Avokati Veton Rrecaj, ka folur në cilësi të avokatit të zyrtarit të Thesarit të Shtetit, Labinot Grudës që dyshohet se ka vjedhur dy milionë euro nga buxheti i shtetit.
Por, pas gjysmës së emisionit ku Rrecaj gjatë gjithë kohës ka folur si pala mbrojtëse e Labinot Grudës, avokati tjetër Selman Bogiqi ka insistuar të kyçet në Rubikon ku edhe ka thënë ‘live’ se kolegut të tij Veton Rrecaj i është tërhequr autorizimi dhe se i njëjti nuk është më avokat i Labinot Grudës.
Bogiqi ka thënë se tashmë ai dhe kolegu i tij Tahir Rrecaj janë autorizuar si avokatët e Labinot Grudës dhe se për këtë është njoftuar edhe vetë Rrecaj.
“Lidhur me autorizimet që ia ka dhënë familja e Labinot Grudës, ju njoftoj se unë Selman Bogiqi dhe Tahir Rrecaj jemi avokatë të të dyshuarit Labinot Gruda, Ndërsa sa i përket avokatit që gjendet në studion tuaj atij i është revokuar autorizimi dhe për këtë është i njoftuar me sms nga vëllai i Labinot Grudës i cili e ka njoftuar se ai nuk është më avokat i vëllait të tij. Neve po na habit se si është e mundur që të paraqitet kur për këtë fakt është i njoftuar shumë mirë. Sot unë dhe kolegu im Tahir Rrecaj kemi pranuar dy vendime të Gjykatës Themelore në Prishtinë të cilat avokati që gjendet aty nuk i ka – një urdhër ndalues dhe urdhërese për sekuestrim të përkohshëm të gjësendeve”, ka thënë Bogiqi në Klan Kosova.
Por, Rrecaj i është përgjigjur duke thënë se ai është autorizuar nga vetë Labinot Gruda që është në moshë madhore dhe revokimi i autorizimit të tij mund të bëhet vetëm nga ai, dhe jo familja.
Megjithatë, ai e ka pranuar se familjarët e Grudës i kanë dërguar një mesazh telefonik ku i kanë thënë se ai nuk do ta përfaqësojë më Labinot Grudën që dyshohet se vodhi dy milionë euro nga Thesari i Shtetit.
“Nuk më është tërhequr autorizimi formalisht. Deri më sot, e di që jam avokat i tij, por juridikisht i njëjti mund t’i ketë deri në tre avokatë. Unë e kam autorizimin direkt prej klientit”.
“A është më i fuqishëm tërheqja e autorizimit nga familja, apo nga vetë i dyshuari në moshë madhore i cili më ka dhënë vetë autorizimin? Është fakt që një familjar më ka shkruar një sms ku më ka thënë se si familjarë e tërheqin autorizimin, por i jam përgjigjur të njëjtit se autorizimin ma tërheq vetëm klienti që është i moshës madhore. Unë si avokat kam edhe obligime. Nuk mund mos ta përfaqësoj të njëjtin në vazhdim të procedurës derisa në mënyrë formale juridike të më ofrohet një revokim nga i njëjti. Unë nuk kam revokim të autorizimit nga Labinot Gruda. E kam vetëm një sms nga familjarët, që në bazë të praktikës është problem që të gjithë familjarët të pajtohen për një avokat”, tha Gruda.
Bogiqi ka insistuar në vazhdimësi se Veton Rrecaj nuk e përfaqëson Labinot Grudën dhe se i njëjti nuk mund të japë asnjë deklaratë lidhur me këtë rast.
“Unë dhe Tahir Rrecaj jemi angazhuar si avokatë dhe mbi këtë bazë e kemi njoftuar edhe gjykatën. E kemi autorizimin që na e ka dhënë familja. Veton Rrecaj nuk është avokat i Labinot Grudës dhe na habit fakti se si e ka marrë guximin që të vijë në studio kur atij i është revokuar autorizimi dhe për këtë është i njoftuar. Ai nuk të drejtë që të japë asnjë deklaratë lidhur me rastin e Labinot Grudës”.
Rrecaj, që vazhdimisht ka deklaruar se autorizimi për përfaqësim mund t’i tërhiqet vetëm nga Labinot Gruda, ka thënë po ashtu se si avokati i parë me autorizim, në bazë të Kodit të Etikës të Avokatisë, është dashur të informohet nga dy kolegët e tij avokatë lidhur me këtë zhvillim.
Driloni flet për largimin e Edit dhe miqësinë me të
Kryebashkiakja e Durrësit në pesëvjetorin e tërmetit: Rindër...
Kumbaro ndan artikullin e “El Periódico” për Shqipërinë: Jo ...
Rita Ora feston sot ditëlindjen e 34-të
Zeqiri: Një shoqëri e mire është kur të gjithë kanë qasje të...
Osmani takohet me ministrin kolumbian, theksohet rëndësia e ...