Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka anuluar vendimin që vet e kishte nënshkruar më 19 tetor 2020, i cili parashihte që operatorët kabllorë në Kosovë të paguajnë një tarifë minimale për të drejtat e autorit dhe e cila do të ndahej për autorët e veprave audio vizuele dhe aktorët, të cilat mbrohen nga shoqata VAPIK.
Kryeministri Hoti, pak ditë pasi e mori vendimin qeveritar që sadopak do të ndihmonte aktorët dhe autorët e veprave audio-vizuele është takuar privatisht me pronarët e operatorëve kabllorë e të cilët e kanë detyruar ta ndryshojë vendimin e datës 19 tetor me një vendim të ri të datës 30 tetor për ta shtyrë zbatimin e vendimit paraprak.
Ky ndryshim i vendimit të Hotit pas takimeve private me operatorët kabllorë e që është në dëm të autorëve e aktorëve, ka nxitur shoqatën VAPIK që të reagojë ashpër dhe kanë kërkuar nga Hoti që të kthejë ligjshmërinë e jo të bie pre e pazareve me operatorët kabllorë, në dëm të krijuesve dhe televizioneve kosovare.
“Më 19 Tetor 2020, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të rregullt, unanimisht aprovoi tarifat e përgjithshme për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. Më 30 Tetor 2020, Qeveria e Kosovës, pas një takimi privat mes Kryeministrit dhe përfaqësuesve të operatoreve kabllor, merr një vendim që është në kundërshtim me vendimin e mëhershëm unanim të saj dhe shtynë implementimin e këtyre tarifave për datën 1 Prill 2021”, thuhet në reagimin e Blerim Gjocit, kryetar i Bordit të VAPIK .
Gjoci, aktor i njohur kosovar, ka thënë se ky vendim u mor pa pjesëmarrjen dhe pa u konsultuar me Shoqatën për Menaxhimin Kolektiv të të Drejtave të Autorit, si pala tjetër në këtë marrëveshje; dhe pa prezencën e Zyrës për të Drejtën e Autorit, si pala neutrale – përfaqësuese e Qeverisë dhe propozuese e Tarifës.
Ai ka thënë se më datën 11 korrik 2012, Zyra për të Drejtën e Autorit, licencoi shoqatën Joqeveritare, Joprofitabile – VAPIK, pas shumë trajnimeve ndërkombëtare, për të menaxhuar dhe shpërndarë të ardhurat që dalin nga e Drejta e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta.
Tarifat u vendosën bazuar në analizën e ekspertëve ndërkombëtarë pasi studiuan GDP-në e Kosovës në raport me rajonin
Që nga Licencimi, sipas kryetarit të Bordit të VAPIK-ut, Blerim Gjoci, këta të fundit kanë kontaktuar operatorët kabllor si ritransmetues “ilegal sipas ligjit” të pronësisë intelektuale për të arritur një marrëveshje që do të kompensonte pronën intelektuale të shfrytëzuar pa kompensim, dhe për të përmbushur detyrimin ligjor siç parashihet në Ligj. Po ashtu, Gjoci ka thënë se VAPIK ka bërë përpjekje të vazhdueshme të përafrojë dallimet që kishte me operatorët kabllorë.
“Kërkesa e VAPIK për tarifën prej 1.3 euro për abonues, bazohet në studimin e GDP-së së Kosovës në raport me rajonin, bazohet në çmimin e shërbimeve që ofrojnë Operatorët Kabllorë të Kosovës në raport me ata rajonal, Llojin e Licencës që posedon VAPIK dhe Shoqatat simotra rajonale. Tarifa e propozuar nga VAPIK bazohet edhe në ekspertët ndërkombëtar që VAPIK kishte angazhuar që të studiojnë kushtet dhe tarifën optimale të përshtatshme për kushtet e Kosovës”, thuhet në kundërshtimin e VAPIK për shtyrjen e implementimit të tarifave.
Kështu, në shkresën e publikuar për media nga kryetari i Bordit të VAPIK-ut, Blerim Gjoci, thuhet se secilën ditë që operatorët kabllorë në Kosovë operojnë pa një marrëveshje me Shoqatën për Menaxhimin Kolektiv, përveç që shkelin Ligjin për të Drejtën e Autorit, Kablloret shkelin edhe ligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) dhe rregulloren e KPM-se për licencim.
