Në hyrjen e shtëpisë së plakut 81-vjeçar, Avdyl Gega, gjendet një pikturë me dimensione disa metërshe e cila ka një histori të veçantë. Në të shihet një malësor, një fëmijë rreth moshës 10’vjeç si dhe një arushë. Të gjithë mysafirët që ia mësyjnë shtëpisë së Gegës pyesin për domethënien e asaj pikture e cila ka disa vjet që gjendet aty.
Ishte qershori i vitit 2007, kur Avdyl Gega tashmë 81 vjeçar e mori djalin e tij, Ylberin, atë kohë 10 vjeç, për ta shëtitur dhe për t’i treguar trojet e paraardhësve të familjes Gega në malet e Korishës. Por ecja në shtigjet e atij fshati gati sa nuk doli të jetë fatale për Avdylin.
Aty, ai u ballafaqua me një arushë dhe dy këlyshë të saj.
E gjithë drama, siç plaku nga Prizreni e quan, nisi kur disa gjuetarë kishin shtënë me pushkë në drejtim të arushës. Në atë moment plaku nga Korisha ishte brenda malit bashkë me djalin e tij të vetëm. Ai thotë se në ato momente e pa me sytë e tij vdekjen.
“Pas më shumë se 60 viteve martesë ma fali Zoti një djalë. Në qershor të vitit 2007 me mëngjes e mora djalin me e çu në mal e me i tregu se ku i kanë pas trojet gjyshërit e stërgjyshërit. Kur dolëm tu ia tregu trojet, kur kemi hy në Kabash i kemi dëgjua dy mamxerre nga vendi ku është si xhehenem. Grykat e malit bën që në gjithë malin të dëgjohen ato të shtëna”, rrëfen i moshuari nga Prizreni.
Ai thotë se me tirqi në trup dhe me një sëpatë në krahë kishte marrë rrugën drejt malit.
“Arusha me dy këlyshë, nuk ka mujtë me i gjetë se prej ku kanë gjujtë ata. Ajo ka marrë ikën duke e lypë atë se kush e sulmoi. Unë me djalë isha ende në mal. Duke ardhë poshtë malit, i kisha dy qenë me vete. Arusha na pa neve, edhe u mësy këtej ka ne. Unë i thash Ylberit të fshihet pas një lisi. I thash du me dal qatje, e ta mbyti arushën. Jo që deshta me e mbytë unë arushën, po thash më mirë le të më mbysë mu e të shpëtojë djali. Të paktën të shpëtojë një bimë e Avdyl Gegës”, thotë ai.
Tutje 81 vjeçari, Avdyl Gega, tregon për momentin ku është ballafaquar me arushën. Thotë se ajo kishte qenë gjigande.
“Arusha shumë e madhe, leshin, mos ta flasim. Dushk i madh. Kur është afru tek unë e është çu me këmbë para, veç më ka ndihmuar Zoti, e t’ia kam llullë ndërmjet dy syve. Ja lypa pikën e dobët për me e shpëtua djalin anej e kam sakicën, për qejf e marr në mal, bilez rruhem edhe me të, aq që e ruaj. Ajo sakice ka hy në ashtin e arushës, tehu i sakices. Kur e ka hap gojën me e futë kokën time, mu ka dok vetja si mizë, qaq i vogël që u doka karshi saj”.
Por nga e gjithë kjo situatë plaku nga Prizreni nuk doli pa pasoja. Atij iu helmua gjaku pas gërvishtjeve që kishte marrë. Si rrjedhojë e kësaj kishte qëndruar për disa javë në spital.
“Më ka kap pastaj me thonjë në këmbën e djathtë. Por qentë që i kisha me vete më kanë ndihmua. Djalin e shpëtova. Qentë e mbytën edhe këlyshin e arushës. Disa ditë pas saj kam qëndrua në spital, prej gërvishjeve të arushës më është helmuar gjaku”, rrëfen për ngjarjen plaku nga Korisha e Prizrenit.
E djali i tij i vetëm, Ylberi, tashmë i ka mbushur 22 vite jetë. Ai sipas bacës Avdyl e mban mend shumë mirë gjithë ngjarjen. Ylberi punon në ndërtimtari.
Qeveria miraton vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 eur...
Kurti kërkon angazhim maksimal për zgjidhjen e problemeve të...
Salah pas fitores ndaj Leicesterit: Shpresojmë se do ta fito...
Policia e Kosovës sot do të shpërndajë dhurata për fëmijët
Hamza shpreh mirënjohje për gazetarët: Një media e lirë ësht...
Hovenier përfundon mandatin: Po largohem si një mik i fortë ...