Avokuesja e të drejtave të grave, Zana Avdiu, ka thënë se vrasja e gruas nga burri në Llaushë të Skenderajt ka qenë kronikë e një vdekje të paralajmëruar.
Avdiu, në Edicionin Special në Klan Kosova, fajin për këtë vrasje ia ka lënë personave përgjegjës në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës për të cilët thotë se nuk kanë reaguar në mënyrën e duhur.
“Sipas vendimeve që po i marrin gjykatat dhe formës në të cilën po reagojnë institucionet tona si duket për vendin dhe shtetin tonë jeta e grave nuk ka aspak vlerë. Për shoqërinë e dimë se si sillen dhe mendojnë, sepse jemi shoqëri patriarkale në të cilën jeta dhe mirëqenia e grave hiç nuk është e rëndësishme. Kur flasim për këto vrasje lirisht mund të themi se përgjegjësia dhe faji i takon prokurorisë në Mitrovicë. Po e shoh që të gjithë po ia mveshin fajin policisë, por policia e ka kryer detyrën e vet aq sa kanë pasë kompetencë derisa prokuroria ka bërë lëshime dhe i janë dorëzuar fisnisë”.
“Nëse i shohim deklaratat e prokurorisë nuk gjejmë shumë dallim me deklaratën e familjes. Prokurorja arsyetohet me faktin se burrat e asaj shtëpie kanë garantuar që nuk do të ndodhë asgjë. Çfarë garance është kjo dhe çfarë rëndësie ka fjala e dikujt? Të njëjtën garancë e ka marrë familja edhe kur janë mbledhur burrat e dy fiseve për ta kthyer atë grua në shtëpi. Këtu kemi të bëjmë me dorëzimin e shtetit para fisnisë. Jetën e grave e mbrojnë vetëm ligjet dhe konventat, sepse Kanuni është armik i grave. Burri ka vepruar në fakt sipas normave shoqërore të cilat i cakton shoqëria. Këtu kemi të bëjmë me një vrasje që e ka lejuar prokuroria dhe ata zyrtarë janë përgjegjësit kryesorë për këtë vrasje dhe të njëjtit duhet të përgjigjen”.
Ajo deklaron se kjo vrasje është vazhdimësi e vrasjeve të mëhershme të cilat kanë ndodhur, derisa shton se po të ishin marrë seriozisht raportimet e grave për dhunë në familje shumica e grave të vrara nga burrat do të ishin gjallë.
“Nuk po mjaftojnë vetëm reagimet e shoqërisë civile dhe qytetarëve, sepse duhet reagim institucional. Nuk po mendoj vetëm reagim nga institucionet e drejtësisë dhe sigurisë, por po mendoj reagim edhe nga institucionet edukativo-arsimore. Burimi i problemit është mendësia, sepse jemi shoqëri patriarkale e cila i vret gratë dhe këtë e pranon si të mirëqenë. Të gjithë duhet të ngritemi në vetëdijësimin dhe emancipimin e kësaj shoqërie. Nuk ka të bëjë vetëm me institucionet, sepse po e shohim se në ato institucione kemi njerëz që mendojnë që dhuna ndaj grave është në rregull përndryshe asnjë zyrtar nuk do ta lejonte që të ndodhte ky rast”.
Avdiu e ka mirëpritur reagimin e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila fajin për këtë vrasje ia ka lënë institucioneve përgjegjëse derisa ka kërkuar që të merren masa urgjente ndaj prokurores kujdestare dhe mbrojtëses së viktimës.
Megjithatë, ajo ka kërkuar nga ministrja më shumë sesa vetëm reagim në rrjete sociale.
“Shumë mirë që ka reaguar ministrja [Albulena Haxhiu] dhe më pëlqeu ajo që ka deklaruar, mirëpo mos të harrojmë që ministrja është që një vit në pushtet dhe është dashur të marrë hapa konkretë për këtë çështje. Nuk është kjo vrasja e parë që ka ndodhur dhe që ministrja apo ministria e Drejtësisë nuk ka mundur ta marrë me mend se nuk ka mundur të ndodhë sërish. Kemi qindra raste që janë lajmëruar në polici ose prokurori ku dhunuesit janë liruar dhe të njëjtat kanë përfunduar me vrasje. Nuk mjafton vetëm reagimi, sepse duhet punë. Edhe politikanët e tjerë nga të gjitha partitë më herët kanë reaguar veç për të marrë poena politikë. Nuk mjafton vetëm reagimi në rrjete sociale, sepse ne duam punë nga ta. Ministres i them ‘shumë mirë që reagove, po tash vetëm vepro’. Ta shohim nëse po vepron ose jo dhe a do të kemi raste të ngjashme të tjera”.
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...