“Për këtë shkelje Operatoret Kabllor nuk u sanksionuan nga Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), ku sipas rregullores së KPM-se bazuar në ligjin për KPM, Pika 2.1 Detyrimet për të Drejtën e Autorit; ne Piken 2.1.1 thuhet: Të licencuarit i kërkohet të veprojë në pajtueshmëri me Ligjin Nr. 2004/45 për të Drejtën e Autorit dhe të Drejtat Tjera të Përafërta si dhe ligjet tjera të zbatueshme në Republikën e Kosovës për pronësinë intelektuale, dhe në veçanti të sigurojë leje të vlefshme për të drejtën e autorit dhe leje për përdorimin veç e veç dhe në tërësi të të gjithë programeve komerciale që i bartë në listën e tij programore. Këtu përfshihet riprodhimi, ritransmetimi dhe ritransmetimi i njëkohshëm i sinjaleve të huaja dhe të importuara, qoftë nga emetues tokësorë të largët ashtu edhe nga sinjale dhe programe që transmetohen nga sateliti”, thuhet në reagimin e VAPIK.
Kështu, sipas VAPIK-ut, i licencuari nuk do të ri-transmetojë asnjë program pa marrëveshje valide mbi të drejtën autoriale.
Bartja e kanaleve të programeve pa të drejtën autoriale, sipas kryesuesit të Bordit të VAPIK, Blerim Gjocit, përbën shkelje të rëndë të Kushteve dhe Termeve të Licencës dhe shkeljet e tilla rezultojnë me revokim të Licencës.
Ndryshe, sipas tij, pas një pune të gjate, ishte vendosur që të dërgohen tarifat për aprovim tek Qeveria.
“Edhe pse, ishin ulur tarifat e propozuara nga VAPIK gati 70 %, dhe nuk ishin marrë parasysh sugjerimet e ekspertit të huaj që kishte sugjeruar tarifa më të larta – që baza më e ulët për abonues për numrin më të vogël të kanaleve të jetë 0.5 Euro dhe tarifat të shkojnë në ngritje varësisht nga tufa e kanaleve; ne në VAPIK nuk u ankuam ne vendimin e 19 tetorit, por e përshëndetem atë si vendim historik, pasi kishim vënë besimin tonë tek paanshmëria e institucioneve tona. E mira më e madhe e vendimit të 19 tetorit ishte se Kosova nuk do të jetë më i vetmi vend në këtë planet, i qeverisur nga një demokraci, që shfrytëzon Pronën Intelektuale pa Kompensuar Pronaret edhe pse ata mbrohen me Ligj”, thuhet në reagimin e kryetarit të Bordit të VAPIK, Blerim Gjoci.
Ai ka shtuar se as Qeveria, as Zyra e Kryeministrit, as Zyra e MKRS-së, as ZDA nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim për të arsyetuar vendimin e ri.
“Por as datën e çuditshme 1 Prill! Dhe, kush janë të dëmtuarit më të mëdhenjë në këtë “shtyrje” të afatit: – të gjitha Shtëpitë Mediatike në Kosovë që krijojnë programe autoriale; – Të gjitha Televizionet e Kosovës (RTK, RTV21, KTV, TVKlan, RTV Dukagjini, T7, ETJ) që krijojnë programe Autoriale, filma, seriale, dokumentar, etj; – Të gjithë Regjisorët e Kosovës dhe të huaj; – Të gjithë Skenaristët e Kosovës dhe të huaj; – Të gjithë Drejtorët e Fotografisë të Kosovës dhe të huaj; – Të gjithë Producentët e Kosovës dhe të huaj; – Të gjithë Aktorët e Kosovës dhe të huaj; – Të gjithë Autorët tjerë të Kosovës dhe të huaj; – Të gjithë Kompozitorët e veprave audiovizuele.
Më poshtë gjeni të bashkëngjitur reagimin e plotë të Shoqatës VAPIK dhe dy vendimet e marra nga kryeministri Hoti për të njëjtën çështje
80-vjetori i Bibliotekës Kombëtare, Kurti: Në këto mure jeto...
Ronaldo shënon dy gola në fitoren e Al-Nassr në Ligën e Kamp...
Takimi i G7-ës në Itali, i fundit për administratën e Presid...
“30 milionë euro naftë o vëlla”, Haziri, qeverisë: Mos i pre...
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë
Vullneti e komenton me Arionin situatën mes Sarës, Drilonit ...