Google ADS

Avdullah Hoti tregon investimet që Bashkimi Evropian solli në Kosovë

12:24 | 8 Tetor 2020
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur sot Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, me të cilin ka biseduar për zhvillimet e përgjithshme në vend dhe për projektet investive të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku përfshihet edhe Republika e Kosovës me projektet e saj të prezantuara në këtë plan të investimeve.

Fillimisht, Kryeministri Hoti ka zhvilluar takim të veçantë me Komisionerin Varhelyi dhe më pas ka vazhduar me takimin dypalësh, ku të pranishëm ishin zëvendëskryeministrat dhe ministrat e resorëve përkatës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shkruan Arbresh.info.

Pas këtyre takimeve, Kryeministri Hoti dhe Komisioneri Varhelyi kanë mbajtur konferencë të përbashkët me gazetarë.

Fjala e plotë e kryeministrit Hoti në konferencë:

Ishim të nderuar që të mirëpresim në Prishtinë Komisionerin Varhelyi dhe bashkëpunëtorët e tij, që të sjellin në Prishtinë një lajm fantastik, një lajm shumë të madh për Ballkanin Perëndimor, edhe për Kosovën, të planit të investimeve dhe të rimëkëmbjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor në vlerë totale prej 28 miliardë euro, prej të cilave 9 miliardë janë grante, që ju jepen vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky është lajmi kryesor që Komisioneri sot sjell në Prishtinë, pas plot bisedave që kemi pas në Bruksel në disa takime radhazi, për të cilën e falënderoj Komisionerin dhe bashkëpunëtorët e tij.

E them me shumë kënaqësi që projekti, që ne e kemi propozuar si Qeveri për t’u bërë pjesë e këtij plani të investimeve për Ballkanin Perëndimor, janë përfshirë plotësisht, përfshirë këtu autostradën Prishtinë-Merdarë, hekurudhën Prishtinë-Merdarë, gazpërçuesin nga Maqedonia e Veriut, trajtimin e ujërave të zeza në Prishtinë, fazën e dytë të Ibër-Lepencit, infrastrukturën Broadband, projektet që lidhen me dekarbonizimin dhe projektet e tjera.

Ky është një lajm shumë i mirë dhe unë besoj që për tri-katër vite, do t’i ndërrojë komplet rrethanat ekonomike në Kosovë dhe regjion.

Dëshiroj të falënderoj Komisionerin dhe Bashkimin Evropian, për disbursimin e 50 milionë eurove ndihmë financiare për Kosovën, ndihmë makrofinanciare për Kosovën në këto kohë të vështira të pandemisë dhe të problemeve me të cilat ballafaqohen bizneset dhe ekonomia e Kosovës.

E sigurova Komisionerin që ne jemi të vendosur për të quar përpara Reformën e Agjendave Evropiane. E them me kënaqësi, që sot, ne prezantojmë publikisht para qytetarëve, bashkë me Komisionerin, dokumentin e ri të Agjendave të Reformave Evropiane 2, ku listohen obligimet kryesore, detyrat, reformat kryesore që duhet t’i ndërmarrin të gjitha institucionet e vendit.

Ne tanimë e kemi pranuar Raportin për Kosovën nga Komisioni Evropian, ku jepen vlerësime, sigurisht për sfidat që ka vendi, por edhe vlerësimet për vendosmërinë e kësaj qeverie për të quar përpara këto reforma dhe për t’i prekur sfidat kryesore nga këndvështrimi i Bashkimit Evropian.

Më vjen mirë që Komisioneri dhe Bashkimi Evropian e vlerëson këtë gatishmëri të Qeverisë për të adresuar këto sfida.

E them me kënaqësi që në katër muaj të qeverisjes sonë, fjalën korrupsion e kemi larguar nga diskursi publik dhe kemi treguar vendosmëri të madhe në luftimin e krimit të organizuar.

Aksionet që janë zhvilluar para dy javësh po vazhdojnë ende dhe do t’i shihni edhe të tjerat në ditët në vijim, në të gjithë vendin pa përjashtim, për të vendosur rend dhe ligj, cep më cep, me mbështetje të partnerëve tanë ndërkombëtar.

Dëshiroj të falënderoj Komisionerin dhe Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme në këtë drejtim.

Folëm edhe për procesin e dialogut, një proces i rëndësishëm nëpër të cilin po kalojmë, me plot sfida dhe tema të vështira, por të rëndësishme për të përmbyllur marrëveshjen e paqes në mes të dy vendeve.

Sigurisht, liberalizimi i vizave mbetet çështje shumë e rëndësishme për qytetarët e Kosovës.

Ne kemi plotësuar kushtet në vitin 2018 dhe më vjen mirë që edhe në Raport theksohet që Kosova i ka plotësuar këto kushte dhe shpresoj që Bashkimi Evropian, vendet anëtare të lëvizin përpara në këtë drejtim.

Më vjen mirë ta them që Komisioneri e mirëkupton plotësisht ndjeshmërinë e kësaj çështje edhe për qytetarët, edhe për lëvizjen e studentëve, bizneseve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme