Avdyli: Zgjedhje, para dialogut

10:10 | 17 Prill 2019
Arbresh.info

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj më 29 prill 2019 pritet të marrin pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili do të mbahet në Berlin të Gjermanisë. Ndonëse asnjëri prej dy krerëve institucionalë deri më tash nuk ka bërë të ditur se për çka saktësisht do të diskutohet në takimet e Berlinit, njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se procesi i dialogut do të jetë temë e pashmangshme e takimeve të fundprillit në kryeqendrën gjermane, shkruan Gazeta Zëri. 

Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të ndërkombëtarëve për rinisje të dialogut, deputeti i LDK-së Haxhi Avdyli ka konsideruar se negociatat Kosovë – Serbi duhet të rifillojnë vetëm pasi në Kosovë të organizohen zgjedhjet e parakohshme.

Kjo pasi sipas tij udhëheqësit e tanishëm të dialogut nuk janë të legjitimuar për ta drejtuar këtë proces.

“Tani në dialog është një palë kosovare jolegjitime, nuk është palë që ka vullnetin e shumicës shqiptare. Mendoj që tani për tani ky jolegjitimitet politik është i dëmshëm edhe për mbarëvajtjen e dialogut, por edhe për implementimin e çfarëdo marrëveshjeje politike të mundshme që mund të derivohet nga ky dialog. Në këtë drejtim mendoj që zgjedhjet do të ishin zgjidhja më e duhur”, ka deklaruar ai.

Sipas Avdylit, procesi i dialogut deri më tash është përcjellë me shumë paqartësi dhe ka qenë shumë jotransparent.

Ndërkohë, teksa ka komentuar deklaratat e presidentit për korrigjim kufijsh, deputeti i LDK-së ka thënë se ky subjekt do të angazhohet të mos lejojë të ndodhë diçka që nuk është në interes të Kosovës.

Ai ka thënë se as presidenti, as kryeministri nuk kanë bërë të ditur se për çka do të diskutohet në Samitin e Berlinit, ndonëse në medie në vazhdimësi është përfolur që tema kyçe do të jetë çështja e dialogut.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme