Avdullah Hoti është kandidat për Kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Teksa afati për deklarimin e koalicioneve për zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve përfundon nesër, LDK ka vendosur për kandidatin për Kryeministër.
Gazeta Express merr vesh se partia e udhëhequr nga Isa Mustafa ka vendosur që Ministri i Financave në largim, Avdullah Hoti të jetë kandidat i LDK’së për Kryeministër.
Ndërkohë Lidhja Demokratike e Kosovës deri më tani nuk ka zyrtarizuar asnjë koalicion parazgjedhor.
Kryeministri në largim Isa Mustafa ditë më parë tregoi se ai nuk do të garojë për postin e Kryeministrit.
“Në bisedë me bashkëpunëtorët e ngushtë kemi vendosur që në mandatin e ardhshëm të kemi një Kryeministër tjetër”, ka thënë Kryeministri në shkuarje.
“Sepse ne duhet të hapim rrugë në LDK për kuadro. Duhet të hapim rrugë për njerëz të ri”, ka shtuar ai.
“Unë do të ulem me Nënkryetarët e Partisë, me Sekretarin, me Kryetarët e Degëve dhe do të dalim me propozim se kush do të jetë Kryeministër i ardhshëm i Republikës nga LDK’ja”, ka shtuar ai.
Deri në mesnatën e të martës, partitë politike kanë për obligim të deklarojnë në KQZ koalicionet garuese në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit.
16 maji është paraparë afati i fundit nga KQZ’ja që partitë politike të deklarojnë koalicionet garuese në zgjedhje, derisa të hënën ka përfunduar afati për deklarimin për mospjesëmarrje eventuale në zgjedhje.
Ndonëse ka mbetur edhe një ditë deri në përfundimin e këtij afati, ende asnjë nga subjektet politik nuk ka zyrtarizuar koalicionet parazgjedhore – me përjashtim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, të cilat një marrëveshje të tillë e kanë nënshkruar para më shumë se një viti.
Kosovarët do t’u drejtohen të dielën e 11 qershorit 2017 kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi ato u shpallën javën e kaluar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, menjëherë pas shkarkimit të Qeverisë Mustafa me anë të një mocioni të votuar në Kuvend, të iniciuar nga opozita dhe përkrahur nga PDK’ja.
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...
Kurti dhe Peci në Gjakovë, përurojnë nisjen e punimeve të pr...
LDK çon në 600 mijë euro abuzimin e Ministrisë së Bujqësisë ...
Shtatë ndeshje pa fitore, çfarë nuk po shkon me Llapin e Tah...
Të paktën tetë emigrantë mbyten në ishullin grek