të ndalojë mbrojtjen nga hetimet dhe gjithashtu tregues sipas mendimit të tyre se kanë të bëjnë me një situatë të dështimit të plotë të ZPS-së në gjithë këtë proces.
“Ajo çfarë ia vlen të shqyrtohet është mungesa e plotë e respektimit të standardeve hetimore në gjithë procesin hetimor të ZPS që përbëjnë bazë në këtë çështje”, ka thënë ai.
Ai tha se parashtrojnë se nuk kishte asnjë arsye pse të mos bëhej një inventar në atë kohë.
“Së pari duam të parashtrojmë se është një element qendror që në fillim të këtij procesi i mbrojtjes së Haradinajt. Por, edhe anëtarët e trupit gjykues kanë të drejtën e diskrecionit të ngrehin pika të reja nëse janë pjesë e juridiksionit në vetvete”, ka thënë ai.
Avokati Cadman ka deklaruar se gjykatësit kanë juridiksionin e vet sa i takon pranimin të provave që nuk mbështeten në parimin themelore për ruajtjen dhe elementi i zinxhirit së ruajtjes është element i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i çdo çështje të prokurorisë.
Ai tha se ZPS nuk ka bërë dokumentacion që mbështetet në atë se ka pasur zinxhir të fortë dhe mbështetës të ruajtjes.
Tutje, ka pretenduar se e gjithë çështja është e mangët.
“Interesi publik ka qenë tipar kryesor i mbrojtjes së Haradinajt dhe Gucatit që nga fillimi i procedurës. Ka qenë e qartë se Haradinaj ka vepruar në interes të publikut dhe ka qenë forca shtytëse e veprimeve të tij”, ka thënë ai.
Sipas Cadman, kur të shqyrtohet tërësia e provave është e qartë se Haradinaj ka vepruar gjithmonë në interesin publik dhe se ky ka qenë parimi që e ka udhëzuar gjithmonë.
“Kjo nuk është një çështje ku zoti Haradinaj ka bërë veprime për të rrëzuar këtë institucion si thotë prokuroria, kjo është e gabuar dhe e mohojnë tërësisht”, tha Cadman.
Ai tha se nuk ka ndryshim mes pozicionit material të mbrojtjes siç është sugjeruar më herët dhe si palë thonë të njëjtën gjë.
“Unë po them tani këtu për lehtësi që ne miratojmë dhe pajtohemi me atë çka tha zoti Rees lidhur me shtytjen e kryerjes së veprës penale dhe atë që thuhet në dosjen përfundimtare”, ka thënë ai.
Avokati Cadman deklaroi se Haradinaj ka thënë se nuk është kundër drejtësisë nëse e njëjta administrohet për të tërë.
Ai shtoi se Haradinaj nuk është përpjekur të distancohet nga deklaratat publike, por ka shpjeguar qëndrimet e tij publike dhe çfarë ka tentuar të bëjë në atë kohë.
“Haradinaj nuk ka treguar ndonjë pishmanllëk, ka thënë se është në favor të drejtësisë. Motivacioni i tij ka qenë gjithnjë që t’i shërbente interesit të publikut”, ka thënë Cadman.
Avokati i Gucatit thotë se i mbrojturi i tij duhet të shpallet i pafajshëm dhe se synimi i tij ishte të zbulojë bashkëpunimin e ZPS-së dhe Serbisë
Avokati Jonathan Elystan Rees, që mbron Hysni Gucatin, të mërkurën po vazhdon me dhënien e deklaratës së tij përmbyllëse ku ka thënë se ky i fundit është i pafajshëm dhe se synimi i tij ishte për të zbuluar nivelin e bashkëpunimin mes Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe Serbisë dhe se prokuroria siç thotë i akuzuari është e njëanshme.
Ai ka thënë se nuk është paraqitur asnjë provë se ka pasur ndonjë kanosje të drejtpërdrejtë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, Gucati ka bërë vetëm një koment dhe ka pranuar se nuk ka pasur qëllim të përdorte forcën.
Tutje, ai tha se në rreshtin 22 deri në 29, tregohet diskutimi i Gucatit me një gazetar në mes të diskutimit.
“Ku gazetari thotë kush do të marrë përgjegjësinë dhe Gucati thotë se ne nuk i kemi nxjerrë këta emra dhe nuk e dimë nga ku, por ky material na ka ardhë në zyra, ne nuk kemi bërë asgjë dhe nuk punojmë për Gjykatën Speciale. Pranimi që mund të ndodhin gjëra as nuk i afrohet pohimit të faktit se Gucati ka pasur ndonjë qëllim”, ka thënë Elystan Rees.
Ai tha se nuk ka pasur synime me qëllim të keq dhe se nuk ka dëshiruar të dëmtohet asnjë person.
“Synimi i deklaruar i Gucatit ka qenë të ekspozojë bashkëpunimin që ka ekzistuar mes ZPS dhe Serbisë. Gjatë gjithë kohës të aktakuzës ka hedhur poshtë të gjitha akuzat që synimi i tij ka qenë për të frikësuar dëshmitarët dhe e ka cilësuar si klishe dhe referim të pabazë”, ka thënë ai.
Tutje, tha se Haradinaj në prezencë të Gucatit, në konferencën e tretë të shtypit, ka thënë se synimi i tyre nuk është për të mbuluar këto krime nëse të njëjtat kanë ndodhur apo për të mbrojtur dikë që është kriminel.
Kurse, tha se Gucati në dëshminë e tij ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar se po kërcënon ndonjë person dhe se nuk ka kërcënuar asnjëherë dikë në jetën e tij.
“Në kundërshtim me atë që ndodhet në dosjen përfundimtare të prokurorisë, zotëri Gucati nuk ka thënë apo sugjeruar ndonjëherë se dëshironte të ndëshkonte apo dëmtonte dikë që ka bashkëpunuar me TFHS”, tha avokati.
Sipas avokatit, Gucati ka thënë se armiq i quan ata që kanë protestuar më 1999 kur bënte sulme ajrore kundër Serbisë dhe për të ata janë armiq të tij dhe vendit të tij.
“Gucati ka thënë se mund të jesh armik i Kosovës dhe të jesh dëshmitar dhe kemi parë shembuj, por kjo nuk do të thotë që çdo dëshmitar është edhe armik. Siç e thash më herët frikësimi apo efekti si pasojë apo synim, nuk mjafton”, ka thënë ai.
Gjithashtu, avokati tha se Gucati ka thënë se nuk kanë nxjerrë asnjë emër dhe nuk ka arsye të jenë të dëmtuar të njëjtit.
“Nuk ka provë të drejtpërdrejtë as të një kanosje serioze as ndonjë synim specifik. Rregulla 143 e Rregullores së DhSK-së flet për kanosjet serioze dhe synim specifik dhe sipas këtij rregulli thuhet se standardi i provës përtej dyshimit të arsyeshëm vërtetohet nëse prova çon në këtë përfundim dhe nëse çon në tjetër përfundim do të thotë se prova nuk çon përtej dyshimit të arsyeshëm”, tha ai.
Tutje, tha se sipas ZPS-së kjo kanosje duhet të lidhet me atë që ka dhënë informacionet dhe se mbrojtja mendon se një përfundim i arsyeshëm duhet të vërtetohet për qëllimin.
“Siç kemi parashtruar në dosjen përfundimtare, lidhur me pikën 3, i akuzuari duhet të shpallet i pafajshëm”, tha ai.
Kurse, për akuzën për hakmarrje, tha se neni parasheh se duhet të ketë synim konkret dhe të hakmerresh.
“Kjo është një vepër që kërkon pasojë dhe kërkon provë të pasojave dhe dëmtimeve që janë shkaktuar përfshirë këtu edhe ndërhyrjen e punësimit të rregullt me një person, duke bërë të qartë kështu se dëmtimi në vetvete nuk është i koncentruar në atë fizik, por edhe financiar. Ne nuk kemi pasur dëshmi të pranuara nga ky trup gjykues që tregojnë se i akuzuari ka shkaktuar ndonjë dëmtim real”, tha ai.
Sipas tij, nga ana tjetër prokuroria në dosjen e vet përfundimtare, thotë se i akuzuari ka shkaktuar frikë dhe ka dërguar në humbjen e besimit të dëshmitarëve.
“Sa i takon synimin specifik, duhet të jetë i tillë që të shkaktojë dëmtim dhe dërgojë në hakmarrje për dhënie të informacionit të vërtetë, nëse informacioni është i rremë apo beson se informacioni është i rremë atëherë nuk kemi të bëjmë me vepër penale”, tha ai.
Sipas tij, nuk mjafton që i pandehuri mendojë se informacioni i dhënë nga dëshmitari mund të ketë qenë i vërtetë siç pretendon prokuroria.
“Gucati nuk ka vendosur synimin e vet më lartë se kaq që informacioni mund të ketë qenë i vërtetë. Nuk mjafton që vepra të ketë synim të drejtpërdrejtë, prokuroria duhet të vërtetojë të paktën përtej dyshimit të arsyeshëm që kryesuesi ka dhënë informacion të vërtetë. Duhet të jetë përtej dyshimit të arsyeshëm që informacioni që ka dhënë dëshmitari të jetë i vërtetë dhe këtë nuk e ka bërë prokuroria”, ka thënë ai.
I njëjti shtoi se Gucati është skeptik për kryeje të veprave gjatë luftës nga ata që mbrojtën Kosovën.
“Gucati ka thënë se nuk kam problem me persona që thonë të vërtetën nëse ndonjë person është keqtrajtuar dhe ka folë me ZPS, nuk kam problem me këtë. Por, nëse një person flet me ZPS dhe ka dhënë dëshmi false për të marrë zhvendosje në vendbanim nga ZPS-së , mendoj se është gënjeshtar”, ka thënë ai.
Sipas tij, Gucati ka bërë thirrje që të gjitha krimet të hetohen e gjykohen.
“Pra, kuptimi i prokurorisë lidhur me atë që mbrojtja thotë se është e vërtetë, është që mbrojtja thotë se ajo që është e vërtetë është gama e bashkëpunimit të prokurorisë me Serbinë. Ne nuk themi për ndonjë deklaratë të dëshmitarit”, tha ai.
Sipas tij, nuk ka prova të drejtpërdrejta se është shkaktuar dëmtim, sa i përket veprës penale të hakmarrjes, për të cilën akuzohet Gucati.
“Nëse provat lejojnë një tjetër përfundim që të arrihet, nuk kemi të bëjmë me vërtetim nga prokuroria apo përmbushje të parakushteve që kanë të bëjnë me dyshimin e arsyeshëm. Prokuroria nuk ka vërtetuar që veprimet e të akuzuarit janë bërë për të bindur persona për të mos dhënë deklarata për ZPS apo informacione në të ardhmen”, tha ai.
Tutje, deklaroi se synimi i të akuzuarit ishte për të zbuluar nivelin e bashkëpunimin mes ZPS-së dhe Serbisë dhe se ZPS-ja siç thotë i akuzuari është e njëanshme.
Lidhur me pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, ai tha se parashtrojnë se qëllimi kryesor është pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mbështeten në këtë çështje në një vendim të Gjykatës së Apelit të Kosovës.
“Kërcënimi ose kanosja e rëndë në kuadrin e 401 sipas parashtrimit tonë do të thotë kanosje serioze e përdorimit të forcës për qëllime të këtij neni, të nenit 401 pra. Kjo është në përputhje me nenin dhe paragrafin 1 siç përshkruhet në vendimin e Apelit të Kosovës që vepra kërkon përdorimin e forcës dhe kanosjen serioze kundër personave zyrtarë, ndërkohë elementi rëndues sipas nenit 401, paragrafi 5, kërkon që kanosja apo forca të ushtrohet ndaj një personi zyrtar në kryerjen e detyrave dhe është e qartë që duhet që ZPS të provojë se është përdorë forca apo kanosja serioze që kanë çuar në pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e punës zyrtare”, ka thënë ai.
Për këtë, tha se kanë dhënë edhe pikëpamje akademike.
“Kërcënimi apo kanosja apo përdorimi i forcës që kërkohet të ndodh në të njëjtën kohë me pengimin e kryerjes së detyrave zyrtare duhet të bëhet përmes përdorimit të menjëhershëm të forcës”, tha ai.
Sipas tij, në këtë rast nuk ka të dhëna që ka pasur përdorim të forcës apo kanosjes.
“Nuk ka asnjë provë që ka pasur nxitje apo përpjekje nga i akuzuari të përdor kanosjen apo forcën”, ka thënë ai.
Avokati tha se nuk ka asnjë synim për pengimin e punës së prokurorisë ashtu siç pretendojnë ata.
“Synimi për pengimin e kryerjes së detyrës zyrtare nuk mjafton dhe nuk kemi asnjë provë të pranueshme sa i takon pengimit të punës së ZPS-së, çfarë detyra zyrtare nuk ka qenë në gjendje të përmbush ZPS si rezultat i veprimeve nga Gucati”, tha ai.
Po ashtu, tha se nuk është dëgjuar asnjë dëshmi e pranueshme nga gjykata që ka të bëjë me pengimin nga ana e veprimeve të të akuzuarit.
“Kemi thjesht deklaratën e zotit Jukiq që pretendon për pengimin”, tha ai.
Sipas tij, për këtë vepër duhet që i akuzuari të shpallet i pafajshëm.
Lidhur me pengimin e personave zyrtarë me veprim të përbashkët, ai tha se parashtrojnë se lidhet me përdorimin e forcës apo kanosjen serioze.
“Duhet të vendosen kufijtë sa i takon përcaktimit dhe kufizimit të aktiviteteve të ligjshme dhe paqshme dhe sipas nesh këto kufijtë janë të përcaktuar me saktësi në nenin 401 dhe përjashtojnë përdorimin e forcës dhe kanosjes serioze dhe parashtrojmë se nuk ka prova për këtë”, tha ai.
Tutje, tha se nuk mund të arrihet në përfundimin që ata kanë kryer veprën penale të parashikuar në nenin 401 (1) dhe 401 (2) dhe se i akuzuari duhet të shpallet i pafajshëm edhe lidhur me veprën 2.
Për shkeljen e fshehtësisë së procedurës, avokati tha se dy nenet kërkojnë që nxjerrja apo zbulimi i informacionit të jenë të paautorizuara.
“Nëse do të kishte bazë ligjore për nxjerrjen e informacionit, çdo informacion që do të nxierrej nuk do të ishte vepër penale”, tha ai.
Sipas avokatit, ky nen nuk kufizon nxjerrjet që janë në interes publik vetëm në rastet që janë përcaktuar aty.
“Do të ishte absurde të bëhej e kundërta apo thuhet se e kundërta është e vërtetë. Ligji nuk mund të ndalojë nxjerrjen e informacionit që është në interesin publik. Fjalët që nuk duhet të nxirren sipas nenit 392 (1), duhet të interpretohen në këtë rast se ligji nuk interpretohet në një mënyrë që pranon që ligji nuk mund të ndalojë zbulimin e informacionit që është në interes të publikut të zbulohet apo nxirret, po ashtu themi se prokuroria duhet të provojë se çdo deklaratë nga ndonjë gjykatë apo autoritet kompetent që informacioni është sekret në të cilën bazohet pika 5 e aktakuzës”, ka thënë ai.
Ai tha se sipas kësaj analize, pozicioni i vërtetë dhe i drejtë që duhet të merret është interesi publik, që si mbrojtje nuk e ngrenë ndaj veprave penale.
“Por, themi se është pjesë përbërëse e detyrimeve të prokurorisë që në pikat 5 dhe 6 të vërtetojë se informacioni që është nxjerrë ishte i paautorizuar dhe paligjshëm dhe duhet të vërtetojë se nxjerrja e informacioneve nuk ishte në interes publik”, ka thënë ai.
Avokati Rees tha se prokuroria nuk mund të thotë se e ka vërtetuar që materialet ne grupin 2 dhe 3 nuk përmbajnë asnjë parregullsi që do të mund të ndikonte në integritetin e TFHS dhe nuk ka vërtetuar që nuk ka prova të veprimeve të parregullta.
“Do ta bënin këtë vetëm nëse do të tregonin përmbajtjen e ndërveprimeve që kanë bërë ata dhe jo vetëm kërkesat për asistencë që i kanë drejtuar autoriteteve serbe, por të shikonit dhe përmbajtjen e tyre dhe si kanë reaguar ndaj kërkesave, çfarë përgjigje kanë dhënë dhe çfarë kanë bërë. Kjo është e vetmja mënyrë që do të mund të vërtetonte prokuroria se nuk ka pasur asgjë në ato dosje që do të mund të ndikonte në paanësinë dhe integritetin e tyre”, tha ai.
Tutje, ai tha se shqyrtimi që i bëri paketave Zenka Pumper, ishte një hedhje sy ndaj atyre dokumenteve.
“Asaj nuk iu kërkua të verifikonte autenticitetin e dokumenteve dhe nëse ato nuk do të ishin autentike atëherë nuk do të ishte në pyetje konfidencialiteti i tyre sepse dokumentet false nuk mund të jenë konfidenciale. Por, ajo vërtetoi se ishin në bazën e të dhënave të prokurorisë dhe sipas saj autenticiteti u provua, por kur u pyet se kur e bëri këtë detyrë, ajo tha se nuk ka kontrolluar të gjitha një për një nëse janë autentike apo jo”, tha ai.
Sipas tij, Pumper nuk shqyrtoi nëse ka ndonjë sugjerim apo provë se klasifikimi që ishte përdor ishte bërë për të fshehur gjëra dhe ishte i paligjshme.
“Nuk shqyrtoi për sa kohë ishin konfidenciale dokumentet dhe se a ishin marrë hapa për të deklasifikuar këto dokumente. Ajo vet nuk ishte në gjendje të klasifikonte këto dokumente si konfidenciale”, tha ai.
Avokati Rees, tha se nuk mund të mbështeten në atë që thotë Pumper pasi nuk kishte kompetencat për të bërë klasifikimin, por ishte interesante sepse ajo tha se nuk e dinte kush kishte kompetencë për të bërë klasifikimin e dokumenteve brenda ZPS-së e se nuk kishte dijeni për procesin.
Ai tha se ZPS është përqendruar në informacion, i cili ka të bëjë me hetimet dhe procedurat penale të ZPS-së dhe TFHS-së dhe thonë se informacioni që ka të bëjë me këto tematika në bazë të ligjit nuk duhet të nxjerret.
“Por, ne argumentojmë se në këtë mënyrë krijohet një formulim i ri që nuk është pjesë e nenit 392 dhe fushëveprimi i tij nuk përfshin këtë përshkrim të ZPS-së për informacion, i cili i përket hetimeve apo procedurave konfidenciale të tyre”, ka thënë ai.
Sipas tij, kanë bërë parashtrimet e tyre në dosjen përfundimtare dhe se sa i përket pikës 6, ZPS përqendrohet në përkufizimin e tyre se kush është dëshmitar.
“Por, ajo që po diskutojmë ne për pikën 6 është nëse një person gëzon mbrojtje brenda një procedure penale apo është pjesë e ndonjë programi të veçantë të mbrojtjes, secili prej nesh në këtë sallë i përmbushim kushtet për dëshmitar potencial sipas përkufizimin të ZPS, por asnjëri prej nesh nuk jemi dëshmitar të mbrojtur apo në ndonjë program të veçantë”, ka thënë ai.
Tutje, ai ka thënë se kanë ngritur gabime në ligj dhe thonë se është e qartë nga dëshmitë e paraqitura një ditë më parë sa i përket mënyrës si Gucati e ka kuptuar ligjin.
“Nëse jemi gabim se sjellja e tij ishte e ligjshme dhe ju mendoni ndryshe, ne në fakt nuk jemi bazuar në faktin se kuptimi i tij është i paligjshëm por jemi të bazuar në Kodin Penal të Kosovës. ZPS thotë se nuk është mbrojtje, por arsye për përjashtim nga përgjegjësia penale dhe nuk është e zbatueshme. Në parashtrimet tona themi se kjo nuk është e saktë dhe është e gabuar”, ka thënë ai.
Sipas tij, kjo pasi ligji kërkon që të zbatohen ligjet materiale të Kosovës, me përjashtim kur bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare zakonore.
“Duam të parashtrojmë më tej lidhur me paragrafin 1 të nenit 26 që formulimi ose fjalët se personat që në mënyrë të arsyeshme nuk e kanë ditur dhe nuk mund ta dinin se veprimet e tyre ishin të ndaluara dhe mbi të cilët nuk aplikohet përgjegjësia penale. Formulimi në vetvete në këtë nen është i qartë dhe ideja është se është e nevojshme që personi të mos ketë pasur dijeni se veprimet e tij ishin të ndaluara dhe nëse ka arsye të justifikueshme, personi është objekt i nenit 26”, tha ai.
Ai tha se ishte surprizë për të të dëgjonte sugjerimin që u shpalos të hënën se kjo është një çështje që ka dalë në kohë të fundit dhe ne e kemi ngritur këtë çështje që nga konferenca e parë pranë gjyqtarit paraprak dhe është ngritur në vazhdimësi.
“Ka pasur diskutime të shumta që kanë pasur të bëjnë me nxjerrjen e dokumenteve dhe ky është element që e kemi ngritur që prej fillimit. Kemi prova të qarta se kemi shtytje për nxitje në krim, e kemi thënë që fillim”, tha ai.
Sipas tij, ka prova që dokumentet janë dorëzuar për të shtytur që të njëjtat t’i jepen medieve.
“Ne mendojmë se janë çështje që duhen gjykuar nga ju gjykatës prima facie dhe të gjykohet nëse ka pasur një person apo disa të ZPS të përfshirë në këtë element. Materiali që sipas ZPS pretendon të jenë në paketat 1,2 dhe 3 është thënë që kanë qenë në zotërim të ZPS-së dhe në kontrollin e lidershipit apo udhëheqësisë së ZPS-së” , ka thënë avokati.
Ai deklaroi se ka ende informacione të publikuara në internet, për të cilat nuk ka kërkuar ZPS që të largohen të njëjtat.
Avokati tha se nuk përjashtohet mundësia që dikush nga ZPS që kishte qasje një dokument të ia kishte dhënë një pale të jashtme.
“Shkalla e hetimit të kryer nga ky organ është e paqartë. Nga dëshmitarët që kanë ardhur, askush nga ta nuk është kontaktuar nga një organ i tillë që ka përpiluar raportin”, ka thënë ai.
Sipas tij, prokurorisë i ka takuar të vërtetojë se ka pasur nxitje nga organet policore apo të tjera dhe se ata nuk kanë bërë asgjë për këtë dhe se është bërë shkelje e nenit 6 të KEDNJ-së.
“Masa ligjore që propozojmë ne është që ZPS të propozojë të pushohet ky gjykim. Kërkojmë që të gjitha vendimet të jenë të pafajësisë apo që procedura gjyqësore të pushohet për arsye në bazë të nenit 6 të konventës”, ka thënë ai.
Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinaj, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.
“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.
Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.
“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës./BetimipërDrejtësi/
Foda beson se Kosova është në rrugën e duhur, falënderon tif...
Drenusha plas në vaj, përmend traumat e djalit për shkak të ...
Hovenier uron Kosovën për fitoren ndaj Lituanisë
Banori i ri mollë sherri mes Xhenetës dhe Gjestit, këngëtari...
Senatori amerikan letër Blinkenit: ShBA t’i mbajë sytë nga K...
Raportohet se Putin ka ftuar Vuçiqin për vizitë në Moskë